Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Cilët ishin magët që vizituan foshnjën Jezu?

▪ Sipas tregimit për lindjen e Jezuit, në Ungjillin e Mateut, vizitorë nga ‘vendet lindore’, të cilët kishin parë yllin që i lajmëronte për një mbret të ri, i çuan dhurata Jezuit të vogël. Ungjilli në greqisht i quan mágoi këta vizitorë, domethënë magë. (Mateu 2:1) Çfarë dimë për ta?

Burimi i informacionit më i hershëm e më i besueshëm rreth magëve është historiani grek Herodoti. Herodoti, që jetoi në shekullin e pestë p.e.s, dokumentoi se magët i përkitnin një klase priftërore persiane të specializuar për astrologji, për të interpretuar ëndrra dhe për të bërë magji. Në kohën e Herodotit, feja e Persisë ishte Zoroastrianizmi. Prandaj, magët për të cilët foli, ka të ngjarë të kenë qenë priftërinj zoroastrianë. Enciklopedia The International Standard Bible Encyclopedia thotë: «Në një kuptim më të përgjithshëm, një mágos në botën helene kishte njohuri dhe aftësi të mbinatyrshme dhe nganjëherë praktikonte magji.»

Disa komentues «të krishterë» të hershëm të tillë, si Justin Martiri, Origjeni dhe Tertuliani, i përshkruan si astrologë magët që vizituan Jezuin. Për shembull, Tertuliani shkroi në librin e tij On Idolatry: «E dimë se magjia dhe astrologjia janë të lidhura bashkë. Ja pse interpretuesit e yjeve ishin të parët . . . që i çuan atij [Jezuit] ‘dhurata’.» Në harmoni me këto informacione, shumë versione biblike, fjalën mágoi e përkthejnë «astrologë».

Pse Mateu ia atribuoi profetit Jeremia fjalët nga libri i Zakarisë?

▪ Pjesa për të cilën bëhet fjalë, gjendet te Mateu 27:9, 10, ku shkrimtari i ungjillit foli për paratë që iu dhanë Judë Iskariotit për të tradhtuar Jezuin. Vargjet thonë: «Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremia: ‘Ata morën tridhjetë monedhat e argjendta, çmimin që kishin vënë për atë njeri . . . dhe i dhanë për arën e poçarit.’» Profecia për 30 monedhat e argjendta gjendet te Zakaria dhe jo te Jeremia.​—Zakaria 11:12, 13.

Nganjëherë, koleksioni i librave i quajtur «Profetët» fillonte me librin e Jeremisë në vend të Isaisë. (Mateu 22:40) Kështu, kur këtu Mateu përmendi Jereminë, po i referohej një pjese të tërë të Shkrimeve të quajtura me emrin e librit të parë të asaj pjese. Në të përfshihej edhe Zakaria.

Në mënyrë të ngjashme, Jezui i quajti «Psalme» disa libra të Biblës që njiheshin edhe si Shkrimet. Kështu, kur ai tha se duheshin përmbushur të gjitha gjërat që u shkruan për të «te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet», e kishte fjalën për profecitë që gjendeshin në të gjitha Shkrimet Hebraike.​—Luka 24:44.