Një banor i Azisë Lindore në Italinë e lashtë
Një banor i Azisë Lindore në Italinë e lashtë
SI NDODHI që një njeri me origjinë nga Azia Lindore të përfundonte në Perandorinë e lashtë Romake 2.000 vjet më parë? Kjo ishte pyetja me të cilën u përballën arkeologët pasi bënë një zbulim mahnitës në jug të Italisë, në vitin 2009.
Vendi ishte një varrezë e lashtë romake në Vanjar, 60 kilometra në perëndim të Barit. Atje u zbuluan shtatëdhjetë e pesë skelete njerëzish. Analizat e kockave treguan se shumica e njerëzve kishin lindur aty afër. Por skeleti i një burri i habiti kërkuesit. Analiza e ADN-së së tij mitokondriale tregoi se me origjinë nga ana e nënës ishte nga Azia Lindore. * Mbetjet e tij datonin në shekullin e parë a të dytë të e.s. Sipas një raporti rreth këtij skeleti, «duket se kjo është hera e parë që zbulohet në Perandorinë Romake një skelet me origjinë nga Azia Lindore». Atëherë, kush ishte ky njeri?
I njëjti raport thotë: «Në fillim, dikush mund të mendojë se ky njeri ka pasur ndonjë lidhje me tregtinë e mëndafshit që lulëzonte ndërmjet Kinës dhe Romës.» Gjithsesi, mendohet se kjo tregti mundësohej nga disa ndërmjetës dhe asnjëri nuk e bënte të plotë udhëtimin prej 8.000 kilometrash Kinë-Itali.
Ç’mund të mësojmë nga vendi ku u gjet skeleti? Në kohët e lashta, Vanjari ishte pronë rurale e perandorisë—nën kontrollin e perandorit—ku punëtorët shkrinin hekur dhe prodhonin pllaka argjile. Shumë nga këta punëtorë ishin skllevër, dhe i tillë ka mundësi të ketë qenë edhe ky njeri nga Lindja. Në fakt, zbulimet në varrin e tij treguan se nuk ishte i pasur. Gjithçka që i kishte mbetur, që ishte varrosur me të, ishte vetëm një qyp dhe një trup tjetër i varrosur sipër tij.
Pse na intereson ky zbulim? Përhapja e mesazhit të krishterë në shekullin e parë të e.s. varej nga sa larg udhëtohej në atë kohë. Bibla thotë se, pas festës së Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., lajmi i mirë u përhap kryq e tërthor nga vizitorët e huaj të Jerusalemit. (Veprat 2:1-12, 37-41) Ky skelet tregon të paktën se në atë kohë disa udhëtonin nga Azia Lindore për në rajonin e Mesdheut. *
[Shënimet]
^ par. 3 Analiza e ADN-së mitokondriale nuk mund të sigurojë informacione për origjinën nga ana e babait.
^ par. 6 Gjithashtu, ka dëshmi se perëndimorët udhëtonin për në Azinë Lindore. Shih artikullin «Sa larg në lindje mund të shkonin misionarët?» në Kullën e Rojës të 1 janarit 2009.
[Harta në faqen 29]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
ROMË
Vanjar
Deti Mesdhe
AZIA LINDORE
OQEANI PAQËSOR
[Figura në faqen 29]
Skeleti i një burri nga Azia Lindore, i zbuluar në një varrezë të lashtë romake
[Burimi]
© Su concessione del Ministero per i Beni e le Attività Culturali - Direzione Regionale per i Beni Culturali e Paesaggistici della Puglia - Soprintendenza per i Beni Archeologici della Puglia