A e dini?
A e dini?
Ç’krime kishte kryer Baraba?
▪ Të katër ungjijtë e përmendin Barabën, burrin që liroi sundimtari romak, Ponc Pilati, në vend të Jezuit. Baraba ishte «një i burgosur me nam» dhe «kusar». (Mateu 27:16; Gjoni 18:40) E kishin burgosur romakët në Jerusalem, «bashkë me kryengritësit e tjerë, që gjatë kryengritjes kishin kryer vrasje».—Marku 15:7.
Megjithëse nuk ka asnjë dëshmi jobiblike për krimet e Barabës, fakti që ai përmendet bashkë me kryengritësit, i çon disa studiues të mendojnë se bënte pjesë në grupe që donin të rrëzonin pushtetin, të cilat ishin aktive në Izraelin e shekullit të parë. Historiani Jozef Flavi dokumenton se bandat me rebelë përfshiheshin goxha në konfliktet shoqërore të asaj kohe. Kriminelë të tillë pretendonin se kërkonin drejtësi për fshatarët e shtypur judenj. Rebelimi kundër padrejtësive që mendonin se u kishin bërë romakët dhe fisnikët judenj, arriti përmasa epidemike nga mesi i shekullit të parë të e.s. Më vonë, bandat me rebelë përbënin një pjesë të madhe të forcave judeje që përzunë romakët nga Judea në vitin 66 të e.s.
Një fjalor thotë: «Baraba ndoshta ishte një nga banditët e zonave fshatare. Këta banditë ishin të njohur për njerëzit e thjeshtë, sepse plaçkitnin shtresën e pasur të Izraelit dhe i shkaktonin trazira qeverisë romake.»—The Anchor Bible Dictionary.
Cilat krime ndëshkoheshin me vdekje si të Jezuit në kohën e romakëve?
▪ Mënyra që përdornin romakët për të ndëshkuar kryengritësit, kriminelët dhe të tjerët që rebeloheshin ishte t’i lidhnin në një mjet torture dhe t’i linin të vdisnin atje të varur. Kjo konsiderohej mënyra më e keqe e vdekjes.
«Ishte publike, poshtëruese dhe e dhembshme, si dhe ishte projektuar që të shtinte frikë në zemrën e çdokujt që do të guxonte të kërcënonte sistemin e atëhershëm»,—thotë libri Palestina në kohën e Jezuit (anglisht). Një shkrimtar i lashtë romak vërejti se, kur ekzekutoheshin kriminelët, «zgjidheshin rrugët me më tepër qarkullim, ku shumë njerëz mund të shihnin e t’i zinte frika».
Sipas Jozefit, një i burgosur lufte që u kap nga trupat e Titit gjatë rrethimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., u ekzekutua në këtë mënyrë para mureve të qytetit, që t’u shtinte frikën përkrahësve të tij që të mos ngrinin krye. Në fund, kur qyteti ra, shumë të tjerë pësuan këtë lloj vdekjeje.
Ekzekutimi më i madh i këtij lloji që njeh historia, ndodhi në fund të revoltës së udhëhequr nga Spartaku, (73-71 p.e.s.) kur u ekzekutuan 6.000 skllevër dhe gladiatorë përgjatë rrugës nga Kapua për në Romë.
[Figura në faqen 10]
«Na jep Barabën», vepër e Çarls Mylerit, 1878