Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush i vuri ligjet që drejtojnë universin?

Kush i vuri ligjet që drejtojnë universin?

Kush i vuri ligjet që drejtojnë universin?

«A I NJEH ti ligjet e qiejve?» (Jobi 38:33) Me këtë pyetje që i bëri Jobit, Perëndia po e ndihmonte shërbëtorin e tij plot halle të kuptonte sa pak dinë vërtet njerëzit, në krahasim me mençurinë e pakufishme të Krijuesit. Çfarë mendoni për këtë krahasim?

Njerëzit kanë mësuar mjaft gjëra për ligjet që drejtojnë hapësirën qiellore, por shumë shkencëtarë do ta pranonin menjëherë se ka ende shumë për të mësuar. Herë pas here, zbulimet e reja i kanë bërë shkencëtarët t’i mendojnë sërish teoritë e tyre për lëvizjen e trupave të universit. A e kanë nxjerrë zbulimet e reja të pavlerë pyetjen që Perëndia i drejtoi Jobit? Ose, a provon përparimi në këtë fushë se Jehovai është Ligjvënësi i qiejve?

Bibla përmban pohime mahnitëse që na ndihmojnë t’u përgjigjemi pyetjeve të tilla. Vërtet, Bibla nuk thotë se është libër shkencor. Gjithsesi, kur flet për qiejt plot yje, saktësia e asaj që thotë të lë gojëhapur dhe shpesh është tepër e përparuar për kohën kur u shkrua.

Si shpjegohej universi dikur?

Që të krijojmë një panoramë në mendje, le të kthehemi në shekullin e katërt p.e.s., rreth një shekull pasi u përfundua shkrimi i Dhiatës së Vjetër, pjesa hebraike e Biblës. Në atë kohë, filozofi grek, Aristoteli, mësonte studiuesit më të mëdhenj të kohës së tij për hapësirën qiellore. Sot ai renditet ende mes shkencëtarëve më me ndikim që kanë jetuar ndonjëherë. (Shih  kutinë në faqen 25.) Sipas një enciklopedie, «Aristoteli ishte i pari shkencëtar i vërtetë në histori. . . . Çdo shkencëtar duhet t’i jetë borxhli».​—Encyclopædia Britannica.

Aristoteli skicoi me kujdes një model të kozmosit. Propozoi një sistem në të cilin toka ishte në qendër të një universi që përbëhej nga më shumë se 50 sfera të kristalta, njëra brenda tjetrës. Yjet ishin të fiksuar në sferën e jashtme, kurse planetët në sferat më afër tokës. Gjithçka tjetër, përveç tokës, ishte e përjetshme, e pandryshueshme. Këto ide mund të na duken fantazira sot, por ato kanë ndikuar për rreth 2.000 vjet te njerëzit që merreshin me shkencë.

Megjithatë, si janë mësimet e Aristotelit në krahasim me ato të Biblës? Cilat mësime i kanë qëndruar kohës? Le të shqyrtojmë tri pyetje për ligjet që drejtojnë universin. Përgjigjet do të na ndihmojnë ta forcojmë besimin tek Autori i Biblës, Ligjvënësi ‘i ligjeve të qiejve’.​—Jobi 38:33.

1. A është i pandryshueshëm universi?

Aristoteli arsyetonte se sferat qiellore ishin të pandryshueshme. Sfera që i mbante yjet në vend as ngushtohej, as zgjerohej, ashtu si të tjerat.

A jep Bibla një supozim të ngjashëm? Jo. Ajo nuk thotë asgjë të prerë për këtë pikë. Megjithatë, vini re ç’përshkrim interesant bën: «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca. Ai i shpalos qiejt si një vel të hollë dhe i shtrin si një tendë banimi.»​—Isaia 40:22. *

Cili u shkon për shtat zbulimeve të sotme: modeli i Aristotelit apo përshkrimi i Biblës? Ç’përfundime ka nxjerrë për universin kozmologjia moderne? Në shekullin e 20-të, astronomët u mahnitën kur mësuan se universi po zgjerohet. Në fakt, është vrojtuar se galaktikat lëvizin me shpejtësi larg nga njëra-tjetra. Shumë shkencëtarë, për të mos thënë të gjithë, as e kishin çuar ndonjëherë ndër mend zgjerimin e universit. Sot, kozmologët në përgjithësi besojnë se universi e pati zanafillën nga një gjendje tepër kompakte dhe që atëherë vazhdon të zgjerohet. Si pasojë, shkenca e ka nxjerrë jashtë loje modelin e Aristotelit.

Ç’të themi për përshkrimin e Biblës? S’e kemi të vështirë ta përfytyrojmë një burrë, si profeti Isaia, teksa vështron qiellin plot yje që shtrihet tërë hijeshi sipër tij dhe kupton sa me vend është imazhi i një tende që shpaloset. * Madje mund të ketë vërejtur ngjashmërinë mes Udhës së Qumështit dhe asaj që dukej «si një vel i hollë».

Më tej, fjalët e Isaisë na ftojnë të krijojmë në mendje disa pamje. Mund të përfytyrojmë një tendë të kohëve biblike; ndoshta mendojmë një copë të fortë e të mbledhur, relativisht të vogël, që hapet, shpaloset dhe shtrihet para se të vihet mbi shtylla e të bëhet tendë. Në mënyrë të ngjashme, mund të përfytyrojmë një tregtar që ngre një copë të mbledhur veli të hollë dhe e shtrin që ta shohë blerësi. Në secilin rast, diçka që është disi e ngjeshur shtrihet dhe bëhet më e madhe për sytë tanë.

Sigurisht, nuk themi se përshkrimi poetik i Biblës për një tendë dhe një vel të hollë është bërë për të shpjeguar zgjerimin e universit fizik. Por, a nuk është mahnitëse që përshkrimi i Biblës për universin përputhet kaq mirë me shkencën moderne? Isaia jetoi më se tre shekuj para kohës së Aristotelit dhe mbi 2.000 vjet para se shkenca të siguronte dëshmi bindëse për këtë temë. Prapëseprapë, përshkrimi që hodhi me shkrim ky profet i përulur hebre, s’ka nevojë të rishikohet siç ka ndodhur me modelin gjenial të Aristotelit.

2. Çfarë i mban në vend trupat qiellorë?

Sipas Aristotelit, universi ishte i mbushur plot e përplot. Mendonte se toka dhe atmosfera e saj përbëheshin nga katër elemente: toka, uji, ajri dhe zjarri. Universi përtej ishte i mbushur me sfera të kristalta, të cilat përbëheshin nga një substancë e përjetshme që e quante eter. Trupat qiellorë ishin të ngjitur pas sferave të padukshme. Shumë burra që merreshin me shkencë e pëlqyen për mjaft kohë idenë e Aristotelit, pasi ajo dukej se i përshtatej një koncepti themelor: një trup duhet të prehet mbi një tjetër ose të ngjitet mbi di­çka, përndryshe bie.

Ç’të themi për Biblën? Aty janë dokumentuar fjalët e një burri besnik që quhej Job. Ai tha për Jehovain: «Tokën e mban varur në asgjë.» (Jobi 26:7) Me siguri, një nocion i tillë do ta kishte nxjerrë absurde idenë e Aristotelit.

Në shekullin e 17-të të e.s., rreth 3.000 vjet pas kohës së Jobit, ishte mjaft e përhapur një teori shkencore që thoshte se universi përbëhej jo nga sfera të kristalta, por nga një lloj lëngu. Megjithatë, në fund të atij shekulli, fizikani Isak Njutoni propozoi një ide krejt ndryshe. Ai tha se forca e rëndesës shkaktonte tërheqje ndërmjet trupave qiellorë. Njutoni kishte bërë një hap përpara drejt kuptueshmërisë se toka dhe trupat e tjerë qiellorë vareshin vërtet në zbrazëti, që njerëzve u dukej si «asgjë».

Teoria e Njutonit për forcën e rëndesës hasi kundërshtim të madh. Shumë nga ata që merreshin me shkencë e kishin ende të vështirë t’i përfytyronin yjet dhe trupat e tjerë qiellorë të rrinin në vend pa u mbajtur nga diçka e ngurtë. Si mund të varej në hapësirë toka jonë masive ose trupat qiellorë? Disave iu duk e mbinatyrshme kjo ide. Që nga kohët e Aristotelit, shumë burra që merreshin me shkencë kishin besuar se hapësira duhej të ishte e mbushur me diçka.

Sigurisht, Jobi s’dinte asgjë për forcat e padukshme që e mbanin tokën në një orbitë të qëndrueshme përreth diellit. Atëherë, çfarë e shtyu të thoshte se planeti ynë varet «në asgjë»?

Për më tepër, koncepti se asgjë s’e mban tokën, ngre një pyetje tjetër: çfarë e mban atë dhe trupat e tjerë qiellorë në orbitat e tyre? Vini re fjalët mahnitëse që Perëndia i drejtoi dikur Jobit: «A i lidh dot ti hallkat e yjësisë Kimah dhe a i zgjidh dot litarët e yjësisë Kesil?» (Jobi 38:31) Jobi i shihte ata grumbuj yjesh të njohur që shfaqeshin dhe zhdukeshin çdo natë gjatë gjithë jetës së tij të gjatë. * Por, pse dukeshin të njëjtë, vit pas viti, de­ka­dë pas dekade? Cilat hallka i mbanin ato yje dhe gjithë trupat e tjerë qiellorë në pozicionet e tyre? Sigurisht, Jobi mbetej gojëhapur kur mendonte për këtë.

Nëse yjet do të ishin të ngjitur pas sferave qiellore, nuk do të ekzistonte nevoja për hallka të tilla. Vetëm 2.000 më vonë, shkencëtarët mësuan më tepër për «hallkat» ose «litarët» e padukshëm që i mbajnë trupat qiellorë të bashkuar në vallëzimin e tyre të gjatë e të ngadaltë, përmes territ hapësinor. Isak Njutoni dhe më vonë Albert Ajnshtajni u bënë të famshëm për zbulimet e tyre në këtë fushë. Sigurisht, Jobi nuk dinte gjë për forcat që Perëndia përdor që t’i grupojë bashkë trupat qiellorë. Prapëseprapë, fjalët e frymëzuara në librin e Jobit i kanë rezistuar kohës shumë më mirë se konceptet e Aristotelit të ditur. Kush tjetër përveç Ligjvënësit do të kishte një kuptueshmëri të tillë?

3. Të përjetshëm apo që prishen?

Aristoteli besonte se ekzistonte një dallim tejet i madh mes qiejve dhe tokës. Ai thoshte se toka mund të ndryshojë, të prishet dhe të shkatërrohet, kurse eteri, që mbush qiejt plot yje, është krejtësisht i pandryshueshëm, i përjetshëm. Sferat e kristalta të Aristotelit dhe trupat qiellorë të ngjitur në to, kurrë nuk mund të ndryshonin, të konsumoheshin ose të shuheshin.

Po Bibla këtë mëson? Te Psalmi 102:25-27 lexojmë: «Shumë kohë më parë, ti hodhe themelet e tokës, dhe qiejt janë vepër e duarve të tua. Ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; dhe ashtu si një rrobë, ata do të treten të tërë. Si një rrobë do t’i zëvendësosh e radha do t’u kalojë. Por ti je gjithnjë po ai, dhe vitet e tua nuk mbarojnë.»

Vini re se ky psalmist, që ndoshta shkruante dy shekuj para kohës së Aristotelit, nuk bën dallim mes tokës dhe qiejve plot yje, sikur toka të ishte e prishshme dhe yjet të përjetshme. Në vend të kësaj, ai thotë se, si qielli edhe toka ndryshojnë nga Perëndia, Personi i fuqishëm frymor që drejtoi krijimin e tyre. * Ky psalm na sugjeron se yjet janë të prishshme si çdo gjë tjetër në tokë. Por çfarë ka zbuluar shkenca moderne?

Shkenca e gjeologjisë mbështet si Biblën, ashtu edhe Aristotelin kur thotë se toka është e prishshme. Në fakt shkëmbinjtë e tokës treten vazhdimisht nëpërmjet erozionit dhe krijohen shkëmbinj të rinj përmes vullkaneve dhe veprimtarive të tjera gjeologjike.

Gjithsesi, ç’të themi për yjet? A kanë natyrë të prishshme siç thotë Bibla, apo të përjetshme, siç mësonte Aristoteli? Në shekullin e 16-të të e.s., astronomët evropianë nisën ta vinin në diskutim konceptin e yjeve të përjetshme që thoshte Aristoteli, kur vëzhguan për herë të parë një supernovë, shpërthimin spektakolar të një ylli. Që nga ajo kohë, shkencëtarët kanë vërejtur se yjet mund të shuhen dhunshëm nga shpërthime të tilla, të digjen ngadalë ose madje të shemben ndër vete. Megjithatë, astronomët kanë vëzhguar edhe yje të reja që formohen në re gazi të pasuruara nga shpërthimet e yjeve të vjetra. Kështu, përshkrimi i shkrimtarit të Biblës për rrobën që tretet dhe zëvendësohet është plotësisht me vend. * Sa gjë e jashtëzakonshme është që ky psalmist i lashtësisë arriti të shkruante fjalë që harmonizohen kaq mirë me zbulimet e kohëve moderne!

Prapëseprapë, ndoshta pyetni veten: «A mëson Bibla se toka ose qiejt plot yje si një e tërë, do të marrin fund ose do të jetë e nevojshme të zëvendësohen një ditë?» Jo, Bibla premton se ato do të zgjatin përjetë. (Psalmi 104:5; 119:90) Jo se krijime të tilla janë me natyrë të përjetshme, por, Perëndia që i krijoi ato, premton t’i mbajë në ekzistencë. (Psalmi 148:4-6) Ai nuk e thotë si e bën këtë, por a nuk është e arsyeshme se Ai që krijoi universin ka edhe fuqi ta mbajë në ekzistencë? Është ashtu siç bën një mjeshtër ndërtimi. Ai mund ta mirëmbajë me dashuri një shtëpi që e ka ndërtuar për vete dhe për familjen e tij.

Kujt i takon lavdia dhe nderimi?

Kur kundrojmë disa ligje të qiejve, kjo hedh shumë dritë mbi këtë pyetje. A nuk mbushemi me nderim kur shqyrtojmë se kush i shpalosi yjet e panumërta nëpër hapësirën e pafund, kush i mban në vend me hallkat e forcës së rëndesës dhe kush i mban në ciklet e tyre të pafundme?

Ndoshta arsyet për një nderim të tillë shprehen më së miri tek Isaia 40:26: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër.» Yjet krahasohen më së miri me një ushtri, e cila mund të përbëhet nga një numër tejet i madh ushtarësh. Pa udhëzimet e komandantit, kjo ushtri s’do të ishte gjë tjetër veçse një turmë në kaos. Pa ligjet e Jehovait, planetët, yjet dhe galaktikat nuk do të ndiqnin shtigje të rregullta; gjithçka do të ishte kaos. Në vend të kësaj, përfytyroni një ushtri me miliarda ushtarë dhe me një komandant, që, jo vetëm urdhëron lëvizjen e trupave të tij, por edhe e njeh çdo ushtar me emër, di vendndodhjen dhe gjendjen e tij.

Ligjet e qiejve na japin një ide fare të vogël të mendjes së pakufishme të këtij Komandanti. Kush tjetër mund t’i projektonte këto ligje dhe të frymëzonte burra të shkruanin me saktësi për tema të tilla shekuj e madje mijëvjeçarë para se shkencëtarët t’i kuptonin ato? Pra, s’ka dyshim se universi na ofron çdo arsye që t’ia japim Jehovait «lavdinë dhe nderimin».​—Zbulesa 4:11.

[Shënimet]

^ par. 11 Është i jashtëzakonshëm fakti që Bibla e quan tokën rruzull ose sferë, siç mund të përkthehet ndryshe fjala hebraike. Aristoteli dhe grekë të tjerë të lashtësisë nxorën teori se toka është sferike, por kjo çështje mbeti objekt debatesh për më se 2.000 vjet.

^ par. 13 Kjo metaforë përdoret herë pas here në Bibël.​—Jobi 9:8; Psalmi 104:2; Isaia 42:5; 44:24; 51:13; Zakaria 12:1.

^ par. 22 ‘Yjësia Kimah’ mund të ishte grupi yjor i Plejadave. ‘Yjësia Kesil’ ndoshta ishte yjësia e Orionit. Duhen dhjetëra mijëra vjet që këta grumbuj yjesh të pësojnë ndonjë ndryshim domethënës.

^ par. 27 Meqenëse Jehovai përdori Birin e tij hyjnor e të vetëmlindur si «kryemjeshtër» që t’i sillte në ekzistencë të gjitha gjërat, vargjet e psalmit mund të zbatohen edhe për Birin.​—Proverbat 8:30, 31; Kolosianëve 1:15-17; Hebrenjve 1:10.

^ par. 29 Në shekullin e 19-të, shkencëtari Uilliam Tomsoni, i njohur edhe si Lord Kelvini, zbuloi ligjin e dytë të termodinamikës që shpjegon pse, me kalimin e kohës, sistemet natyrore priren të prishen ose të shkatërrohen. Një faktor që e frymëzoi për këtë përfundim, ishte studimi i kujdesshëm i Psalmit 102:25-27.

[Kutia dhe figurat në faqet 24, 25]

 Një ndikim tejet i thellë

Një libër thotë: «Aristoteli ishte filozofi dhe shkencëtari më i madh i botës së lashtë.» (The 100​—A Ranking of the Most Influential Persons in History.) Nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë pse bëhen deklarata të tilla për këtë burrë të pazakontë. Aristoteli (384-322 p.e.s.) ishte nxënësi i filozofit të famshëm Platon dhe më vonë arsimoi princin që u bë Aleksandri i Madh. Sipas disa listave të lashta, veprat e shumta të Aristotelit përfshinin rreth 170 libra, 47 prej të cilave kanë mbijetuar. Ai shkroi gjerësisht për astronominë, kiminë, zoologjinë, fizikën, gjeologjinë dhe psikologjinë. Duhej të kalonin shekuj të tërë para se të vrojtoheshin e të studioheshin sërish disa hollësi të vogla që dokumentoi për gjallesat. «Ndikimi i Aristotelit tek i gjithë mentaliteti i mëvonshëm perëndimor ka qenë tejet i madh»,—vëren libri The 100. Gjithsesi, ai shton: «Aristoteli nisi të admirohej kaq shumë, sa në mesjetën e vonshme e konsideronin idhull.»

[Burimet]

Royal Astronomical Society /​Photo Researchers, Inc.

Nga libri A General History for Colleges and High Schools, 1900

[Figura në faqet 26, 27]

Forca e rëndesës i mban trupat qiellorë në vend

[Burimi]

NASA dhe The Hubble Heritage Team (AURA/​STScl)

[Figura në faqet 26, 27]

Grumbulli yjor i Plejadave

[Figura në faqen 28]

Disa yje përfundojnë në supernovë

[Burimi]

ESA/​Hubble

[Figura në faqen 28]

Yje të reja formohen në re gazi

[Burimi]

J. Hester dhe P. Scowen (AZ State Univ.), NASA

[Burimi i figurës në faqen 24]

© Peter Arnold, Inc./​Alamy