Ditë që ngjalli shpresa të mëdha dhe pritje emocionuese
Diplomimi i klasës së 130-të të Galaadit
Ditë që ngjalli shpresa të mëdha dhe pritje emocionuese
PA DYSHIM që diplomimi i klasës së 130-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit ngjalli shpresa dhe krijoi një atmosferë pritjeje. Të shtunën, më 12 mars 2011, u mblodh të ndiqte diplomimin një auditor prej 8.500 vetash, ku përfshiheshin studentët bashkë me familjet dhe miqtë. Po pritnin me padurim jo vetëm për ngjarjet e ditës, por edhe për të ardhmen e misionarëve të stërvitur më së miri, që së shpejti do të dërgoheshin në mbarë botën për t’u mësuar njerëzve të vërtetat biblike.
«Lum ata që presin të veprojë» Jehovai
Ky mendim që të jep zemër, i marrë nga Isaia 30:18, ishte tema e fjalimit të Xhefri Xheksonit, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtues i programit. Me ngrohtësi dhe me pak humor, ai i përgëzoi studentët që u kishin mbijetuar sfidave të kursit të Galaadit dhe i siguroi se kishte gjasa t’i mbijetonin edhe kësaj dite emocionuese. Ç’gjëra realiste mund të pritnin për të ardhmen studentët? Ai trajtoi tri mendime praktike nga Isaia 30:18-21.
Së pari, vëlla Xheksoni tha: «Ju mund të pritni që Jehovai t’jua dëgjojë lutjet.» Ai e drejtoi vëmendjen te siguria që gjendet te vargu 19: «Me të dëgjuar klithmën tënde, [Perëndia] do të të japë hir.» Vëlla Xheksoni nxori në pah se përemri që përdor hebraishtja origjinale në këtë fjali është në njëjës, jo në shumës, dhe tha se Jehovai na i shqyrton lutjet individualisht. «Si Atë që është, Jehovai nuk pyet: ‘Pse s’je aq i fortë sa ai tjetri?’ Përkundrazi, e dëgjon gjithsecilin me vëmendje dhe përgjigjet.»
Së dyti, oratori pranoi se presim probleme: «Jehovai nuk premton se jeta do të shkojë vaj, por do të na ndihmojë.» Siç tregon vargu 20, Perëndia paratha se, kur Izraeli u rrethua, dëshpërimi dhe vuajtjet u bënë si buka e uji. Prapëseprapë, Jehovai ishte gjithnjë gati t’i vinte në ndihmë popullit të tij. Edhe studentët e Galaadit do të hasin probleme e vështirësi, ndonëse jo medoemos ato që presin. Vëlla Xheksoni shtoi: «Por mund të pritni që Jehovai t’ju gjendet pranë në çdo vështirësi.»
Së treti, duke përmendur vargjet 20 dhe 21, vëlla Xheksoni u kujtoi studentëve këtë: «Mund të pritni drejtim; prandaj kërkojeni.» Ai tha se çdo i krishterë sot duhet të dëgjojë me vëmendje ndërsa Jehovai flet përmes faqeve të Biblës dhe botimeve të bazuara në Bibël. Oratori i nxiti me ngrohtësi studentët që të vazhdojnë t’i kushtohen leximit të përditshëm të Biblës, pasi kjo nënkupton jetë.
«Tmerri nga Jehovai qoftë mbi ju!»
Entoni Morisi i Trupit Udhëheqës shpjegoi kuptimin e shprehjes biblike «tmerri nga Jehovai». (2 Kronikave 19:7) Këto fjalë nuk i referohen ndonjë tmerri të sëmurë, por një dëshire të zjarrtë për të bërë atë që është e drejtë, një respekti kaq të zjarrtë e të sinqertë sa të karakterizohet nga dridhma plot ankth. «Merreni me vete këtë lloj tmerri në caktimet misionare»,—i nxiti vëlla Morisi studentët. Si ta tregojnë këtë përnderim për Jehovain? Oratori u përqendrua në dy mënyra praktike.
Pikësëpari, vëlla Morisi i nxiti studentët të zbatojnë këshillën te Jakovi 1:19: ‘Jini të shpejtë në të dëgjuar, mos u nxitoni në të folur.’ Ai vuri në dukje se studentët ishin mbushur plot njohuri gjatë kursit pesëmujor, por duhej të tregonin kujdes të mos shkonin në caktimin e tyre e të fryheshin me gjithçka që kishin mësuar. Ai tha: «Së pari, ju duhet të dëgjoni. Dëgjojeni kongregacionin dhe ata që marrin drejtimin në vendin ku shërbeni. Dëgjoni çfarë thonë për vendin dhe kulturën e tij. Mos ngurroni të thoni: ‘Nuk e di.’ Nëse arsimimi juaj ka qenë i efektshëm, atëherë, sa më shumë të mësoni, aq më tepër do ta kuptoni sa pak dini në të vërtetë.»
Së dyti, vëlla Morisi lexoi Proverbat 27:21: «Kazani i rafinimit është për argjendin dhe furra është për arin, kurse njeriu vihet në provë nga lëvdatat që merr.» Ai shpjegoi se, ashtu si ari dhe argjendi kanë nevojë të rafinohen ose të pastrohen, edhe ne mund të rafinohemi nga lëvdatat. Si ndodh kjo? Lëvdatat mund të vënë në provë karakterin tonë. Mund të na çojnë në krenari dhe të humbim marrëdhënien me Jehovain ose të na nxitin të pranojmë se i jemi borxhli Jehovait dhe të na bëjnë më të vendosur që t’u përmbahemi gjithmonë normave të tij. Kështu, vëlla Morisi i nxiti studentët që të kenë qëndrimin e duhur ndaj çdo lëvdate që marrin—t’i shohin si mundësi për të treguar se kanë ‘tmerrin e duhur nga Jehovai’.
«Çmojeni misionin tuaj»
Gaj Piërsi i Trupit Udhëheqës mbajti fjalimin kyç të programit. Ai trajtoi temën e mësipërme, duke shpjeguar se fjala «misionar» do të thotë «ai që dërgohet me mision». Ai vuri në dukje se nuk çuditemi që ka shumë lloje misionarësh me misione nga më të ndryshmet. Mjaft veta përqendrohen te shërimi fizik dhe kërkojnë zgjidhje te politika për problemet botërore. «Ju jeni ndryshe»,—tha ai. Pse?
Gjatë studimit të Biblës, studentët kishin mësuar shumë gjëra për shërimin fizik. Kur Jezui ringjalli një vajzë të vogël, prindërit «mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh». (Marku 5:42) Në mënyrë të ngjashme, kur të verbrit i shëronin me mrekulli, gëzimi i tyre ishte i pamasë. Një nga arsyet pse u bënë mrekulli të tilla është të na tregojë se çfarë do të realizojë Krishti në botën e re. Në atë kohë, ‘shumica e madhe’ e përbërë nga njerëz të drejtë, të cilët i mbijetojnë fundit të sistemit të lig sot, do të shërohen nga të gjitha sëmundjet fizike. (Zbulesa 7:9, 14) Edhe të dashurit e tyre që do të mirëpriten kur të ringjallen do të jenë të shëndetshëm fizikisht. Përfytyroni ç’gëzim!
Gjithsesi, siç e shpjegoi vëlla Piërsi, shërimi fizik nuk do të jetë kurrë shërimi më i rëndësishëm. Të sëmurët që kuroi Jezui, me kalimin e kohës u sëmurën sërish. Të vdekurit që ringjalli vdiqën përsëri. Madje, edhe të verbrit që shëroi, së fundmi u verbuan prapë, të paktën kur vdiqën. Shumë më i rëndësishëm ishte shërimi frymor që kreu Jezui. Edhe misionarët e Galaadit kanë si mision të shërojnë frymësisht. Ata i ndihmojnë njerëzit të pajtohen me Atin tonë qiellor, në mënyrë që të vijnë në jetë frymësisht. Vetëm ata që shërohen frymësisht do ta arrijnë synimin e jetës së përhershme. Vëlla Piërsi tha: «Është shërimi frymor ai që i sjell lavdi Perëndisë. Ai ju bën të suksesshëm në shërbimin tuaj.»
Tri pika të tjera kryesore të ditës
«A do të jetë ditë e mirë kjo?» Këtë pyetje me vend bëri Robert Reinsi i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara. Ai i nxiti studentët të sigurohen që çdo ditë e caktimit të tyre misionar të jetë ditë e mirë, duke e përdorur me mençuri kohën, duke e drejtuar vëmendjen te Fjala e Perëndisë kur përballen me ankthe dhe duke u mbështetur te Jehovai nëpërmjet lutjes.
«A do ta bëni të vjetrin të ri?» Instruktori i Galaadit Mark Numari bëri këtë pyetje gjatë fjalimit të tij. Ai trajtoi shkrimin e 1 Gjonit 2:7, 8, ku apostulli Gjon përmendi «një urdhërim të vjetër» që ishte edhe «urdhërim i ri». Të dy i referoheshin të njëjtit urdhërim: dishepujt e Krishtit të tregonin ndaj njëri-tjetrit dashuri altruiste me një frymë vetëmohuese. (Gjoni 13:34, 35) Ky urdhërim ishte i vjetër sepse vetë Krishti ua kishte dhënë dishepujve dekada më parë. Por ishte edhe i ri, sepse të krishterët po hasnin vështirësi të reja dhe duhej të tregonin dashuri më të plotë e në mënyra të reja. Edhe misionarët përballen me një sërë rrethanash të reja dhe nevojitet të mësojnë të shfaqin dashuri në mënyra të reja. Cili është çelësi për ta arritur këtë?
«Mos u bëni gjëja që urreni»,—nxiti vëlla Numari. Ai paralajmëroi se, nëse shohim një sjellje që e urrejmë dhe prapëseprapë e imitojmë këtë sjellje, bëhemi gjëja që urrejmë, dhe kjo është vetëshkatërruese. Nga ana tjetër, në rast se u përgjigjemi sfidave të tilla duke gjetur mënyra të reja për të shfaqur dashuri, atëherë lëmë të ndriçojë «drita e vërtetë» dhe e hedhim tej errësirën frymore.
«Mbajeni ngarkesën.» Këtë temë praktike trajtoi një tjetër instruktor i Galaadit, Majkëll Bërneti. Ai foli për afrikanët, të cilët mbartin ngarkesa të rënda mbi kokë. Ata përdorin një kata, një rrobë të vogël të mbështjellë që e vënë mbi kokë. Kjo u jep lehtësim e ekuilibër dhe i ndihmon të ecin tërë hijeshi. Misionarët e Galaadit do të duhet të mbajnë një ngarkesë të rëndë me përgjegjësi kur të shkojnë në caktimet jashtë vendit. Por atyre u është dhënë diçka që mund të krahasohet me një kata: stërvitja e gjerë biblike. Ndërsa zbatojnë gjërat e mësuara, do të arrijnë ta ekuilibrojnë ngarkesën dhe ta mbartin me sukses.
Përvoja dhe intervista
Ata që stërviten në Shkollën e Galaadit dalin edhe në shërbim me kongregacionet vendëse të Dëshmitarëve të Jehovait. Uilliam Samuelsoni, mbikëqyrës i Repartit të Shkollave Teokratike, rishikoi disa përvoja të studentëve dhe mbajti temën «Mos e lër dorën tënde të pushojë». (Eklisiastiu 11:6) Me anë të demonstrimeve të gjalla, studentët treguan si kishin qenë të papërtueshëm në shërbim, si kishin gjetur raste për të predikuar lajmin e mirë në avionë, restorante dhe në pika karburanti. Ata dhanë dëshmi derë më derë, me letra dhe duke bërë biseda joformale. Sigurisht që nuk e lanë dorën e tyre të pushonte dhe patën rezultate të shkëlqyera.
Më pas, Kenet Stovalli, i cili punon në repartin që mbikëqyr Shkollën e Galaadit, intervistoi tre burra me shumë përvojë si misionarë: Beri Hillin që ka shërbyer në Ekuador dhe në Republikën Domenikane, Edi Moblin në Bregun e Fildishtë dhe Tab Hansbërgërin në Senegal, Benin dhe Haiti. Së bashku, zhvilluan bukur temën «Vëreni në provë Jehovain dhe do të korrni bekime». (Malakia 3:10) Për shembull, vëlla Hilli tregoi si ai bashkë me gruan e kishin të vështirë t’i përshtateshin klimës ekuadoriane që varionte nga e nxehtë dhe me pluhur në të nxehtë dhe me baltë. Ai solli ndër mend se për dy vjet e gjysmë, iu desh të laheshin me kova. Por asnjëherë nuk e çuan nëpër mend të largoheshin; mendonin se caktimi i tyre ishte bekim nga Jehovai. Ai tha: «Ishte jeta jonë.»
Në fund të programit, një student lexoi një letër prekëse nga të diplomuarit, ku shprehnin çmueshmëri nga zemra për shkollën. «Besimi ynë ka arritur maja më të larta dhe, prapëseprapë, e dimë se kemi ende punë»,—thoshte letra. Të gjithë studentët morën diplomat dhe u caktuan në një larmi vendesh. Vëlla Xheksoni e përfundoi programin duke i siguruar studentët se mund ta presin ndihmën e Jehovait në jetë, veçanërisht kur të hasin vështirësi. Të gjithë të pranishmit u larguan me shpresa më të mëdha dhe e kishin më të qartë çfarë pritnin. S’ka dyshim se Jehovai do t’i përdorë këta misionarë të rinj që të bëjë shumë të mira.
[Tabela dhe harta në faqen 31]
STATISTIKAT E KLASËS
9 vende të përfaqësuara
34.0 mosha mesatare
18.6 mesatarja e viteve që nga pagëzimi
13.1 mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Të diplomuarit u caktuan në vendet që tregohen më poshtë
VENDET KU U CAKTUAN MISIONARËT
ARGJENTINË
ARMENI
BURKINA-FASO
BURUNDI
KONGO (KINSHASË)
REPUBLIKA ÇEKE
HAITI
HONG-KONG
INDONEZI
KENIA
LITUANI
MALAJZI
MOZAMBIK
NEPAL
PAPUA GUINEJA E RE
RUMANI
SENEGAL
TANZANI
UGANDË
ZIMBABVE
[Figura në faqen 31]
Diplomimi i klasës së 130-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Molina, Z.; Bassolino, S.; Alatsis, C.; Arroyo, A.; Niño, L.; Merkling, S.; Clark, M.
(2) Little, C.; Tibaudo, S.; Jakobsson, S.; Moreno, J.; Rodriguez, A.; Lee, K.; Cárdenas, H.; Aguilar, L.
(3) Clairbush, A.; Polley, A.; Caldwell, S.; Adame, J.; Hildebrandt, S.; Shoemaker, I.; Grohman, N.; Galvez, G.
(4) Clark, J.; Bassolino, A.; Packham, K.; Adame, J.; Knaus, M.; Niño, M.; Moreno, R.; Galvez, J.
(5) Rodriguez, D.; Geynes, M.; Molina, J.; Aguilar, A.; Alatsis, I.; Manno, A.; Grohman, R.; Packham, J.
(6) Geynes, S.; Cárdenas, M.; Arroyo, C.; Manno, C.; Merkling, J.; Lee, H.; Clairbush, X.; Jakobsson, P.
(7) Little, J.; Hildebrandt, B.; Shoemaker, M.; Knaus, K.; Caldwell, J.; Tibaudo, F.; Polley, C.