E vërteta për Harmagedonin
E vërteta për Harmagedonin
«Fryma të demonëve . . . shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës . . . dhe i mblodhën në një vend që hebraisht quhet ‘Armagedon’.» (Kursivi është yni.)—ZBULESA 16:14, 16, Diodati i Ri.
HARMAGEDON, që ndonjëherë shkruhet «Armagedon», është emri i një vendi. Por, cili është kuptimi i vërtetë i fjalës Harmagedon? Pse lidhet kaq shpesh me një ngjarje, siç është lufta?
I mblodhën në një vend që quhet Harmagedon
Termi origjinal në hebraisht Harmagedon fjalë për fjalë do të thotë «Mali i Megidos». Edhe pse ky mal nuk ka ekzistuar vërtet, ka një vend të njohur si Megido. Ai ndodhet në një kryqëzim strategjik në veriperëndim të zonës së banuar nga kombi i lashtë i Izraelit. Afër atij vendi u bënë shumë beteja vendimtare. Prandaj, emri Megido nisi të lidhej me luftën. *
Megjithatë, kuptimi i vërtetë i Megidos nuk lidhet me llojin e betejave që u zhvilluan atje, por me arsyen pse u bënë. Megidoja ishte pjesë e Tokës së Premtuar që Perëndia Jehova ua dha izraelitëve. (Dalja 33:1; Josiu 12:7, 21) Ai iu betua se do t’i mbronte nga armiqtë që i sulmonin, dhe e mbajti fjalën. (Ligji i përtërirë 6:18, 19) Për shembull, pikërisht në Megido Jehovai i mbrojti me anë të një mrekullie izraelitët nga forcat pushtuese të mbretit kananit, Jabinit, dhe të komandantit të ushtrisë së tij, Siserës.—Gjykatësit 4:14-16.
Prandaj, fjala Harmagedon, ose Armagedon ka domethënie simbolike të madhe. Ajo ka të bëjë me një përballje, ku ndeshen dy forca të fuqishme.
Profecia e Zbulesës flet për një kohë në të ardhmen e afërt kur Satanai dhe demonët do t’i nxitin qeveritë njerëzore t’i mbledhin ushtritë e tyre, duke sfiduar kështu në mënyrë provokuese interesat e Perëndisë. Sulmi do t’u marrë jetën miliona njerëzve kur Perëndia të mposhtë pushtuesit.—Zbulesa 19:11-18.
Pse Perëndia, të cilin Bibla e përshkruan si ‘të mëshirshëm, që nuk zemërohet shpejt e plot dashamirësi’, do t’u merrte jetën kaq shumë njerëzve? (Nehemia 9:17) Për të kuptuar veprimet e Perëndisë, duhet t’u përgjigjemi tri pyetjeve: (1) Kush e fillon luftën? (2) Pse përfshihet Perëndia? (3) Ç’ndikim jetëgjatë do të ketë kjo përballje te toka dhe te banorët e saj?
1. KUSH E FILLON LUFTËN?
Lufta e Harmagedonit nuk është shprehje e agresivitetit të Perëndisë. Përkundrazi, ai do t’i mbrojë njerëzit e mirë nga ata që duan t’i shtypin. Agresorët në këtë konflikt janë «mbretërit e mbarë tokës së banuar», udhëheqësit botërorë. Pse sulmojnë? Sepse Satanai do t’i manovrojë me mjeshtëri institucionet qeveritare dhe ushtarake si kukulla në duart e tij, që t’i sulmojnë me të gjitha forcat adhuruesit e Perëndisë Jehova.—Zbulesa 16:13, 14; 19:17, 18.
Duke pasur parasysh theksin që i vihet sot lirisë së fjalës e të fesë në disa vende, ideja se qeveritë do të kufizojnë ose do të përpiqen të shfarosin ndonjë lëvizje fetare, mund të duket e pamundur. Gjithsesi, sulme të tilla ndodhën gjatë shekullit të 20-të dhe po ndodhin ende. * Prapëseprapë, ka të paktën dy ndryshime të mëdha mes sulmeve të mëparshme dhe atij që shoqëron Harmagedonin. Së pari, ky sulm do të bëhet në shkallë globale. Së dyti, Perëndia Jehova do të reagojë me aq forcë, sa kurrë më parë. (Jeremia 25:32, 33) Bibla e përshkruan këtë përballje si ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’.
2. PSE PËRFSHIHET PERËNDIA?
Jehovai i mëson adhuruesit e tij që të jenë paqësorë dhe t’i duan armiqtë. (Mikea 4:1-3; Mateu 5:43, 44; 26:52) Kështu, kur të vijë ky sulm i egër, ata nuk do të marrin armët për t’u mbrojtur. Nëse Perëndia nuk do të ndërhynte për ta shpëtuar popullin e tij, ata do të fshiheshin nga faqja e dheut. Prandaj do të vihet në lojë emri ose reputacioni i Perëndisë Jehova. Nëse agresorët do t’ia dilnin të hiqnin qafe popullin e Tij, Jehovai do të dukej sikur s’ka dashuri, është i padrejtë ose i pafuqishëm. Kjo është e pamundur!—Psalmi 37:28, 29.
Perëndia nuk dëshiron të shkatërrojë asnjë, prandaj na paralajmëron hapur për atë që do të bëjë. (2 Pjetrit 3:9) Me anë të tregimeve të ruajtura në Bibël, ai u kujton gjithë njerëzve se në të kaluarën është hakmarrë kur popullin e tij e kanë sulmuar. (2 Mbretërve 19:35) Gjithashtu Bibla paralajmëron se, në të ardhmen, kur Satanai dhe kukullat e tij njerëzore të sulmojnë popullin e Perëndisë, Jehovai do të ndërhyjë sërish dhe do të përdorë forcën kundër atyre që po kërcënojnë popullin e tij. Në fakt, Fjala e Perëndisë e ka parathënë shumë kohë më parë se Jehovai do të shkatërrojë të ligjtë. (Proverbat 2:21, 22; 2 Selanikasve 1:6-9) Në atë kohë, ata që do të sulmojnë nuk do të kenë asnjë dyshim se po luftojnë kundër Perëndisë së Plotfuqishëm.—Ezekieli 38:21-23.
3. Ç’NDIKIM JETËGJATË DO TË KETË KJO PËRBALLJE?
Lufta e Harmagedonit do të sjellë shpëtimin e miliona vetave. Në fakt, ajo i paraprin një periudhe paqeje në tokë.—Zbulesa 21:3, 4.
Libri i Zbulesës flet për një «shumicë të madhe» të panumërt që do t’i mbijetojë këtij konflikti. (Zbulesa 7:9, 14) Nën udhëheqjen e Perëndisë, këta do të ndihmojnë që toka të kthehet në Parajsë sipas qëllimit fillestar të Jehovait.
A e dimë kur do të ndodhë ky sulm ndaj popullit të Perëndisë?
[Shënimet]
^ par. 5 Lidhja e një vendi me luftën nuk është diçka e pazakontë. Për shembull, qyteti japonez i Hiroshimës, i cili u shfaros nga një bombë atomike, tani është simbol i kërcënimit të luftës bërthamore.
^ par. 12 Holokausti është shembull i orvatjes së një qeverie për të shfarosur grupe fetare dhe etnike. Edhe gjatë epokës sovjetike, grupe fetare brenda BRSS-së u shtypën egërsisht. Shih artikullin «Një popull paqësor mbron emrin e tij të mirë» në Kullën e Rojës të 1 majit 2011, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 6]
Në të kaluarën, Perëndia Jehova i ka shpartalluar armiqtë dhe i ka mbrojtur shërbëtorët e vet
[Figura në faqen 7]
Jehovai do ta mbrojë sërish popullin e tij gjatë luftës së Harmagedonit