Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kesh një të ardhme të suksesshme?

Si të kesh një të ardhme të suksesshme?

Si të kesh një të ardhme të suksesshme?

SI TË arrish një jetë vërtet të suksesshme? Një mënyrë është duke përdorur aftësinë e jashtëzakonshme për të marrë parasysh pasojat e mundshme afatgjata të vendimeve që merr tani.

Është e vërtetë se mund ta kesh të vështirë të marrësh vendime që sjellin mirëqenie të përhershme. Pse? Sepse sot shumë veta duan që dëshirat t’u plotësohen menjëherë. Për shembull, mund ta dish se zbatimi i këshillave biblike të ndihmon të kesh lidhje të forta familjare. (Efesianëve 5:22–6:4) Por, që ta bësh këtë, duhet të kalosh rregullisht kohë me familjen ndërkohë që i reziston presionit për t’u përpirë nga puna e zbavitja. Ashtu si në shumë aspekte të jetës, të duhet të zgjedhësh mes kënaqësive të përkohshme dhe suksesit afatgjatë. Si ta gjesh forcën e duhur për të zgjedhur rrugën e mençur? Shqyrto katër hapat më poshtë.

1. Merri me mend rezultatet e vendimeve

Kur të jesh përballë një vendimi, merri me mend rezultatet në mënyrën më realiste të mundshme. Bibla këshillon: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Nëse i shqyrton me ndershmëri pasojat, ka të ngjarë të mos i hysh një rruge që duket e dëmshme. Nga ana tjetër, kur mendon për dobitë afatgjata të një vendimi të mençur, je më i vendosur ta marrësh atë vendim.

Pyet veten: «Ç’do të sjellë vendimi im pas një viti ose pas 10 a 20 vjetësh? Si do të ndikojë në shëndetin emocional e fizik? Si do të ndikojë te familja dhe te të tjerët që kam për zemër?» Ç’është më e rëndësishmja, pyet veten: «A do t’i pëlqejë Perëndisë vendimi im? Si do të ndikojë te miqësia që kam me të?» Meqë Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, të ndihmon të dallosh çfarë i pëlqen atij dhe të hap sytë ndaj kurtheve që mund të mos i vije re.​—Proverbat 14:12; 2 Timoteut 3:16.

2. Shqyrtoji vetë mundësitë

Në vend që t’i marrin vetë vendimet, mjaft veta thjesht imitojnë ata që kanë përreth. Por një mënyrë e caktuar jetese nuk sjell sukses vetëm ngaqë e zgjedhin të gjithë. Shqyrtoji vetë mundësitë që të ofrohen. Për shembull, të marrim rastin e Natalisë. * Ajo shpjegon: «Doja një martesë të mirë, por e kuptoja se nuk do ta arrija me jetën që bëja. Në universitet të gjithë miqtë e mi ishin të rinj shumë inteligjentë. Megjithatë merrnin vazhdimisht vendime të këqija për jetën e tyre. I ndërronin shpesh të dashurit ose të dashurat. Si ata, edhe unë kisha disa të dashur. Kjo mënyrë jetese më solli shumë dhembje emocionale.»

Natalia filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo thotë: «Mes Dëshmitarëve vura re të rinj të lumtur e martesa të forta. Edhe pse nuk e kisha të lehtë, dalëngadalë i ndryshova normat dhe mënyrën e jetesës.» Cili ishte rezultati? Natalia thotë: «Gjithnjë doja të martohesha me dikë që e admiroja thellësisht. Me kalimin e kohës, u martova me një burrë që ka të njëjtat bindje fetare si unë. Mendoj se Perëndia më ka dhënë një jetë familjare më të mirë se ç’mund ta ëndërroja.»

3. Tregohu largpamës

Gjithashtu, që t’i rezistosh të menduarit afatshkurtër, duhet të kesh një pamje të qartë të së ardhmes që dëshiron dhe një plan si ta arrish. (Proverbat 21:5) Mos mendo vetëm për 70 a 80 vjet, sa jeton në përgjithësi njeriu. Përkundrazi, përfytyroje veten duke gëzuar të ardhmen e përhershme që përshkruan Bibla.

Ajo shpjegon se me anë të flijimit shpërblyes të Krishtit Jezu, Perëndia ka marrë masa që njerëzit të fitojnë jetën e përhershme. (Mateu 20:28; Romakëve 6:23) Perëndia premton se së shpejti do të përmbushet qëllimi i tij fillestar për njerëzimin dhe tokën. Ata që e duan Perëndinë do të kenë mundësinë të gëzojnë jetën përgjithmonë në një tokë të bukur, si dikur. (Psalmi 37:11; Zbulesa 21:3-5) Kjo e ardhme mund të jetë jotja nëse tregohesh largpamës.

4. Puno për synimet

Si ta arrish këtë të ardhme që premtohet? Fillo duke marrë njohuri për Perëndinë. (Gjoni 17:3) Njohuria e saktë biblike do të ta forcojë sigurinë se premtimet e Perëndisë për të ardhmen do të bëhen realitet. Ky besim do të të japë forcën që të bësh ndryshimet e nevojshme për të fituar miratimin e Perëndisë.

Të shohim përvojën e Majkëllit. Ai tregon: «Nisa të abuzoja me drogën e alkoolin kur isha 12 vjeç. Isha pjesë e një grupi gangsterësh dhe s’ma merrte mendja t’i arrija të 30-at. Ngaqë isha i zemëruar e i zhgënjyer, tentova shumë herë të vritja veten. Shpresoja që jeta të më ofronte diçka më tepër, por s’arrija ta gjeja.» Kur Majkëlli ishte në shkollë të mesme, një gangster i grupit nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Majkëlli pranoi të bënte njësoj.

Ajo që mësoi në Bibël ia ndryshoi pikëpamjen për të ardhmen. Ai thotë: «Mësova se në të ardhmen toka do të rikthehet në parajsë dhe njerëzit do të jetojnë në paqe, pa ankth. Nisa ta shihja këtë si të ardhmen time. Vura synim të kisha miqësi të ngushtë me Jehovain. Megjithatë kisha të tatëpjetat e të përpjetat e mia. Edhe pasi nisa studimin e Biblës, u deha ca herë. Gjithashtu, një herë shkova me një vajzë.»

Si arriti Majkëlli t’i kapërcente dështimet dhe ta ndryshonte drejtimin në jetë me sukses? Ai thotë: «Mësuesi im i Biblës më nxiste ta lexoja përditë Biblën dhe të shoqërohesha me të tjerë që donin t’i pëlqenin Perëndisë. E kuptova se shokët gangsterë ndikonin ende tek unë. Ndonëse i kisha si familje, i preva lidhjet me ta.»

Majkëlli vuri synime afatshkurtra dhe përparësi që e ndihmuan të arrinte synimin më të madh, pra të jetonte sipas parimeve të Perëndisë. Edhe ti mund të bësh njësoj. Shkruaj synimin afatgjatë dhe hapat që do të të ndihmojnë ta arrish. Thuaja synimet atyre që do të të mbështetin dhe ftoji të të ndihmojnë që të kujdesesh vazhdimisht për përparimin tënd.

Merr njohuri për Perëndinë dhe zbatoje drejtimin e Tij në jetë; mos e shty për më vonë. Tani merri hapat që ta rritësh dashurinë për Perëndinë dhe për Fjalën e tij, Biblën. Kur përshkruan atë që zbaton parimet e Biblës, Fjala e Perëndisë thotë: «I shkon mbarë çdo gjë që bën.»​—Psalmi 1:1-3.

[Shënimi]

^ par. 8 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.