Respekt dhe dinjitet nën kujdesin e Perëndisë
KUR ishte në tokë, Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij qiellor dhe mënyrën e tij të të vepruarit. Ai tha: «Nuk bëj asgjë me nismën time, por i them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati. . . . Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:28, 29; Kolosianëve 1:15) Kështu, duke parë si sillej Jezui me gratë dhe çfarë qëndrimi kishte ndaj tyre, mund të kuptojmë pikëpamjen e Perëndisë për to dhe si dëshiron që të trajtohen.
Bazuar në dokumentimet e tregimeve të ungjijve, disa studiues e kanë pranuar se pikëpamja e Jezuit për gratë ndryshonte kryekëput nga mentaliteti i asaj kohe. Si ndryshonte? Dhe ç’është më e rëndësishmja, a i japin ende mësimet e tij më tepër liri grave sot?
Si i trajtonte Jezui gratë?
Jezui nuk mendonte se gratë ishin thjesht objekte seksuale. Sipas disa udhëheqësve fetarë judenj, duhej shmangur çdo kontakt me ata të seksit tjetër, pasi kjo mund të çonte vetëm në epsh. Meqë gratë shiheshin si burim tundimi, nuk lejohej t’u flitnin në publik burrave ose të dilnin pa mbuluar kokën. Nga ana tjetër, Jezui i këshilloi burrat t’i mbanin nën kontroll dëshirat mishore e t’i trajtonin gratë me dinjitet, në vend që t’i izolonin nga shoqëria.—Mateu 5:28.
Gjithashtu, Jezui tha: «Kush e ndan gruan e tij dhe merr një tjetër, bën tradhti bashkëshortore kundër gruas.» (Marku 10:11, 12, Bibla ECM) Kështu, ai e hodhi poshtë mësimin mbizotërues rabinik që i lejonte burrat t’i divorconin gratë «për çdo lloj arsyeje». (Mateu 19:3, 9) Tradhtia bashkëshortore kundër gruas ishte koncept i panjohur për shumicën e judenjve. Rabinët mësonin se një burrë kurrë nuk konsiderohej sikur të kishte kryer tradhti bashkëshortore kundër gruas—vetëm gruaja mund të tregohej jobesnike. Për këtë, një vepër komentuese biblike thotë: «Duke e vënë burrin nën të njëjtin detyrim moral me gruan, Jezui e ngriti pozitën dhe dinjitetin e gruas.»
Si ndikojnë sot mësimet e tij? Në kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait, gratë shoqërohen lirisht me burrat në mbledhje. Megjithatë nuk kanë pse të frikësohen se mos burrat e krishterë i vështrojnë në mënyrë të pahijshme a se mos krijojnë familjaritet të pavend, sepse ata bëjnë kujdes t’i trajtojnë «më të moshuarat si nëna, më të rejat si motra, me plot dëlirësi».—1 Timoteut 5:2.
Jezui gjente kohë që t’i mësonte gratë. Në kontrast me pikëpamjen mbizotëruese rabinike që i mbante në padije gratë, Jezui i mësonte dhe i nxiste të shpreheshin. Marisë i pëlqente ta mësonin dhe Jezui nuk ia hoqi këtë mundësi. Kështu tregoi se vendi i gruas nuk është vetëm në kuzhinë. (Luka 10:38-42) Edhe motra e Marisë, Marta, nxori dobi nga mësimet e Jezuit, siç e tregojnë përgjigjet inteligjente që i dha atij pas vdekjes së Lazarit.—Gjoni 11:21-27.
Jezuit i interesonte mendimi i grave. Në atë kohë, shumica e grave judeje besonin se çelësi i lumturisë ishte të kishin një djalë për së mbari, mundësisht profet. Kur një grua tha me zë të lartë: «Lum barku që të mbajti!», Jezui shfrytëzoi rastin që t’i fliste për diçka më të mirë. (Luka 11:27, 28) Ai ia drejtoi vëmendjen te bindja ndaj Perëndisë, diçka më e rëndësishme se roli tradicional që u ishte imponuar grave.—Gjoni 8:32.
Si ndikojnë sot mësimet e tij? Mësuesit në kongregacionin e krishterë i mirëpresin komentet e grave në mbledhjet e kongregacionit. Ngaqë gratë e pjekura janë «mësuese të së mirës», qoftë kur janë vetëm, qoftë kur janë me të tjerët, fitojnë respektin e mësuesve në kongregacion. (Titit 2:3) Po ashtu, ata mbështeten te këto gra për të shpallur publikisht lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Psalmi 68:11; shih kutinë «A i ndaloi apostulli Pavël gratë të flitnin?», faqja 9.
Jezui kujdesej për gratë. Në kohët biblike, vajzat nuk vlerësoheshin aq sa djemtë. Talmudi e pasqyron këtë pikëpamje me fjalët: «Lum ai që ka bij dhe mjerë ai që ka bija.» Disa prindër e shihnin vajzën si barrë më të rëndë—do t’u duhej t’i gjenin bashkëshort e t’i jepnin pajë, si dhe nuk do të mund të mbështeteshin tek ajo kur të ishin në moshë të shkuar.
Jezui tregoi se jeta e një vajze të vogël është po aq e rëndësishme sa ajo e një djali—ai e ringjalli bijën e Jairit, njësoj siç bëri me birin e vejushës nga Naini. (Marku 5:35, 41, 42; Luka 7:11-15) Pasi shëroi një grua që e trazonte ‘një demon prej tetëmbëdhjetë vjetësh’, Jezui e quajti atë ‘bijë të Abrahamit’, shprehje thuajse e panjohur në shkrimet judaike. (Luka 13:10-16) Duke përdorur këtë shprehje plot respekt dhe dashamirësi, e konsideroi jo vetëm si pjesëtare të shoqërisë me të drejta të plota, por edhe pranoi besimin e saj të madh.—Luka 19:9; Galatasve 3:7.
Si ndikojnë sot mësimet e tij? Një shprehje aziatike thotë: «Të rritësh një vajzë, është si të ujitësh kopshtin e komshiut.» Pa u ndikuar fare nga ky mentalitet, baballarët e dashur të krishterë kujdesen mirë për bijtë dhe bijat, pa bërë dallime mes tyre. Prindërit e krishterë sigurohen që të gjithë fëmijët e tyre të marrin arsimimin dhe kujdesin e duhur shëndetësor.
Jezui u besonte grave. Në gjykatat judaike, dëshmia e një gruaje konsiderohej e barabartë vetëm me atë të një skllavi. Jozef Flavi, historian i shekullit të parë, këshilloi: «Të mos pranohet asnjë dëshmi nga gratë, sepse nga natyra janë të pavendosura dhe kokëkrisura.»
Krejt ndryshe nga kjo, Jezui zgjodhi gra që të dëshmonin për ringjalljen e tij. (Mateu 28:1, 8-10) Edhe pse këto gra besnike kishin qenë dëshmitare okulare të ekzekutimit dhe të varrosjes së Zotërisë së tyre, apostujt e kishin të vështirë t’u besonin fjalëve të grave. (Mateu 27:55, 56, 61; Luka 24:10, 11) Sidoqoftë, duke iu shfaqur së pari grave, Krishti i ringjallur i konsideroi të denja për të dhënë dëshmi, si dishepujt e tjerë.—Veprat 1:8, 14.
Si ndikojnë sot mësimet e tij? Në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, burrat me përgjegjësi tregojnë konsideratë për gratë duke ua marrë parasysh mendimet. Sa për bashkëshortët e krishterë, ata ‘i nderojnë’ gratë e tyre duke i dëgjuar me kujdes.—1 Pjetrit 3:7; Zanafilla 21:12.
Parimet biblike i kontribuojnë lumturisë së grave
Kur burrat imitojnë Krishtin, grave u jepet respekti dhe liria që Perëndia kishte si qëllim për to në fillim. (Zanafilla 1:27, 28) Në vend që të mbështetin superioritetin e meshkujve, bashkëshortët e krishterë udhëhiqen nga parimet biblike, të cilat i kontribuojnë lumturisë së grave të tyre.—Efesianëve 5:28, 29.
Kur Jelena nisi të studionte Biblën, vuante në heshtje ngaqë i shoqi e keqtrajtonte. Ai ishte rritur në një ambient të dhunshëm ku abuzimi fizik dhe martesat me rrëmbim ishin të zakonshme. Jelena thotë: «Ajo që mësova nga Bibla më dha forcë. E kuptova se ishte dikush që më donte shumë, më çmonte e interesohej për mua. Gjithashtu kuptova se, nëse im shoq do të studionte Biblën, do të ndryshonte qëndrim ndaj meje.» Ëndrra e saj u bë realitet kur më në fund i shoqi pranoi të studionte Biblën dhe u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait. Jelena tregon: «Ai u bë shembull vetëkontrolli e vetëpërmbajtjeje. Mësuam ta falnim lirisht njëri-tjetrin.» Në ç’përfundim arriti Jelena? Ajo thotë: «Parimet biblike më kanë ndihmuar vërtet që në martesë ta ndiej se burri ka nevojë për mua dhe se më mbron.»—Kolosianëve 3:13, 18, 19.
Përvoja e Jelenës nuk është unike. Miliona gra të krishtere janë të lumtura sepse bashkë me burrat përpiqen fort të zbatojnë parimet biblike në martesë. Ato gëzojnë respekt, liri dhe gjejnë ngushëllim në shoqëri me të bashkëkrishterët.—Gjoni 13:34, 35.
Të krishterët e pranojnë se, si burrat e gratë i janë «nënshtruar kotësisë», prandaj nuk janë të aftë të çlirohen nga mëkati dhe papërsosmëria. Gjithsesi, duke iu afruar Jehovait, Perëndisë dhe Atit të tyre të dashur, kanë shpresën ‘të lirohen nga skllavëria e prishjes’ dhe të kenë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». Sa shpresë të mrekullueshme që kanë si burrat e gratë nën kujdesin e Perëndisë!—Romakëve 8:20, 21.