Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet ta pyesim Perëndinë?

A duhet ta pyesim Perëndinë?

DISA thonë se është e gabuar të pyesim Perëndinë. Mund t’u duket sikur është mungesë respekti të pyesim pse Perëndia lejon ose nuk lejon të ndodhin disa gjëra. A mendon edhe ti kështu?

Nëse po, mbase habitesh po të marrësh vesh se shumë njerëz të mirë e kanë pyetur Perëndinë. Ja disa shembuj të pyetjeve që i kanë bërë:

Jobi besnik: «Pse, pra, të ligjtë rrojnë, plaken dhe vënë një mal me pasuri?»​Jobi 21:7.

Profeti besnik Habakuk: «Përse i shikon ata që veprojnë pabesisht dhe hesht kur i ligu përpin dikë që është më i drejtë se ai?»​Habakuku 1:13.

Jezu Krishti: «Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?»​Mateu 27:46.

Po të lexosh vargjet e tjera përreth këtyre citimeve, nuk do të vëresh asgjë që tregon se Perëndia Jehova * u fye kur i bënë këto pyetje të sinqerta. Vërtet, qëndrimi i tij tolerant s’na habit. Për shembull, Perëndia nuk fyhet kur i kërkojmë të na plotësojë nevojat fizike bazë që të kemi trup të shëndetshëm. Ai na i plotëson me kënaqësi këto kërkesa. (Mateu 6:11, 33) Po ashtu, na jep me gatishmëri informacionin e nevojshëm që na ndihmon të jemi të shëndetshëm mendërisht dhe emocionalisht. (Filipianëve 4:6, 7) Në fakt, Jezui u tha dishepujve: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.» (Mateu 7:7) Nga konteksti i këtij premtimi kuptojmë se, sipas Jezuit, mund të marrim jo vetëm gjëra materiale, por edhe përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme.

Po të të jepej mundësia, cilën nga pyetjet e mëposhtme do të doje t’i bëje Perëndisë?

  • A ka ndonjë qëllim jeta ime?

  • Çfarë do të më ndodhë pas vdekjes?

  • Pse lejon që të vuaj?

Meqë «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia», do t’i gjesh përgjigjet e Perëndisë në Fjalën e tij, Biblën. (2 Timoteut 3:16) Shqyrto se çfarë i ka nxitur disa veta të bëjnë pyetjet e mësipërme dhe se ç’përgjigje jep Bibla.

^ par. 7 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.