Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE: RINGJALLJA E JEZUIT​—Ç’DOMETHËNIE KA PËR TY?

Ringjallja e Jezuit—A ndodhi vërtet?

Ringjallja e Jezuit—A ndodhi vërtet?

HERODOTI, një historian grek që jetoi 2.500 vjet më parë, tregoi një histori për egjiptianët e kohës së tij. Ai shkroi: «Në banketet e të pasurve, pas darke, një burrë mban me vete një shëmbëlltyrë druri të një kufome në arkivol, të lyer e të gdhendur sipas një imitimi të saktë, e cila ishte një ose dy kute e gjatë [gjysmë metri deri në një metër e gjatë]. Këtë ua tregon gjithë të pranishmëve dhe u thotë: ‘Pini e gëzoni, por shiheni mirë këtë, sepse kështu do të bëheni kur të vdisni.’»

Këtë qëndrim për jetën dhe vdekjen nuk e kishin vetëm egjiptianët. Sot, «të hamë, të pimë e të gëzojmë» është bërë një shprehje klishe. Nëse jeta mbaron me vdekjen, pse të mos e shijosh në maksimum? Dhe pse t’u përmbahesh vlerave të larta? Në qoftë se vdekja i jep fund gjithçkaje, të jetosh për të tashmen ka absolutisht kuptim. Edhe apostulli Pavël foli për këtë. Ai përshkroi qëndrimin e njerëzve që s’besojnë te ringjallja, me fjalët: «Nëse të vdekurit nuk do të ngrihen, ‘le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim’.»—1 Korintasve 15:32.

Sigurisht, vetë Pavli nuk e besonte se të vdekurit do të harroheshin përgjithmonë. Ai ishte i bindur se ata mund të jetonin sërish me shpresën për të mos vdekur më kurrë. Kjo bindje bazohej te një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme, vërtetësinë e së cilës e konsideronte të padiskutueshme—ringjallja * e Krishtit Jezu. Në fakt, ajo ringjallje ishte ngjarja më e rëndësishme që ua forcoi besimin dishepujve të hershëm.

Por, ç’domethënie ka për ne ringjallja e Jezuit? Madje, nga e dimë se ka ndodhur vërtet? Le të shohim si arsyetoi Pavli për këto çështje kur u shkroi të krishterëve që jetonin në Korint.

PO SIKUR KRISHTI TË MOS JETË NGRITUR?

Disa të krishterë në Korintin e lashtë ishin të pështjelluar për këtë çështje, kurse të tjerë nuk besonin fare në ringjalljen e mirëfilltë. Në letrën e parë që u drejtoi të krishterëve atje, apostulli radhiti pasojat që do të vinin, në rast se ringjallja nuk do të ishte realitet. Ai shkroi: «Nëse në të vërtetë nuk ka ringjallje të të vdekurve, atëherë as Krishti nuk është ngritur. Por, nëse Krishti nuk është ngritur, predikimi ynë është me siguri i kotë, e po kështu dhe besimi ynë është i kotë. Për më tepër, dalim edhe dëshmitarë të rremë për Perëndinë. . . . Besimi juaj është i kotë dhe jeni akoma në mëkatet tuaja. . . . Edhe ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes në unitet me Krishtin, kanë marrë fund.»—1 Korintasve 15:13-18.

«Iu shfaq njëherësh më shumë se pesëqind vëllezërve. . . . Pas kësaj, ai iu shfaq Jakovit, pastaj gjithë apostujve, por të fundit nga të gjithë, m’u shfaq edhe mua.»​—1 Korintasve 15:6-8

Pavli filloi me një pohim që vështirë të vihet në diskutim: nëse të vdekurit nuk do të ngrihen, atëherë Krishti, i cili vdiq, nuk mund të jetë ngritur në jetë. Ta zëmë se Krishti nuk u ngrit, cili do të ishte rezultati? Atëherë, predikimi i lajmit të mirë do të ishte i kotë, një gënjeshtër e madhe. Në fund të fundit, ringjallja e Krishtit ishte element kyç i besimit të krishterë, pasi lidhej pandashmërisht me disa nga mësimet më themelore biblike për sovranitetin e Perëndisë, për emrin e tij, për Mbretërinë e tij dhe për shpëtimin tonë. Nëse ringjallja nuk do të kishte ndodhur, mesazhi që shpalli Pavli dhe apostujt e tjerë do të përmbante vetëm fjalë boshe e të pavlera.

Do të kishte edhe pasoja të tjera. Nëse Krishti nuk u ngrit nga të vdekurit, besimi i krishterë do të ishte i kotë, bosh, i bazuar në një gënjeshtër. Për më tepër, Pavli dhe të tjerët do të kishin folur në mënyrë të rreme jo vetëm për ringjalljen e Jezuit, por edhe për atë që thanë se e ringjalli, për Perëndinë Jehova. Përveç kësaj, edhe pohimi se Krishti kishte ‘vdekur për mëkatet tona’, nuk do të ishte i vërtetë—sepse, po të mos e shpëtonin nga vdekja Shpëtimtarin, as ai vetë nuk kishte si t’i shpëtonte të tjerët. (1 Korintasve 15:3) Kjo do të nënkuptonte se të krishterët që kishin vdekur, në disa raste si martirë, kishin marrë fund me shpresën e rreme se do të ringjalleshin.

Pavli nxori përfundimin: «Nëse kemi shpresuar te Krishti vetëm në këtë jetë, ndër të gjithë njerëzit, ne jemi më të mjerët.» (1 Korintasve 15:19) Si të krishterë të tjerë, edhe Pavli pësoi humbje, përjetoi përndjekje, duroi vështirësi dhe u përball me vdekjen ngaqë besonte te ringjallja dhe te gjithçka që do të mundësonte ajo. Sa të kota do të ishin këto, nëse ringjallja s’do të ishte gjë tjetër veçse gënjeshtër!

PSE DUHET TË BESOSH?

Pavli nuk mendonte se besimi i të krishterëve bazohej në një gënjeshtër. Ai e dinte se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit dhe i përmblodhi dëshmitë për korintasit, duke thënë «se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros, po, se sipas Shkrimeve, u ngrit ditën e tretë nga të vdekurit, se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve». * Më tej, Pavli shton: «Pas kësaj, iu shfaq njëherësh më shumë se pesëqind vëllezërve, pjesa më e madhe e të cilëve rrojnë deri më tani, por disa kanë rënë në gjumin e vdekjes. Pas kësaj, ai iu shfaq Jakovit, pastaj gjithë apostujve, por të fundit nga të gjithë, m’u shfaq edhe mua.»—1 Korintasve 15:3-8.

Pavli filloi me pohimin e sigurt se Krishti vdiq për mëkatet tona, se u varros dhe u ringjall. Pse ishte kaq i bindur për këtë Pavli? Një arsye ishte dëshmia e shumë dëshmitarëve okularë. Jezui i ringjallur iu shfaq individëve (ku përfshihej edhe vetë Pavli), grupeve të vogla e madje një turme prej 500 vetash, mjaft prej të cilëve patjetër që kishin qenë skeptikë për lajmin se Jezui ishte ringjallur. (Luka 24:1-11) Shumica e dëshmitarëve okularë ishin ende gjallë në ditët e Pavlit dhe kushdo mund të konsultohej me ta që të konfirmonte rastet e shfaqjes së Jezuit. (1 Korintasve 15:6) Ndoshta dëshminë e një a dy dëshmitarëve ishte kollaj ta hidhje poshtë, por jo dëshminë e 500 a më tepër dëshmitarëve okularë.

Gjithashtu, mbaj parasysh që Pavli përmendi dy herë se vdekja, varrosja dhe ringjallja e Jezuit ishin «sipas Shkrimeve». Ato ngjarje provuan se profecitë për Mesinë në Shkrimet Hebraike ishin përmbushur, duke vërtetuar kështu se Jezui ishte pa pikë dyshimi Mesia i premtuar.

Pavarësisht nga dëshmia e dëshmitarëve okularë dhe e Shkrimeve, kishte dhe ka ende nga ata që dyshojnë se Jezui u ngrit nga të vdekurit. Disa thonë se trupin e tij e vodhën dishepujt e vet, të cilët më pas pretenduan se ishin dëshmitarë të ringjalljes. Sidoqoftë, dishepujt nuk kishin autoritet mbi rojat romake që ishin vendosur në hyrje të varrit, dhe as mund të ndikonin në ndonjë mënyrë tek ata. Të tjerë pohojnë se rastet e shfaqjes pas ringjalljes së Jezuit ishin thjesht iluzione. Këtë teori e kundërshton fakti që Jezui iu shfaq shumë njerëzve në raste të ndryshme. Gjithashtu, a është e arsyeshme të besojmë se një iluzion do të gatuante e të shërbente peshq, siç bëri Jezui i ringjallur në Galile? (Gjoni 21:9-14) A do t’i ftonte vëzhguesit një iluzion në formë njeriu që ta preknin?—Luka 24:36-39.

Të tjerë akoma hedhin akuzën se ringjallja ishte një gënjeshtër e sajuar nga dishepujt. Por ç’dobi do të sillte kjo? Ngaqë jepnin dëshmi për ringjalljen, dishepujt mund të hasnin tallje, vuajtje, si edhe mund të vdisnin. E pse do të rrezikonin kaq shumë që të mbështetnin thjesht një gënjeshtër? Për më tepër, së pari ata dhanë dëshmi në Jerusalem, tamam para syve të kundërshtarëve që ishin gati të shfrytëzonin çdo justifikim për t’i dënuar.

Ishte pikërisht ringjallja ajo që u dha dishepujve guxim që të dëshmonin për Zotërinë e tyre, edhe përballë përndjekjes më të egër. Fakti i ringjalljes u bë pjesë qendrore e besimit të krishterë. Të krishterët e hershëm nuk e rrezikuan jetën thjesht që të jepnin dëshmi për një mësues të mençur që e vranë. Ata rrezikuan jetën që të shpallnin ringjalljen e Jezuit, pasi vërtetonte se ai ishte Krishti, Biri i Perëndisë, një person i fuqishëm e real që i mbështeti dhe i udhëhoqi. Ringjallja e tij nënkuptonte se edhe ata do të ngriheshin nga të vdekurit. Vërtet, nëse Jezui nuk do të ishte ngritur nga të vdekurit, Krishterimi s’do të ekzistonte. Madje, në qoftë se Jezui nuk do të ishte ringjallur, ndoshta as do të kishim dëgjuar ndonjëherë për të.

Por, ç’domethënie ka për ne sot ringjallja e Jezuit?

^ par. 5 Në Bibël, fjala greke e përkthyer «ringjallje» fjalë për fjalë do të thotë «të ngrihesh sërish». Ajo nënkupton se dikush kthehet në jetë, me identitetin, personalitetin dhe kujtimet unike të tij a të saj.

^ par. 13 ‘Të dymbëdhjetët’ është një emër tjetër për ‘apostujt’, ndonëse për njëfarë kohe pas vdekjes së Judë Iskariotit ishin vetëm 11. Në një nga rastet kur u shfaq Jezui, maksimumi vetëm 10 prej tyre mund të kenë përfaqësuar të 12-t, pasi Thomai mungonte.—Gjoni 20:24.