Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE: PSE KAQ SHUMË VUAJTJE? KUR DO TË MARRIN FUND?

Sa jetë të pafajshme janë shkatërruar!

Sa jetë të pafajshme janë shkatërruar!

Noela ishte fëmijë shumë i dashur dhe i pëlqente të vizatonte. Një mbrëmje vere, po luante te oborri pas shtëpisë, kur papritur ra në pishinë. U mbyt vetëm dy javë para se të mbushte katër vjeçe.

Sharlotë, Daniel, Olivia, Jozefinë . . . Këta janë emrat e disa prej 20 viktimave gjashtë ose shtatë-vjeçarë, të cilët ishin mes 26 të vrarëve në një shkollë në Kënektikat, SHBA, më 14 dhjetor 2012. Në funeral, presidenti Obama përmendi emrat e fëmijëve dhe i tha auditorit të pikëlluar: «Këto tragjedi duhet të marrin fund.»

Bano 18-vjeçare ishte larguar nga Iraku në vitin 1996 dhe ishte transferuar me familjen në Norvegji. Miqtë e thërritnin Rrezearta. Por mjerisht, më 22 korrik 2011, Bano ishte një nga 77 viktimat, jeta e të cilëve u pre në mes nga një ekstremist i cili u mburr: «Kërkoj falje . . . që nuk arrita të vrisja më shumë.»

Histori të tilla që ta copëtojnë zemrën, dëgjohen shpesh në mbarë botën. Mendo pak për pikëllimin dhe dhembjen që kanë sjellë aksidentet, krimet, luftërat, terrorizmi, katastrofat natyrore dhe tragjedi të tjera. Sa shumë jetë të shuara dhe sa shumë vuajtje, shpesh pa ndonjë arsye të vlefshme!

Disa ia hedhin fajin Perëndisë dhe arsyetojnë se Krijuesi ynë nuk do t’ia dijë për familjen njerëzore. Të tjerë nxjerrin përfundimin se Perëndia i sheh vuajtjet tona, por thjesht zgjedh të mos ndërhyjë. Kurse të tjerë thonë se tragjedi të tilla janë të paracaktuara. Duket se opinionet për këtë temë nuk kanë të sosur. Ku mund të gjejmë përgjigje të besueshme e të kënaqshme? Në artikujt pasardhës, do të shohim në Fjalën e Perëndisë, në Bibël, se çfarë i shkakton vuajtjet dhe si do të marrin fund.