Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 JETËSHKRIM

Të varfër materialisht, por të pasur frymësisht

Të varfër materialisht, por të pasur frymësisht

Gjyshi dhe babai jetuan në një shtëpi të pambaruar në Kotjuzhani, një fshat bujqësor në veri të Moldavisë së sotme. Aty linda edhe unë në dhjetor të 1939-s. Në fillim të viteve 30, ata ishin bërë Dëshmitarë të Jehovait. Pasi kuptoi që gjyshi e njihte Biblën më mirë se prifti i fshatit, edhe mamaja u bë Dëshmitare.

Kur isha tre vjeç, babanë, xhaxhanë dhe gjyshin i internuan në kampet e punës për shkak të asnjanësisë së krishterë që treguan. Vetëm babai mbijetoi. Më 1947, pas Luftës II Botërore, u kthye me probleme në shtyllën kurrizore. Me gjithë problemet fizike, qëndroi i fortë në besim.

NDRYSHIME DRAMATIKE NË JETËN TONË

Kur isha nëntë vjeç, familjen tonë bashkë me qindra Dëshmitarë të tjerë moldavianë na internuan në Siberi. Më 6 korrik 1949, na futën si bagëti në vagonë bagëtish. Pas 12 ditësh udhëtim pa ndërprerje prej më tepër se 6.400 kilometrash, ndaluam në stacionin hekurudhor në Lebjazhe. Policia po na priste. Na ndanë në grupe të vogla dhe na shpërndanë menjëherë në të gjithë zonën. Grupin tonë e strehuan në një shkollë të vogël të braktisur. Ishim të rraskapitur dhe të dëshpëruar. Një motër e moshuar filloi të këndonte nën zë një melodi të kompozuar nga Dëshmitarët e Jehovait gjatë Luftës II Botërore. Pas pak, të gjithë filluan të këndonin me gjithë zemër me të:

«Shumë vëllezër larg i internuan.

Në veri e në lindje i çuan.

Se bënin veprën e Perëndisë, i dënuan dhe në sprova të rënda qëndruan.»

Me kalimin e kohës mundëm të ndiqnim mbledhjet biblike çdo të diel në një shtëpi rreth 13 kilometra larg shtëpisë sonë. Shpesh, në dimër, niseshim herët në mëngjes pa zbardhur dita dhe çanim përmes borës që na arrinte deri në mes, në temperatura -40°C. Ishim 50 veta a më shumë që ngjisheshim në një dhomë 19 metra katrorë. I fillonim mbledhjet duke kënduar një, dy a tri këngë. Bënim një lutje me gjithë zemër dhe diskutonim për pyetje biblike. Kjo vazhdonte për rreth një orë. Këndonim përsëri dhe pastaj trajtonim pyetje të tjera. Sa besimforcuese ishte ajo kohë!

SFIDA TË REJA

Në stacionin hekurudhor të Xhankoit aty nga viti 1974

Aty nga viti 1960, Dëshmitarëve të internuar iu dha më tepër liri. Megjithëse ishim të varfër, munda të shkoja në Moldavi. Atje takova Ninën, e cila i kishte Dëshmitarë prindërit dhe gjyshërit. Pas pak kohësh u martuam dhe shkuam për të jetuar në Siberi, ku më 1964 na lindi vajza, Dina, dhe më 1966 djali, Viktori. Dy vjet më vonë, u transferuam në Ukrainë dhe morëm një shtëpi të vogël në Xhankoi, qytet rreth 160 kilometra larg Jaltës, në gadishullin e Krimesë.

 Në Krimé, Dëshmitarët e Jehovait ishin të ndaluar të kryenin aktivitetet e tyre, ashtu si edhe në gjithë Bashkimin Sovjetik. Por ndalimi dhe përndjekja te ne nuk ishin shumë të ashpra. Prandaj disa Dëshmitarë zhvilluan një frymë vetëkënaqësie. Arsyetonin se, pasi kishin vuajtur aq shumë në Siberi, tani nuk kishte asgjë të keqe të punonin fort për të arritur njëfarë rehatie materiale.

NDRYSHIME EMOCIONUESE

Më 27 mars të vitit 1991, veprimtaria jonë në gjithë ish-Bashkimin Sovjetik, u njoh ligjërisht. Menjëherë u planifikua të mbaheshin shtatë kongrese speciale 2-ditore në të gjithë vendin. Ne do të shkonim në kongresin që do të fillonte më 24 gusht në Odesë, Ukrainë. Shkova një muaj përpara që të ndihmoja me përgatitjen e një stadiumi të madh futbolli për kongresin.

Ngaqë punonim deri natën vonë, shpesh flinim në karriget e stadiumit. Shumë skuadra me Dëshmitare pastruan parkun përreth stadiumit. Nxorëm rreth 70 tonë mbeturina. Ata që punonin në repartin e strehimit s’lanë vend në qytet pa kërkuar derisa gjetën strehim për 15.000 delegatët që priteshin të vinin. Por papritur, morëm një lajm tronditës.

Më 19 gusht, vetëm pesë ditë para kongresit, u arrestua Mihail Gorbaçovi, presidenti i atëhershëm i BRSS-së, kur ishte me pushime afër Jaltës. Miratimi për kongresin u anulua. Delegatët filluan të merrnin në telefon zyrën e kongresit dhe pyesnin: «Ç’të bëjmë me prenotimet e autobusëve e të trenave?» Pas shumë lutjesh të zjarrta, ata që ishin përgjegjës për organizimin e kongresit, u thanë: «Hajdeni gjithsesi.»

Përgatitjet dhe lutjet nuk reshtën. Reparti i transportit filloi të priste delegatët që vinin nga shumë vende të Bashkimit Sovjetik dhe i çonte në vendstrehimin e tyre. Anëtarët e Komitetit të Kongresit shkonin çdo mëngjes të takonin zyrtarët e qytetit. Çdo natë ktheheshin me përgjigje negative.

LUTJET TONA MARRIN PËRGJIGJE

Të enjten më 22 gusht, dy ditë para kongresit, anëtarët e Komitetit të Kongresit u kthyen me lajme të mira: kongresi u miratua! Ndërsa këndonim këngën dhe bënim lutjen e hapjes, na gufonte zemra nga gëzimi. Të shtunën, pasi mbaroi kongresi, qëndruam deri vonë duke folur me njëri-tjetrin dhe duke takuar miqtë e vjetër. Kishim para nesh të krishterë me besim aq të fortë, sa u bënë ballë sprovave më të rënda.

Kongresi në Odesë më 1991

Gjatë më shumë se 22 vjetëve pas atij kongresi, ka pasur një rritje të jashtëzakonshme organizative. Janë ndërtuar Salla Mbretërie në të gjithë Ukrainën dhe numri i lajmëtarëve të Mbretërisë nga 25.000 në vitin 1991, tani ka arritur në më shumë se 150.000.

AKOMA TË PASUR FRYMËSISHT

Familja jonë jeton akoma në të njëjtën shtëpi në Xhankoi, tani një qytet me rreth 40.000 banorë. Megjithëse kur erdhëm nga Siberia në vitin 1968 kishte vetëm disa familje Dëshmitarësh, tani ka gjashtë kongregacione.

Edhe familja ime është rritur në numër. Tani jemi katër breza që i shërbejmë Jehovait: unë dhe gruaja, fëmijët, nipërit e stërnipërit tanë.