Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | PËR ÇFARË FLET BIBLA?

«Kemi gjetur Mesinë»

«Kemi gjetur Mesinë»

Rreth katër shekuj pasi u shkrua libri i fundit i pjesës hebraike të Biblës, u përmbush profecia e Mikesë për Mesinë: Jezui lindi në Betlehem. Afro 30 vjet më vonë, në vitin 29 të e.s., u përmbush pjesa e parë e profecisë së Danielit për ardhjen e Mesisë. Jezui u pagëzua dhe Perëndia e mirosi me frymë të shenjtë. Mesia i shumëpritur, fara, erdhi tamam në kohën e duhur!

Jezui e nisi menjëherë shërbimin «duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». (Luka 8:1) Pikërisht siç ishte profetizuar, Jezui ishte mirëdashës, i butë dhe interesohej me gjithë zemër për të tjerët. Mësimet e tij ishin praktike dhe të dashura. Gjithashtu, ai i shëroi njerëzit nga «çdo lloj . . . sëmundjeje», duke treguar kështu se Perëndia ishte me të. (Mateu 4:23) Njerëz të të gjitha moshave dyndeshin për te Jezui dhe mund të shpreheshin si një nga dishepujt e tij: «Kemi gjetur Mesinë.»—Gjoni 1:41.

Jezui paratha se bota do të përjetonte luftëra, tërmete dhe shumë probleme të tjera, pikërisht para se Mbretëria e tij të merrte kontroll të plotë. Ai i nxiti të gjithë që ‘të qëndronin vigjilentë’.—Marku 13:37.

Jezui ishte njeri i përsosur që iu bind gjithmonë Perëndisë, por ai kishte armiq që në fund bënë që të vritej. Kështu, vdekja e tij siguroi blatimin e përsosur që të riblente për ne atë që kishte humbur Adami dhe Eva—mundësinë për të jetuar përgjithmonë në Parajsë.

Vdekja e Jezuit përmbushi profecitë. Ato u përmbushën edhe kur Perëndia e ringjalli Jezuin tri ditë më vonë si një krijesë të padukshme e të fuqishme. Më pas Jezui iu shfaq më tepër se 500 dishepujve të tij. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u dha si caktim dishepujve që t’ua çonin lajmin e mirë për të dhe për Mbretërinë e tij ‘njerëzve nga të gjitha kombet’. (Mateu 28:19) Deri në ç’masë e përmbushën këtë caktim?

Bazuar te Mateu, Marku, Luka, Gjoni, 1 Korintasve.