SI TË KEMI NJË FAMILJE TË LUMTUR?
Bisedo me adoleshentin, por pa u grindur
«Kur vajza ishte 14 vjeçe, filloi të ma kthente fjalën. Nëse i thosha: ‘Është koha për të ngrënë darkë’, ajo përgjigjej: ‘Do të ha kur të më hahet.’ Nëse e pyesja për punët e shtëpisë, më thoshte: ‘Boll më mërzite!’ Shpesh, ngrinim zërin dhe i bërtitnim njëra-tjetrës.»—MAKI, JAPONI. *
Nëse ke fëmijë adoleshent, * këto debate mund të sprovojnë të gjitha aftësitë e tua si prind, madje edhe durimin tënd. «Kur vajza sfidon autoritetin tim, m’i acaron nervat,—thotë Maria, nëna e një 14-vjeçareje nga Brazili.—Nxehemi aq shumë, sa fillojmë i bërtasim njëra-tjetrës.» Karmela nga Italia ka një problem të ngjashëm. Ajo thotë: «Debatet me djalin janë gjithnjë të ashpra dhe në fund ai mbyllet në dhomën e vet.»
Pse disa adoleshentë kanë frymën e kundërshtimit? Mos vallë fajin e kanë bashkëmoshatarët? Ndoshta. Bibla thotë se shokët ndikojnë jashtë mase, qoftë për mirë, qoftë për keq. (Proverbat 13:20; 1 Korintasve 15:33) Madje edhe shumë nga zbavitjet për të rinjtë, ushqejnë frymën e rebelimit.
Por ka edhe faktorë të tjerë që duhen marrë parasysh, të cilët nuk paraqitin shumë vështirësi kur kupton si ndikojnë te fëmija. Të shohim disa shembuj.
ZHVILLIMI I ‘FUQISË PËR TË ARSYETUAR’
Apostulli Pavël shkroi: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.» (1 Korintasve 13:11) Siç e tregojnë fjalët e Pavlit, fëmijët mendojnë ndryshe nga të rriturit. Në ç’mënyrë?
Fëmijët priren t’i shohin gjërat bardhë e zi. Krejt ndryshe, të rriturit arrijnë t’i kapin më mirë konceptet abstrakte dhe të mendojnë më thellë kur nxjerrin përfundime ose kur marrin vendime. Për shembull, ka më tepër të ngjarë që të rriturit ta marrin parasysh etikën që përfshihet në një çështje dhe të mendojnë si do të ndikojnë veprimet e tyre te të tjerët. Mund të jenë mësuar me këtë lloj të menduari. Kurse adoleshentët ende nuk janë mësuar.
Bibla i nxit të rinjtë të zhvillojnë ‘aftësinë për të menduar’. (Proverbat 1:4) Në fakt, Bibla i nxit të gjithë të krishterët të përdorin ‘fuqinë e tyre për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1, 2; Hebrenjve 5:14) Por ndonjëherë, pikërisht ngaqë ka këto aftësi për të arsyetuar, adoleshenti debaton me ty, edhe për gjëra të vogla në dukje. Ose mund të shprehë një pikëpamje që duket qartë se nuk bazohet në gjykim të mirë. (Proverbat 14:12) Në një situatë të tillë, si mund të arsyetosh e jo të debatosh me të?
PROVO KËTË: Ki parasysh se adoleshenti thjesht mund të jetë duke eksperimentuar arsyetime të sapozbuluara dhe ndoshta nuk është aq i bindur për to. Për të kuptuar çfarë mendon vërtet, në fillim lavdëroje për faktin që arsyeton. («Më pëlqen që arsyeton, edhe pse nuk jam shumë dakord me të gjitha përfundimet që nxjerr.») Pastaj ndihmoje të shqyrtojë mënyrën si mendon. («A mendon se ajo që sapo the, vlen për çdo situatë?») Mund të habitesh se si i rishqyrton dhe i ndreq idetë e veta.
Por kujdes: kur arsyeton me të, mos mendo se fjalën e fundit duhet ta thuash ti. Edhe nëse duket se fjalët e tua bien në vesh të shurdhër, ka mundësi që të përfitojë nga biseda më shumë nga ç’e pranon ai ose nga ç’mendon ti. Mos u habit nëse brenda pak ditësh ndryshon dhe mendon si ti, madje duke pretenduar se kjo është pikëpamja e tij.
«Ndonjëherë debatoja me tim bir për gjëra të vogla, për shembull kur shpërdoronte gjërat ose tallte të motrën. Por në shumicën e rasteve dukej se donte që ta pyesja se çfarë mendonte, ta kuptoja dhe të thosha: ‘Ah, kështu qenka puna’ ose ‘Pra, ky është mendimi yt’. Kur e mendoj tani, e kuptoj se, po të kisha thënë diçka të tillë, mund të kishim shmangur shumë debate.»—Kenxhi, Japoni.
FORMIMI I BINDJEVE
Një synim kryesor i rritjes së fëmijës është ta përgatitësh për ditën kur do të mund të largohet nga shtëpia dhe të jetojë më vete si një i rritur i përgjegjshëm. (Zanafilla 2:24) Kjo do të thotë të formojë identitetin e tij, që është një tërësi veçorish, bindjesh dhe vlerash që përcaktojnë se kush është. Kur të hasë presion për të bërë atë që është e gabuar, adoleshenti që e ka vendosur tashmë se ç’lloj njeriu do që të jetë, nuk do të mendojë vetëm për pasojat. Gjithashtu do të pyesë veten: «Ç’lloj njeriu jam? Cilave vlera u përmbahem? Çfarë do të bënte në këtë situatë një njeri me këto vlera?»—2 Pjetrit 3:11.
Bibla flet për Jozefin, një i ri që e dinte ç’lloj njeriu donte të ishte. Për shembull, kur gruaja e Potifarit e nxiti të kryenin marrëdhënie, ai u përgjigj: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9) Edhe pse izraelitëve nuk u ishte dhënë ende një ligj që dënonte kurorëshkeljen, Jozefi kuptonte pikëpamjen e Perëndisë për këtë çështje. Për më tepër, fjalët «si mund ta bëj këtë» tregojnë se e kishte bërë të vetën pikëpamjen e Perëndisë, pjesë të identitetit të tij.—Efesianëve 5:1.
Edhe fëmija yt adoleshent është në procesin e formimit të identitetit. Kjo është gjë e mirë, sepse bindjet do ta ndihmojnë të përballojë presionet nga bashkëmoshatarët dhe t’i kundërshtojë ata. (Proverbat 1:10-15) Nga ana tjetër, i njëjti koncept për identitetin ndoshta e shtyn të të kundërshtojë edhe ty. Nëse ndodh, çfarë mund të bësh?
PROVO KËTË: Në vend që të përfshihesh në debat, thjesht riformulo pikëpamjen e tij. («Pa prit pak ta kuptoj mirë. Ti po thua se . . . ») Pastaj, bëji pyetje. («Pse mendon kështu?» ose «Çfarë të bëri të arrish në këtë përfundim?») Përpiqu ta bësh të shprehet. Lëre të shprehë bindjet e tij. Nëse nuk e ka gabim dhe ndryshimi i mendimeve është vetëm çështje
preference, tregoji se e respekton mendimin e tij, edhe nëse nuk je plotësisht dakord.Formimi i identitetit—dhe bindjet që vijnë bashkë me të—është jo vetëm normal, por edhe dobiprurës. Në fund të fundit, Bibla thotë se të krishterët nuk duhet të jenë si fëmijë të vegjël «të lëkundur nga dallgët e të çuar andej-këtej nga çdo erë mësimi». (Efesianëve 4:14) Prandaj lejoje e madje inkurajoje fëmijën të zhvillojë identitetin bashkë me bindjet e tij.
«Kur tregoj se jam gati t’i dëgjoj, vajzat priren më shumë ta marrin parasysh pikëpamjen time, edhe kur ndryshon nga e tyrja. Bëj kujdes që të mos u imponoj mendimet e mia, por i lë të krijojnë bindjet e veta.»—Ivana, Republika Çeke.
I VENDOSUR, POR ELASTIK
Ashtu si fëmijët e vegjël, disa adoleshentë janë bërë mjeshtër për të këmbëngulur në kërkesat e tyre me qëllim që prindërit të dorëzohen. Nëse ndodh shpesh në shtëpinë tënde, ki kujdes. Megjithëse dorëzimi për momentin mund të të sjellë lehtësim, i mëson adoleshentit se debati është një mënyrë për të arritur atë që do. Zgjidhja? Ndiq shembullin e Jezuit: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.» (Mateu 5:37) Ka më pak gjasa që adoleshenti të debatojë me ty kur e di se ti je i vendosur.
Në të njëjtën kohë, ji i arsyeshëm. Lejoje të shpjegojë për shembull pse mendon se duhet ndryshuar orari i kthimit në shtëpi në një rast të veçantë. Në një rast të tillë, nuk po sprapsesh para presionit, por thjesht po ndjek këshillën biblike: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.»—Filipianëve 4:5.
PROVO KËTË: Mblidhuni si familje për të diskutuar orarin e kthimit në shtëpi ose rregulla të tjera. Trego se je i gatshëm të dëgjosh dhe pesho të gjithë faktorët që përfshihen para se të marrësh një vendim. «Adoleshentët duhet të shohin se prindërit janë gati ta pranojnë një kërkesë për aq kohë sa nuk shkelet një parim biblik»,—këshillon Robertoja, një baba nga Brazili.
Dihet, prindër të përsosur nuk ka. Bibla thotë: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.» (Jakovi 3:2) Nëse kupton se je sikur edhe pak përgjegjës për një debat, mos ngurro t’i kërkosh të falur fëmijës. Kur pranon gabimet, lë një shembull përulësie dhe kështu do t’i mësosh fëmijës të sillet po njësoj.
«Pasi isha qetësuar pas një debati, i kërkova falje djalit që i kisha bërtitur aq shumë. Kjo e qetësoi edhe atë dhe pastaj e pati më të lehtë të më dëgjonte.»—Kenxhi, Japoni.
^ par. 3 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.
^ par. 4 Megjithëse në artikull i referohemi adoleshentit në gjininë mashkullore, parimet janë të vlefshme për të dyja gjinitë.
PYET VETEN . . .
-
Në ç’mënyrë mund të jem duke nxitur debate me fëmijën adoleshent?
-
Si mund ta përdor këtë artikull për ta kuptuar më mirë fëmijën?
-
Çfarë mund të bëj që të komunikoj me adoleshentin, por pa u grindur?