TEMA KRYESORE
Çfarë ka bërë Zoti për ty?
«Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.»
Ky është një nga vargjet më të njohura dhe më të cituara në tërë Biblën. Është thënë se asnjë varg tjetër «nuk e përmbledh me kaq pak fjalë marrëdhënien e Perëndisë me njerëzimin dhe udhën e shpëtimit». Për këtë arsye, në disa vende këtë shkrim ose vetëm referimin «Gjoni 3:16» shpesh e ekspozojnë në raste publike, e ngjitin te makinat, e paraqitin në grafite etj.
Ka të ngjarë që ata që e paraqitin këtë varg, të jenë të bindur se dashuria që ka Zoti është garanci se do të fitojnë shpëtimin e përjetshëm. Po ti, ç’mendon? Ç’do të thotë për ty dashuria e Perëndisë? Çfarë mendon se ka bërë Zoti për të treguar se të do?
«PERËNDIA E DESHI AQ BOTËN»
Shumë persona ia japin menjëherë meritën Perëndisë për krijimin e universit fizik, të natyrës dhe të vetë njerëzve. Organizmat e gjallë janë aq të ndërlikuar e të bërë mirë, saqë me siguri shkak për ekzistencën e tyre duhet të jetë ndonjë intelekt i jashtëzakonshëm. Mjaft njerëz e falënderojnë përditë Zotin për dhuratën e jetës. Gjithashtu e pranojnë se, që të vazhdojnë të jetojnë e të gëzojnë gjërat që bëjnë, varen krejtësisht prej Perëndisë për të gjitha nevojat e jetës si: ajri, uji, ushqimi dhe ciklet natyrore të tokës.
Është mirë të falënderojmë Zotin për tërë këto, pasi vërtet ai na ka krijuar dhe na mban në jetë. (Psalmi 104:10-28; 145:15, 16; Veprat 4:24) Mund ta kuptojmë se Perëndia na do kur mendojmë për gjithçka që po bën vetëm e vetëm që të ekzistojë jeta. Apostulli Pavël e shpreh me këto fjalë: «[Perëndia] vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka. Sepse falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—Veprat 17:25, 28.
Por përveçse kujdeset për ne fizikisht, Zoti e shpreh dashurinë edhe në shumë mënyra të tjera. Ai na ka lartësuar dhe na ka falur dinjitet duke na dhënë një botë shpirtërore dhe duke na ndihmuar të plotësojmë nevojat shpirtërore. (Mateu 5:3) Në këtë mënyrë njerëzit e bindur kanë mundësinë të bëhen pjesë e familjes së Perëndisë, ‘fëmijë’ të tij.—Romakëve 8:19-21.
Siç thuhet më tej te Gjoni 3:16, Zoti na e tregoi dashurinë duke dërguar në tokë të Birin, Jezuin, që ky të na mësonte për Perëndinë, Atin e tij, e të vdiste për ne. * Megjithatë, shumë e pranojnë se nuk e kuptojnë tamam pse duhej të vdiste Jezui për njerëzimin dhe si qenka vdekja e Jezuit shprehje e dashurisë së Perëndisë për ne. Le të shohim se si e shpjegon Bibla arsyen pse vdiq Jezui dhe ç’vlerë ka vdekja e tij.
«DHA BIRIN E TIJ TË VETËMLINDURIN»
Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm, vuajnë nga sëmundjet, mosha e thyer dhe vdekja. Por ky nuk ishte qëllimi që kishte në fillim Perëndia Jehova. Ai u dha njerëzve të parë mundësinë që të jetonin përgjithmonë në parajsën në tokë, por me një kusht: ata duhej t’i bindeshin. Në të kundërt, Zoti tha se do të vdisnin. (Zanafilla 2:17) Faktikisht, njeriu i parë u rebelua kundër autoritetit të Perëndisë dhe solli si pasojë vdekjen mbi veten dhe mbi pasardhësit. Apostulli Pavël shpjegon: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.
Mirëpo, Zoti «e do drejtësinë». (Psalmi 37:28) Edhe pse nuk mund të shpërfillte shkeljen e qëllimshme të ligjit të tij nga ana e njeriut të parë, Zoti nuk e ka dënuar përgjithmonë njerëzimin që të vuajë e të vdesë për faj të mosbindjes së një njeriu. Përkundrazi, duke zbatuar parimin «jetë për jetë», ka ekuilibruar peshoren e drejtësisë dhe ka bërë përsëri të mundur jetën e përhershme për njerëzit e bindur. (Dalja 21:23) Lind pyetja: si mund të rifitohet jeta njerëzore e përsosur që humbi Adami? Përgjigjja është: duhej të ofrohej ose të flijohej dikush, një jetë me vlerë të barabartë me atë të Adamit—një jetë njerëzore e përsosur.
Qartë, asnjë pasardhës i papërsosur i Adamit nuk ishte në gjendje të ofronte një çmim të tillë, por Jezui po. (Psalmi 49:6-9) Ngaqë kishte lindur pa pasojat e mëkatit të trashëguar, Jezui ishte i përsosur, siç kishte qenë Adami. Prandaj, duke dhënë jetën, Jezui e bleu njerëzimin dhe kështu e çliroi nga skllavëria e mëkatit. Në këtë mënyrë u dha pasardhësve të çiftit të parë njerëzor mundësinë që të kishin po atë jetë të përsosur që kishte dikur Adami dhe Eva. (Romakëve 3:23, 24; 6:23) A duhet të bëjmë diçka që të kemi dobi nga ky akt aq fisnik dashurie?
«KUSHDO QË BESON NË TË»
Po të kthehemi te Gjoni 3:16, vërejmë fjalët: «Kushdo që beson në [Jezuin], të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» Kjo do të thotë se dhuratën e jetës së përjetshme mund ta kemi vetëm me një kusht. Që ‘të kemi jetë të përjetshme’, duhet të besojmë te Jezui dhe t’i bindemi.
Ndoshta pyet: si përfshihet bindja? A nuk tha Jezui se «kushdo që beson në të» do të ketë jetë të përjetshme? Po, besimi është thelbësor. Sidoqoftë, është e rëndësishme të kujtojmë se, sipas Biblës nuk mjafton vetëm të besojmë se Jezui ekziston. Sipas një fjalori, fjala që përdori Gjoni në gjuhën origjinale ka kuptimin «siguri e plotë te dikush e jo thjesht bindje e pathemeltë». (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Që dikush të ketë miratimin e Perëndisë nuk mjafton vetëm të pranojë në nivelin mendor se Jezui është Shpëtimtari. Ai që beson duhet edhe të përpiqet sinqerisht t’i zbatojë mësimet e Jezuit. Pa vepra, çdo deklaratë besimi është boshe. Bibla thotë: «Besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovi 2:26) E thënë ndryshe, nga ai që beson kërkohet që ta tregojë besimin te Jezui, domethënë ai duhet të jetojë sipas besimit të tij.
Pavli e shpjegon pikën në këtë mënyrë: «Dashuria që ka Krishti, na detyron, sepse kemi gjykuar që një njeri i vetëm [Jezui] vdiq për të gjithë. . . . Dhe ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.» (2 Korintasve 5:14, 15) Mirënjohja e sinqertë për flijimin e Jezuit duhet të na nxitë të bëjmë ndryshime në jetë: të mos jetojmë me egoizëm për veten, por të jetojmë për Jezuin, i cili vdiq për ne. Me pak fjalë, në jetën tonë duhet t’i japim përparësi zbatimit të mësimeve të Jezuit. Domosdo një ndryshim i tillë do të ndikojë te vlerat dhe te zgjedhjet tona, si edhe te gjithçka që bëjmë. Ç’shpërblim do të kenë ata që besojnë vërtet te Jezui dhe e tregojnë besimin me vepra?
«TË MOS HUMBASË, POR TË KETË JETË TË PËRJETSHME»
Pjesa e fundi te Gjoni 3:16 shpreh premtimin që u bën Zoti atyre që tregojnë besim te shpërblesa e Jezuit dhe jetojnë sipas standardeve të Perëndisë. Zoti ka si qëllim që kushdo nga këta besnikë «të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme». Gjithsesi, individët që nxjerrin dobi nga dashuria e Zotit do të kenë shpresa të ndryshme për të ardhmen.
Njërit grup prej tyre Jezui u premtoi jetën e përjetshme në qiell. Ai u tha qartë dishepujve besnikë se do t’u përgatiste një vend që të mbretëronin me të, të ngritur në lavdi. (Gjoni 14:2, 3; Filipianëve 3:20, 21) Ata që do të ringjallen në qiell «do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet».—Zbulesa 20:6.
Këtë privilegj do ta marrë vetëm një numër i kufizuar i ithtarëve të Jezuit. Në fakt Jezui tha: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.» (Luka 12:32) Sa do të ishte numri i individëve në ‘kopenë e vogël’? Zbulesa 14:1, 4 thotë: «Unë pashë Qengjin [Jezu Krishtin e ringjallur] që qëndronte në malin e Sionit [në qiell], dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. Këta . . . janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin.» Në krahasim me miliarda e miliarda njerëz që kanë jetuar, 144.000 individë janë thjesht një «kope e vogël». Këta përshkruhen si mbretër, prandaj mbi cilët mbretërojnë?
Jezui foli për një grup të dytë besnikësh që do të kenë dobi nga Mbretëria qiellore. Siç shihet te Gjoni 10:16, Jezui theksoi: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» Këto «dele» presin me padurim jetën e përhershme në tokë, pra kanë të njëjtën shpresë që kishte Adami dhe Eva në fillim. Si e dimë se e ardhmja e tyre do të jetë në tokë?
Psalmi 37:9-11; 46:8, 9; 72:7, 8, 16; Isaia 35:5, 6; 65:21-23; Mateu 5:5; Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:4. Këto vargje parathonë fundin e luftërave, të urisë, të sëmundjeve dhe të vdekjes. Ato flasin për një kohë kur njerëzit e mirë do të gëzojnë ngaqë do të mund të ndërtojnë shtëpitë e tyre, të kultivojnë tokën e tyre dhe të rritin fëmijë në një mjedis paqësor. * A nuk të tërheq kjo e ardhme? Kemi arsye të forta për të besuar se këto premtime do të realizohen së shpejti.
Në mjaft raste Bibla flet për kushtet parajsore që do të vendosen në tokë. Për ta parë vetë, mund të lexosh vargjet vijuese në Biblën tënde:ZOTI KA BËRË SHUMË PËR NE
Nëse ndalesh e mendon për gjithçka që ka bërë Zoti për ty dhe për njerëzimin si një i tërë, është e qartë se tashmë ka bërë shumë. Ne kemi jetë, intelekt, njëfarë shëndeti dhe gjithçka tjetër që na nevojitet për të jetuar. Përveç kësaj, falë dhuratës së Zotit, pra shpërblesës së Jezuit i cili vdiq për ne, mund të kemi bekime edhe më të mëdha, siç mësojmë nga Gjoni 3:16.
Në jetën e përhershme në kushte paqësore e të këndshme, pa kërcënimin e sëmundjeve, të luftërave, të urisë ose të vdekjes, me siguri do të hapen dyert drejt lumturisë dhe bekimeve të pafundme. Varet plotësisht nga ti nëse do t’i marrësh këto bekime. Në fakt, pyetja që mbetet është: çfarë po bën ti për Perëndinë?
^ par. 10 Jezui është i vetmi që Zoti e krijoi drejtpërdrejt, prandaj është me vend të quhet ‘Biri i vetëmlindur’ i Perëndisë.
^ par. 24 Për të ditur më shumë rreth këtyre profecive, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.