Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Më lanë pa fjalë përgjigjet e qarta e logjike të Biblës

Më lanë pa fjalë përgjigjet e qarta e logjike të Biblës
  • LINDUR: 1948

  • VENDI I LINDJES: HUNGARI

  • TË DHËNA: I ETUR PËR PËRGJIGJE TË PYETJEVE TË RËNDËSISHME TË JETËS

E KALUARA IME:

Linda në Sekeshfehervar të Hungarisë, qytet me histori të pasur 1.000-vjeçare. Mjerisht, i kujtoj ende gjurmët e shëmtuara të batërdisë së Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë fëmijërisë së hershme më rritën gjyshërit. I kujtoj me mall, sidomos gjyshe Elizabetën. Më nguliti besimin e fortë te Zoti. Që tre vjeç, çdo mëngjes përsëritja me të atë që ndonjëherë quhet Lutja e Zotërisë. Gjithsesi, domethënien e asaj lutjeje nuk e kuptova dot deri në fund të të 20-ave.

Gjyshërit u kujdesën për mua gjatë fëmijërisë së hershme ngaqë prindërit punonin ditë e natë, duke shpresuar të kursenin aq para, sa të blinin një shtëpi të hairit. Megjithatë, çdo të shtunë të dytë të muajit mblidheshim për të ngrënë si familje. Kënaqesha shumë kur ishim bashkë.

Më 1958 prindërit e realizuan ëndrrën; blenë një shtëpi ku mund të jetonim të tre. Më në fund do të jetoja me prindërit e sa s’fluturoja nga gëzimi. Por, pas gjashtë muajsh, lumturisë sime i erdhi fundi papritur. Im atë vdiq nga kanceri.

M’u prenë krahët. Kujtoj të jem lutur: «O Zot, t’u përgjërova ta shpëtoje babin. Kam nevojë për të. Pse nuk iu përgjigje lutjeve të mia?» Sa doja të dija ku ishte im atë! Vrisja mendjen: «Mos ka shkuar në qiell? Apo është zhdukur përgjithmonë?» I kisha zili fëmijët e tjerë që i kishin gjallë baballarët.

Për vite me radhë shkoja në varreza thuajse çdo ditë. Ulesha në gjunjë në varrin e babait dhe lutesha: «Të lutem, o Zot, dua të di ku është babi im?» Gjithashtu, lutesha për ndihmë që të kuptoja domethënien e jetës.

Kur isha 13 vjeç, vendosa të mësoja gjermanisht. Mendoja se mes literaturës së shumtë e të pasur gjermane, mbase do të gjeja përgjigjet e pyetjeve të mia. Më 1967 fillova studimet në qytetin e Jenës, atëherë pjesë e Gjermanisë Lindore. Lexova me etje libra të filozofëve gjermanë, veçanërisht të atyre që flitnin për domethënien e ekzistencës së njeriut. Edhe pse gjeta ca ide interesante, asnjëra nuk më kënaqi tamam. Vazhdova të lutesha për përgjigje.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Në vitin 1970 u ktheva në Hungari, ku takova gruan time të ardhshme, Rozën. Në atë kohë, Hungaria ishte nën regjimin komunist. Shpejt pas martese, u arratisëm në Austri. Por, synimi ynë ishte të emigronim në Sidnei, Australi, ku jetonte daja im.

Shpejt gjeta punë në Austri. Një ditë, një koleg më tha se në Bibël mund të gjeja përgjigje për tërë pyetjet që kisha. Më dha ca libra me përmbajtje biblike. I përpiva dhe doja të mësoja akoma. Kështu u shkrova Dëshmitarëve të Jehovait, botuesve të këtyre librave, dhe kërkova më shumë literaturë.

Ditën e përvjetorit tonë të parë na vizitoi një Dëshmitar i ri austriak. Solli literaturën që kisha kërkuar dhe më ofroi një studim biblik, të cilin e pranova. Meqë doja me zjarr të mësoja, studioja dy herë në javë nga katër orë.

U mrekullova me atë që më mësuan Dëshmitarët për Biblën. Kur më treguan në Biblën hungareze emrin e Zotit, Jehova, e kisha të vështirë ta besoja. Gjatë 27 viteve që shkoja në kishë, s’e kisha dëgjuar as edhe një herë të vetme emrin e Zotit. Më lanë pa fjalë përgjigjet e qarta e logjike të Biblës. Për shembull, mësova se të vdekurit janë të pavetëdijshëm, njësoj si të ishin në gjumë të thellë. (Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 11:11-15) Mësova edhe për premtimin e Biblës për një botë të re ku «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:3, 4) Shpresoj ta shoh sërish babanë, sepse në botën e re do të ketë ‘ringjallje’.​—Veprat 24:15.

Roza nisi të studionte Biblën me gjithë zemër bashkë me mua. Përparuam goxha shpejt dhe e mbaruam botimin për studim vetëm në dy muaj. Ndiqnim çdo mbledhje që mbanin Dëshmitarët në Sallën e Mbretërisë. Na prekën thellë dashuria, gatishmëria për të ndihmuar dhe uniteti mes Dëshmitarëve të Jehovait.​—Gjoni 13:34, 35.

Më 1976 na lejuan të qëndronim në Australi. U lidhëm menjëherë me Dëshmitarët e Jehovait atje, me të cilët u ndiem rehat. Në 1978-n u bëmë edhe ne Dëshmitarë.

DOBITË:

Më në fund gjeta përgjigjet e pyetjeve që më kishin trazuar prej kohësh. Duke iu afruar Perëndisë Jehova, kam gjetur edhe Atin më të mirë që mund të imagjinohet. (Jakovi 4:8) Shpresa për të parë sërish babanë tim në botën e re që do të vijë ka shumë kuptim për mua.​—Gjoni 5:28, 29.

Më 1989 vendosëm të ktheheshim në Hungari që t’u flitnim për bindjet tona familjarëve, miqve dhe të tjerëve që mund të takonim. Kemi pasur privilegjin t’ua mësonim Biblën qindra vetave. Më se 70 prej tyre po i shërbejnë Jehovait me ne, përfshirë mamanë time të shtrenjtë.

Jam lutur për 17 vjet me radhë që të gjeja përgjigje për pyetjet e mia. Kanë kaluar 39 vite të tjera dhe akoma lutem, ama tani lutem kështu: «Faleminderit, Ati im i shtrenjtë qiellor, që iu përgjigje pyetjeve të mia të fëmijërisë!»