Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të moshuar e të hirshëm

Të moshuar e të hirshëm

SI NDIHESH kur mendon për plakjen? Shumë i pushton trishtimi, ankthi e madje tmerri. Kjo ndodh sepse plakjen zakonisht e lidhim me gjëra negative, si venitje të bukurisë, trup më të brishtë, humbje të kujtesës e sëmundje kronike.

Por, njerëzit nuk plaken njësoj. Disa gëzojnë shëndet fizik e mendor disi të mirë edhe në moshë të shkuar. Falë përparimeve në mjekësi, sëmundjet kronike mund të kurohen ose të mbahen nën kontroll. Si pasojë, në disa vende gjithnjë e më shumë njerëz po jetojnë më gjatë e kanë shëndet më të mirë.

Megjithatë, kanë apo s’kanë probleme moshe, mjaft veta do të donin të plakeshin me hir. Si? Pjesërisht, kjo varet nga pikëpamja, gatishmëria e aftësia jonë për t’u përshtatur me këtë fazë të re të jetës. Le të shohim disa parime të thjeshta e praktike të Biblës që na ndihmojnë në këto aspekte.

JI MODEST: «Mençuria është me modestët.» (Proverbat 11:2) Në këtë kontekst fjala «modestët» u referohet të moshuarve që i njohin e i pranojnë kufizimet e moshës. Çarlsi 93-vjeçar nga Brazili është realist kur thotë: «Nëse jeton gjatë, do të plakesh. S’e ndalon dot kohën.»

Gjithsesi të jesh modest, nuk do të thotë të dorëzohesh, duke menduar: «Tani jam plak, ç’mund të pres më nga jeta.» Ky qëndrim mund të të shterë entuziazmin. Proverbat 24:10 pohon: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» Në vend të kësaj, njeriu modest tregohet i mençur dhe bën më të mirën në situatën që gjendet.

Korrado nga Italia, që është 77 vjeç, thotë me mençuri: «Kur nget makinën në malore, thjesht ndryshon marshet që të mos fiket.» Po, ndërsa vitet kalojnë, mund të nevojiten rregullime. Korrado dhe gruaja e tij kanë zhvilluar një pikëpamje të ekuilibruar ndaj punëve të shtëpisë, duke ndjekur një program jo të ngarkuar që në fund të ditës të mos ndihen të rraskapitur. Edhe Meriëni 81-vjeçare nga Brazili e sheh plakjen me realizëm. Ajo shprehet: «Kam mësuar ta marr shtruar. Kur kam nevojë, bëj pak pushim midis punëve. Ulem ose shtrihem që të lexoj a të dëgjoj muzikë. Kam mësuar t’i njoh e t’i pranoj kufizimet e mia.»

Ji i ekuilibruar

JI I EKUILIBRUAR: «Gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë.» (1 Timoteut 2:9) Shprehja «veshje të rregullta» nënkupton ekuilibër dhe shije. Barbara 74-vjeçare nga Kanadaja thotë: «Përpiqem të jem e rregullt dhe e pastër. Nuk dua të dukem shkatarraqe me mendimin: ‘Plakë jam, s’ka rëndësi si dukem.’» Ferni 91 vjeçe nga Brazili shprehet: «Ndonjëherë blej rroba të reja për t’i ngritur moralin vetes.» Ç’mund të themi për burrat e moshuar? Antonio 73-vjeçar nga Brazili tregon: «Bëj çmos të dukem sa më mirë dhe vesh rroba të lara e të hekurosura.» Për higjienën personale shton: «Bëj dush e rruhem çdo ditë.»

Nga ana tjetër, nuk duhet të shqetësohesh për pamjen aq shumë, sa të mos tregosh «mendje të shëndoshë». Bok Imi 69 vjeçe nga Koreja e Jugut është e ekuilibruar kur bëhet fjalë për veshjen. Ajo thotë: «E di mirë se nuk ka lezet të vesh disa rroba që vishja kur isha e re.»

Ji pozitiv

JI POZITIV: «Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.» (Proverbat 15:15) Teksa vitet kalojnë, ndoshta ndihesh keq kur kujton fuqinë që kishe në rini dhe gjërat e shumta që mund të bëje dikur. Kjo është e kuptueshme. Sidoqoftë, mos u mbyt në këto ndjenja negative. Nëse e mban mendjen tek e djeshmja, trishtohesh dhe shkurajohesh aq sa s’bën dot as gjërat që mund t’i bësh. Jozefi 79-vjeçar nga Kanadaja është pozitiv: «Përpiqem të shijoj gjërat që arrij t’i bëj, në vend që të vras mendjen për ato që bëja dikur.»

Kur mëson e lexon, ndihesh më mirë e zgjeron horizontin. Prandaj, për aq sa mundesh, ji syçelë dhe shfrytëzo çdo rast që të lexosh e të mësosh gjëra të reja. Ernesto 74-vjeçar nga Filipinet shkon në librari e kërkon libra interesantë. Ai tregon: «Ende më dhurojnë emocion e kënaqësi aventurat dhe udhëtimet nëpërmjet faqeve të librave.» Ndërsa Lenarti 75 vjeç nga Suedia iu fut një pune më të vështirë: të mësonte një gjuhë të huaj.

Ji bujar

JI BUJAR: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.» (Luka 6:38) Bëje zakon t’u kushtosh kohë të tjerëve dhe t’u japësh nga ajo që ke. Kështu do të ndihesh i dobishëm e i lumtur. Oza 85-vjeçare nga Brazili përpiqet fort t’i ndihmojë të tjerët pavarësisht nga kufizimet fizike. Ajo tregon: «Miqve të sëmurë a të shkurajuar u telefonoj dhe u shkruaj letra. Ndonjëherë u dërgoj dhurata të vogla. Gjithashtu, më pëlqen t’u gatuaj diçka ose t’u bëj një ëmbëlsirë atyre që janë të sëmurë.»

Kush jep, merr. Jani 66 vjeç nga Suedia thotë: «Kur u fal dashuri të tjerëve, edhe ata të tregojnë dashuri.» Po, njeriu bujar krijon një atmosferë të ngrohtë ku të tjerët ndihen të vlerësuar e të kënaqur.

JI MIQËSOR: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» (Proverbat 18:1) Edhe pse ka momente kur mund të të pëlqejë të rrish vetëm, mos u veço. Inoçenti 72 vjeç nga Nigeria kënaqet me miqtë: «Kam miq të çdo moshe dhe kënaqem me ta.» Borja, një 85-vjeçar nga Suedia, rrëfen: «Përpiqem të jem mes të rinjve. Gjallëria e tyre më bën të ndihem i ri, të paktën nga brenda.» Merr nismën të ftosh miq herë pas here. Han Siku nga Koreja e Jugut, i cili është 72 vjeç, shprehet: «Mua dhe gruas na pëlqen të ftojmë miq të moshave të ndryshme, thjesht për të ndenjur bashkë ose për ndonjë vakt.»

Ji miqësor

Njerëzit miqësorë janë të komunikueshëm. Por, komunikimi i mirë kërkon të jesh edhe i muhabetit, edhe dëgjues i mirë. Trego interes personal për të tjerët. Helena 71-vjeçare nga Mozambiku pohon: «Jam miqësore e i trajtoj të tjerët me dinjitet. I dëgjoj që të kuptoj ç’mendojnë e ç’pëlqejnë.» Zhuzeja nga Brazili, që është 73 vjeç, thotë: «Të gjithëve na pëlqen të kemi pranë dëgjues të mirë, njerëz të dhembshur e që interesohen për të tjerët, që të lavdërojnë kur duhet e që kanë sens humori.»

Kur shprehesh, ‘ndreqi fjalët me kripë’. (Kolosianëve 4:6) Ji inkurajues dhe i ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve.

JI MIRËNJOHËS: «Tregohuni mirënjohës.» (Kolosianëve 3:15) Kur dikush të ndihmon, tregoji që e vlerëson. Shprehjet e vlerësimit çojnë në marrëdhënie të mira. Mari-Poli 74-vjeçare nga Kanadaja thotë: «Kohët e fundit u transferuam me burrin nga një shtëpi private në një apartament. Na ndihmuan me dhjetëra miq. S’gjenim fjalë si t’i falënderonim. U dërguam nga një letër falënderimi secilit e disa i ftuam për një vakt.» Xhe Uëni 76 vjeçe, nga Koreja e Jugut, u është mirënjohëse bashkëbesimtarëve që e çojnë me makinë në Sallën e Mbretërisë. Ajo shprehet: «U jam kaq mirënjohëse për gjithë këtë ndihmë, sa kontribuoj për karburantin. Ndonjëherë përgatis dhurata të vogla me dy fjalë falënderimi.»

Mbi të gjitha, ji mirënjohës për jetën. Mbreti i mençur Solomon na kujton se «një qen i gjallë është më mirë se një luan i ngordhur». (Eklisiastiu 9:4) Po, me qëndrimin e duhur dhe me gatishmërinë për t’u përshtatur, do të plakesh me hir.

Ji mirënjohës