Perëndia premton se planeti ynë do të mbijetojë
«Toka është shumë më e fortë sesa mendojmë.»
Në këtë përfundim arriti një skuadër ndërkombëtare kërkuesish për sa u përket ndryshimeve klimatike. Nëse beson se ekziston një Krijues që merakoset për njerëzit, ky përfundim shkencor të sjell ndër mend proceset e shumta natyrore me të cilat Perëndia e ka pajisur planetin tonë.
Gjithsesi, për shkak të shkallës së dëmit që njeriu i ka bërë tokës, nuk mjaftojnë vetëm proceset natyrore që ajo të mbijetojë. Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia do të bëjë diçka?
Shkrimet e përmendura në kuti na sigurojnë se toka jo vetëm do të mbijetojë, por edhe do të lulëzojë.
Planetin tonë e krijoi Perëndia. «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»—Zanafilla 1:1
Perëndia është pronari i planetit tonë. «Jehovait a i përket toka dhe çdo gjë në të.»—Psalmi 24:1
Perëndia e projektoi planetin tonë me aftësi për të mbijetuar. «Tokën e ke ngritur mbi themele të patundura; ajo nuk do të luajë vendit kurrën e kurrës.»—Psalmi 104:5
Perëndia premton se jeta në planetin tonë do të lulëzojë përgjithmonë. «Perëndia i vërtetë, Ai që formoi tokën, . . . nuk e krijoi pa një qëllim, por e formoi që të banohej.»—Isaia 45:18
Perëndia premton se njerëzit do të jetojnë përgjithmonë në tokë. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29
Perëndia e ka projektuar tokën me procese natyrore që i bëjnë ballë aktivitetit njerëzor, kur kjo ndodh në masën e duhur. Bibla thotë se Perëndia Jehova ka caktuar një kohë kur do t’i japë fund abuzimit dhe egoizmit që e ka dëmtuar planetin tonë.—Zbulesa 11:18
Bibla premton se atëherë Perëndia do ta shndërrojë planetin në një parajsë të bukur dhe ‘do të hapë dorën për të plotësuar dëshirën e çdo krijese’.—Psalmi 145:16
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.