A DO TË MBIJETOJË PLANETI YNË?
Pyjet
PYJET me të drejtë janë quajtur mushkëritë e tokës. Pemët thithin dyoksidin e karbonit, i cili do të ishte i dëmshëm për ne, dhe çlirojnë oksigjenin, i cili është jetësor që të marrim frymë. Rreth 80% e bimëve dhe e kafshëve që jetojnë në tokë e kanë habitatin e tyre në pyje. Pa pyjet, jeta s’do të ishte e mundur.
Çfarë po ndodh me pyjet?
Çdo vit priten miliarda pemë, kryesisht për të hapur toka të reja bujqësore. Që nga fundi i viteve 40 të shekullit të 20-të, janë zhdukur gjysma e pyjeve të shiut të botës.
Kur një pyll shkatërrohet, bashkë me të zhduken të gjitha bimët dhe kafshët që jetojnë atje.
Planeti ynë: I projektuar për të mbijetuar
Disa toka të shpyllëzuara kanë treguar aftësi mahnitëse për t’u rimëkëmbur dhe për t’u zgjeruar. Kohët e fundit, ekologët janë habitur se sa shpejt pyje të harlisura janë rritur sërish në tokat e shpyllëzuara. Të shqyrtojmë disa shembuj:
-
Tokat e shpyllëzuara për bujqësi dhe më vonë të braktisura, u monitoruan nga studiuesit. Një studim në 2.200 zona të tilla në Amerikën Veriore dhe Jugore, si dhe në Afrikën Perëndimore tregoi se pyjet mund të rriteshin sërish atje, në më pak se 10 vjet.
-
Sipas një studimi të botuar në revistën Science, është llogaritur se, për rreth 100 vjet, në këto toka, në kushte natyrore, mund të rriten sërish larmi pemësh të harlisura dhe gjallesa të tjera që jetojnë në pyje.
-
Në Brazil, kohët e fundit shkencëtarët bënë një studim nëse ripyllëzimi arrihej me ritme më të shpejta kur njeriu mbillte pemë. Duke iu referuar kërkimeve të këtij studimi, National Geographic raporton: «Shkencëtarët ishin të kënaqur kur zbuluan se mbjellja e pemëve ishte e panevojshme.» Vetëm për 5 vjet, zonat e testuara «ishin plot me pemë autoktone», pa ndërhyrjen e njeriut.
Çfarë po bëhet?
Në mbarë botën janë bërë përpjekje për të mbrojtur pyjet ekzistuese dhe për të restauruar ato të dëmtuara. Si rezultat i kësaj, «shpyllëzimi në botë është ulur më shumë se 50%» këto 25 vitet e fundit, sipas një burimi të Kombeve të Bashkuara.
Por këto përpjekje nuk mjaftojnë për të shpëtuar pyjet. Një raport i botuar nga organizata Global Forest Watch thotë: «Shkalla e shkatërrimit të pyjeve tropikale nuk ka ndryshuar këto pak vitet e fundit.»
Prerja e paligjshme e pemëve për lëndë druri është një biznes që fiton miliarda dollarë, dhe kjo lakmi është arsyeja kryesore pse pyjet tropikale po shfarosen.
Çfarë shprese jep Bibla?
«Perëndia Jehova a bëri që nga toka të mbinte çdo pemë që të kënaqte syrin dhe që ishte e mirë për ushqim.»—Zanafilla 2:9.
Krijuesi i pyjeve i projektoi ato me aftësinë për t’u rimëkëmbur, për sa kohë njeriu nuk i keqpërdor. Ai dëshiron t’i mbrojë pyjet dhe ekosistemin që e ka projektuar në mënyrë madhështore.
Bibla tregon se Perëndia do t’i japë fund keqpërdorimit të burimeve të tokës, pra nuk do të lejojë që njerëzit egoistë ta shkatërrojnë planetin dhe jetën në të. Shih artikullin «Perëndia premton se planeti ynë do të mbijetojë», në faqen 15.
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.