Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Disiplina e drejton fëmijën njësoj si timoni drejton një varkë dhe e mban në drejtimin e duhur

PËR PRINDËRIT

6—Disiplina

6—Disiplina

ÇFARË DO TË THOTË

Fjala disiplinë mund të nënkuptojë të drejtosh ose të mësosh. Me raste përfshin edhe ta ndreqësh fëmijën kur gabon. Gjithsesi, shpesh do të thotë edhe ta edukosh nga ana morale që, para së gjithash, të dijë të bëjë zgjedhjet e duhura.

PSE KA RËNDËSI

Gjatë dekadave të fundit, në disa familje fëmijët thuajse nuk e njohin disiplinën, ngaqë prindërit kanë frikë se mos u ulin respektin për veten. Sidoqoftë, prindërit e mençur vënë rregulla të arsyeshme dhe i mësojnë fëmijët t’u binden.

«Fëmijët kanë nevojë për kufij që të bëhen të rritur të ekuilibruar. Pa disiplinë, janë si anije pa timon, që në fund shkon në drejtim të gabuar ose fundoset fare.»​—Pamela.

Ç’MUND TË BËSH

Mbaj fjalën. Nëse fëmija nuk i zbaton rregullat që i vë, mbaj fjalën duke mos ia kursyer ndëshkimin. Nga ana tjetër, ji gjithnjë gati ta lavdërosh kur bindet.

«I lavdëroj vazhdimisht fëmijët e mi ngaqë janë të bindur në një botë ku bindja është kaq e rrallë. Lavdërimet ua bëjnë më të lehtë të pranojnë ndreqjen kur duhet.»​—Kristina.

PARIMI BIBLIK: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»​—Galatasve 6:7.

Ji i arsyeshëm. Kur e disiplinon fëmijën, merr parasysh moshën, aftësitë si dhe sa serioz ishte gabimi. Zakonisht korrigjimi është më i efektshëm kur lidhet me gabimin​—për shembull, nëse keqpërdor celularin, si ndëshkim mund t’ia heqësh ose t’ia kufizosh për njëfarë kohe. Në të njëjtën kohë mos e bëj të madhe kur bëhet fjalë për çikërrima.

«Përpiqem të kuptoj nëse fëmija nuk u bind qëllimisht, apo thjesht gaboi pa dashje. Ndryshon një zakon i keq që duhet çrrënjosur nga një gabim që mjafton të vihet në dukje.»​—Uendëlli.

PARIMI BIBLIK: «Mos i [provokoni] fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»​—Kolosianëve 3:21.

Ji i dashur. Fëmijët e kanë më të lehtë ta pranojnë e t’i vënë veshin disiplinës nëse e dinë që prindërit nisen nga dashuria.

«Kur djali gabonte, e siguronim se ishim krenarë për gjithë vendimet e mençura që kishte marrë në të shkuarën. Pastaj i shpjegonim se ky gabim nuk ia prishte emrin e mirë për sa kohë bënte ndryshimet e domosdoshme, dhe se ishim gati ta ndihmonim.»​—Danieli.

PARIMI BIBLIK: «Dashuria është e durueshme; plot mirësi.»​—1 Korintasve 13:4, Diodati i Ri.