Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mësosh të punosh pa u lodhur ngjan me stërvitjen; të sjell dobi tani dhe në të ardhmen

PËR TË RINJTË

11—Papërtueshmëria

11—Papërtueshmëria

ÇFARË DO TË THOTË

Kush është i papërtuar, nuk i bën bisht punës. Përkundrazi, i pëlqen të punojë me mish e me shpirt për të siguruar nevojat personale e për të ndihmuar të tjerët​—edhe nëse puna që bën, nuk shihet si kushedi se çfarë.

PSE KA RËNDËSI

Të pëlqen ose jo, jeta është plot përgjegjësi. Në një botë ku shumë njerëz s’e kanë fare me qejf të punojnë pa u lodhur, papërtueshmëria të kalon në avantazh.​—Eklisiastiu 3:13.

«Kam provuar se puna e palodhur të bën krenar e të kënaq. Kjo ndjenjë kënaqësie më ka nxitur ta dua punën. Një etikë e mirë pune të ndihmon të krijosh edhe një reputacion të mirë.»​—Rejoni.

PARIMI BIBLIK: «Nga çdo lloj mundi ka përfitim.»​—Proverbat 14:23.

Ç’MUND TË BËSH

Zhvillo një pikëpamje pozitive për punën, duke ndjekur hapat e poshtëpërmendur.

Ndihu krenar pasi mëson ta bësh mirë një punë. Qoftë nëse po merresh me punët e shtëpisë, po mbaron detyrat e shtëpisë ose je në punë, përfshihu plotësisht. Njëherë që ia merr dorën një pune, kërko mënyra për t’u përmirësuar, duke u përpjekur ta bësh më shpejt ose më mirë. Sa më i aftë të jesh, aq më shumë gëzim do të gjesh në punë.

PARIMI BIBLIK: «A ke parë një njeri të zotin në punën e tij? Ai do të zërë vend para mbretërve dhe jo para njerëzve të zakonshëm.»​—Proverbat 22:29.

Shih tablonë e plotë. Thuajse në çdo rast, kur i përmbush mirë përgjegjësitë, u sjell dobi edhe të tjerëve. Për shembull, kur i bën punët e shtëpisë pa përtesë, ua lehtëson barrën edhe pjesëtarëve të familjes.

PARIMI BIBLIK: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​—Veprat 20:35.

Bëj më tepër nga ç’të kërkohet. Në vend që të mjaftohesh vetëm me minimumin, pse të mos përpiqesh të bësh më tepër nga ç’të kërkohet. Kështu, e ke ti në dorë jetën tënde​—po bën më shumë, jo sepse s’ke nga t’ia mbash, por ngaqë e zgjedh vetë.​—Mateu 5:41.

PARIMI BIBLIK: «Vepra jote e mirë të mos jetë me detyrim, por me vullnet të lirë.»​—Filemonit 14.

Ji i ekuilibruar. Njerëzit e papërtuar nuk janë as dembelë, as maniakë të punës. Synimi i tyre është të gjejnë ekuilibrin, duke u kënaqur si me punën e palodhur, edhe me periudhat e pushimit.

PARIMI BIBLIK: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.»​—Eklisiastiu 4:6.