Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 6

Rëndësia e vlerave morale

Rëndësia e vlerave morale

ÇFARË JANË VLERAT MORALE

Njerëzit me vlera morale e kanë të qartë se ç’është e drejtë dhe e gabuar. Normat e tyre morale nuk përcaktohen nga ndjenjat e çastit. Përkundrazi bazohen te një sërë parimesh të qëndrueshme, të cilat ndikojnë te sjellja e tyre, madje edhe kur nuk i sheh njeri.

PSE JANË TË RËNDËSISHME

Fëmijët po bombardohen me lloj-lloj idesh të gabuara për moralin​—nga shoqëria në shkollë, muzika, filmat apo nga emisionet televizive. Këto ndikime mund t’u vënë në pikëpyetje bindjen për çka është e drejtë dhe e gabuar.

Ky është një problem i madh për adoleshentët. Sipas librit Beyond the Big Talk, deri në adoleshencë, fëmijët «duhet të kuptojnë se moshatarët dhe media do t’i bëjnë goxha presion që të jenë të pranuar dhe të pëlqyer në shoqëri, si edhe duhet të mësojnë t’i marrin vetë vendimet në përputhje me vlerat e tyre, edhe nëse shokët nuk janë dakord». S’diskutohet se stërvitja duhet të nisë para adoleshencës.

SI T’I MËSOSH VLERAT MORALE

Përcakto normat morale

PARIM NGA BIBLA: ‘Njerëzit e pjekur i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.’​—Hebrenjve 5:14.

  • Ndihmoje të dallojë të drejtën dhe të gabuarën. Për shembull, duke përdorur raste nga jeta e përditshme, mund t’i thuash: «Kjo është ndershmëri; kjo është pandershmëri.» «Kjo është besnikëri; kjo është pabesi.» «Kjo është mirëdashje; kjo është keqdashje.» Me kohë fëmijët do të kuptojnë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.

  • Shpjego arsyet që qëndrojnë pas normave morale. Pyete fëmijën: pse mendon se është më mirë të thuash të vërtetën? Si i prish miqësitë gënjeshtra? Pse është gabim të vjedhësh? Kështu e mëson të stërvitë ndërgjegjen e të logjikojë.

  • Thekso dobitë e normave të larta morale. Mund t’i thuash: «Nëse je i sinqertë, të tjerët do të të besojnë» ose «nëse je i sjellshëm, të tjerët do të kenë qejf të rrinë me ty».

Përpiqu që familja jote të njihet si familje me norma

PARIM NGA BIBLA: «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.»​—2 Korintasve 13:5.

  • Normat morale duhet të jenë pjesë e pandarë e familjes sate, kështu mund të thuash me plot gojën:

    • «Në familjen tonë nuk gënjejmë.»

    • «Ne nuk i godasim të tjerët dhe as u bërtasim.»

    • «Në shtëpinë tonë nuk kanë vend sharjet.»

Kështu, fëmija do të kuptojë se vlerat morale nuk janë thjesht rregulla, por tregojnë kush është familja jote.

  • Fol shpesh me fëmijën për normat e familjes dhe mësoje nëpërmjet situatave të përditshme. Për shembull, mund t’i krahasosh normat që keni si familje me ato që sheh në media ose në shkollë. Pyete fëmijën: «Si do të veproje ti?» «Çfarë do të kishim bërë si familje në këtë rast?»

Ndihmoji t’u përmbahen normave morale

PARIM NGA BIBLA: «Mbani një ndërgjegje të mirë.»​—1 Pjetrit 3:16.

  • Lavdëroje kur sillet mirë. Kur fëmija sillet mirë, lavdëroje dhe shpjegoji pse të pëlqeu sjellja e tij. Për shembull, mund t’i thuash: «Je treguar i ndershëm. Ma bëre zemrën mal.» Nëse të thotë se ka bërë një gabim, para se ta ndreqësh, lavdëroje me gjithë zemër për sinqeritetin.

  • Ndreqe kur sillet keq. Ndihmoji fëmijët të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Ata duhet të kuptojnë çfarë bënë gabim dhe si ndryshon sjellja e tyre nga normat morale të familjes. Disa prindër hezitojnë t’u flasin fëmijëve kur gabojnë, nga meraku se mos i mërzitin. Por, nëse u shpjegon pse sjellja e tyre ishte e gabuar, do t’i ndihmosh të stërvitin ndërgjegjen dhe të shmangin gabimet në të ardhmen.