Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

A kanë rëndësi punët e shtëpisë?

A kanë rëndësi punët e shtëpisë?

VËSHTIRËSIA

Në disa familje pritet që fëmijët të japin një dorë në punët e shtëpisë, madje pa u ankuar. Familje të tjera presin më pak nga fëmijët të cilët, të kënaqur për këtë, nuk kontribuojnë edhe aq.

Studiuesit e shohin këtë prirje sidomos në vendet perëndimore, ku fëmijët priren më shumë të përfitojnë, sesa të kontribuojnë. Një prind me emrin Stiven, vëren: «Sot fëmijët i lënë të luajnë me videolojëra, të lundrojnë në Internet dhe të shohin TV. Nuk presin shumë prej tyre.»

Po ti, si mendon? A janë vërtet të rëndësishme punët e shtëpisë, jo vetëm për mirëmbajtjen e saj, por edhe për zhvillimin e fëmijës?

Ç’DUHET TË DISH

Disa prindër ngurrojnë t’i japin punë shtëpie fëmijës, sidomos po të ketë një javë goxha të ngarkuar me detyra shkolle e me aktivitete jashtëshkollore. Megjithatë shqyrto dobitë që vijnë nga punët e shtëpisë.

Ndikojnë te pjekuria e fëmijës. Fëmijët që bëjnë punë shtëpie, ka të ngjarë të bëhen nxënës më të mirë dhe s’është çudi. Gjithashtu zhvillojnë siguri, vetëdisiplinë dhe vendosmëri​—cilësi thelbësore në procesin e të mësuarit.

E mësojnë fëmijën t’u shërbejë të tjerëve. Disa kanë parë se, kur fëmijës i kërkohet të bëjë punë shtëpie, ka më tepër të ngjarë të kontribuojë për komunitetin kur të rritet. S’është për t’u habitur pasi punët e shtëpisë e stërvitin të mendojë më shumë për nevojat e të tjerëve se për veten. Nga ana tjetër, Stiveni, i përmendur më parë, vëren: «Kur nuk pret asgjë prej fëmijëve, ata mësojnë se të tjerët duhet t’u shërbejnë dhe rriten me pikëpamjen e gabuar për përgjegjësitë dhe për punën e palodhur.»

Nxitin unitetin në familje. Nga punët e shtëpisë, fëmija kupton jo vetëm se është pjesë e çmuar e familjes, por edhe se ka përgjegjësi ndaj saj. Zor se do ta mësojë këtë, nëse prindërit u japin më shumë rëndësi aktiviteteve jashtëshkollore se punëve të shtëpisë. Pyet veten: «Ç’dobi vijnë nëse fëmija krijon një lidhje të fortë me skuadrën e futbollit, por humb lidhjen me ‘skuadrën e familjes’?»

Ç’MUND TË BËSH

Fillo që në vogëli. Disa thonë se prindërit duhet t’u caktojnë fëmijëve punë shtëpie që kur janë tre vjeç. Të tjerë sugjerojnë që dy vjeç ose më të vegjël. Në fakt, shumë vogëlushë kanë qejf të punojnë krah prindërve dhe t’i imitojnë.​—Parimi biblik: Proverbat 22:6.

Caktoji punët sipas moshës. Një trevjeçar mund të mbledhë lodrat, të pastrojë ndonjë gjë që derdhet ose të ndajë rrobat e palara sipas ngjyrave. Më të mëdhenjtë mund të fshijnë me fshesë me korrent, të lajnë makinën, madje të përgatitin ndonjë vakt. Ndihmoje fëmijën të bëhet më i aftë. Mund të habitesh sa shumë do të entuziazmohet kur ta çojë deri në fund një punë.

Jepu përparësi punëve të shtëpisë. Kjo mund të jetë e vështirë kur fëmija ka një mal me detyra shkolle çdo ditë. Megjithatë, sipas një libri, kur nuk i jep fare punë shtëpie për hir të notave të mira, «po i vë gabim përparësitë». (The Price of Privilege) Siç thamë, punët e shtëpisë i ndihmojnë fëmijët të bëhen nxënës më të mirë. Dhe, mësimet që nxjerrin, do t’i stërvitin për kohën kur të kenë familjen e tyre.​—Parimi biblik: Filipianëve 1:10.

Përqendrohu te synimi, jo te rezultati. Mbase pret që fëmija ta mbarojë më shpejt një punë. E madje nuk të pëlqen si e bën. Kur ndodh kjo, rezistoji prirjes që ta mbarosh ti punën. Synimi yt nuk duhet të jetë që fëmija ta bëjë punën aq mirë sa një i rritur, por ta mësosh të jetë i përgjegjshëm dhe të provojë gëzimin që sjell puna.​—Parimi biblik: Eklisiastiu 3:22.

Përqendrohu te shpërblimi i duhur. Disa mendojnë se fëmija bëhet më i përgjegjshëm kur e paguan për punët e shtëpisë. Të tjerë thonë se kjo e shtyn të përqendrohet më shumë tek ajo që mund të marrë sesa tek ajo që mund të japë. Ata paralajmërojnë edhe se fëmija mund të mos pranojë të bëjë punë shtëpie po të ketë mjaft pará, shenjë se punët e shtëpisë s’po ndikojnë më për mirë. Cili është mësimi? Do të ishte më mirë të mos i përzieje punët e shtëpisë me xhepin e fëmijës.