Stabiliteti financiar
Shumë njerëz kanë më pak probleme financiare ngaqë zbatojnë parimet e Biblës.
PLANIFIKO ME MENÇURI
PARIMI I BIBLËS: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.»—Proverbat 21:5.
Ç’DO TË THOTË: Të ngulmosh e të mos heqësh dorë nga planet e tua financiare, është çelësi i suksesit. Prandaj, planifiko para se të shpenzosh. Mos harro se normalisht nuk mund të blesh gjithçka që dëshiron. Ndaj përdori të ardhurat me mençuri.
Ç’MUND TË BËSH:
-
Përmbaju një buxheti. Rendit të gjitha shpenzimet duke i grupuar nëpër kategori. Pastaj përcakto shumën për çdo shpenzim. Nëse harxhon më shumë për një kategori, merr para nga një kategori tjetër për të plotësuar diferencën. Ta zëmë se ke harxhuar më tepër nga ç’kishe planifikuar për karburant. Atëherë merr nga paratë që ke vënë mënjanë për gjërat më pak të rëndësishme, si për shembull, për kafe ose restorante.
-
Shmang borxhet e panevojshme. Bëj ç’të mundesh që të shmangësh borxhet. Kurseji paratë për të blerë gjërat që të nevojiten. Nëse përdor një kartë krediti, mundohu që çdo muaj të shlyesh plotësisht detyrimin që të mos paguash me interes. Nëse je tashmë në borxhe, bëj një plan që t’i shlyesh dhe përmbaju atij plani.
Sipas një studimi, njerëzit janë të prirur për të shpenzuar më shumë kur paguajnë me kartë krediti. Kështu, nëse ke kartë krediti, përdore me kujdes.
RUHU NGA QËNDRIMET E DËMSHME
PARIMI I BIBLËS: «Përtaci nuk do të lërojë për shkak të dimrit. Ai do të lypë në kohën e korrjes, por s’do të gjejë gjë.»—Proverbat 20:4.
Ç’DO TË THOTË: Përtacia mund të sjellë varfëri. Prandaj, ji punëtor i palodhur dhe bëj çmos t’i administrosh mirë paratë, që të kesh mjaftueshëm për gjërat që mund të të duhen në të ardhmen.
Ç’MUND TË BËSH:
-
Puno fort. Duke qenë i papërtuar dhe i përgjegjshëm në punë, ruan burimin e të ardhurave. Punëdhënësit i vlerësojnë njerëzit punëtorë.
-
Ji i ndershëm. Mos e vidh punëdhënësin. Pandershmëria të prish reputacionin dhe ta bën të vështirë të gjesh punë tjetër.
-
Mos ji lakmitar. Nëse e ke gjithmonë mendjen te paratë, me kalimin e kohës kjo do të të dëmtojë shëndetin dhe marrëdhëniet me të tjerët. Mos harro se paratë nuk janë gjithçka në jetë.
PARIME TË TJERA NGA BIBLA
MOS E SHPËRDORO KOHËN DHE TË ARDHURAT PËR VESET.
«Pijaneci dhe grykësi do të bien në varfëri, dhe përgjumja e vesh njeriun me lecka.»—PROVERBAT 23:21.
MOS U STRESO KOT.
«Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupat tuaj, se ç’do të vishni.»—MATEU 6:25.
MOS JI ZILIQAR.
«Njeriu me sy ziliqar ngutet të shtjerë në dorë gjëra me vlerë, por s’e di që mbi të do të pllakosë skamja.»—PROVERBAT 28:22.