Pse ka rëndësi përgjigjja?
Pse ka rëndësi të dish nëse ka një Krijues? Nëse faktet të bindin se ekziston një Perëndi i plotfuqishëm, ndoshta dëshiron të shqyrtosh edhe provat që Bibla është e frymëzuar prej tij. Nëse i beson asaj që thotë Bibla, do të nxjerrësh dobi në aspektet që tregohen më poshtë.
Jetë me më shumë kuptim
BIBLA THOTË: «[Perëndia] bëri mirë: ju solli shira nga qielli dhe stinë të frytshme, ju dha ushqim me bollëk dhe jua mbushi zemrat plot gëzim.»—Veprat 14:17.
Ç’DO TË THOTË: Çdo gjë në natyrë që të sjell gëzim, është dhuratë nga Krijuesi. Do të ishe edhe më mirënjohës për këto dhurata, po të mësoje sa shumë merakoset për ty Dhënësi.
Këshilla praktike për jetën e përditshme
BIBLA THOTË: «Do të kuptosh çfarë është drejtësia, ndershmëria dhe paanshmëria; cila është udha e mirë që duhet të ndjekësh gjithmonë.»—Proverbat 2:9.
Ç’DO TË THOTË: Meqë është Krijuesi yt, Perëndia e di çfarë të nevojitet që të jesh i lumtur. Duke lexuar Biblën, do të mësosh shumë gjëra që të sjellin dobi në jetë që sot.
Përgjigje për pyetjet e tua
BIBLA THOTË: «Do të fitosh njohuri për Perëndinë.»—Proverbat 2:5.
Ç’DO TË THOTË: Kur arrin në përfundimin se Krijuesi ekziston, mund të gjesh përgjigjet e pyetjeve thelbësore, siç janë: cili është qëllimi i jetës? Pse ka kaq shumë vuajtje? Çfarë ndodh me ne kur vdesim? Bibla jep përgjigje logjike për këto.
Shpresë për të ardhmen
BIBLA THOTË: «Unë e di mirë ç’mendoj për ju,—thotë Jehovai.—Dua që të keni paqe, dhe jo të këqija. Dua t’ju jap një të ardhme plot shpresë.»—Jeremia 29:11.
Ç’DO TË THOTË: Perëndia premton se në të ardhmen do të zhdukë ligësinë, vuajtjet, madje edhe vdekjen. Kur u beson premtimeve të Perëndisë, shpresa për këtë të ardhme të ndihmon t’i përballosh problemet ditë pas dite me kurajë.