Çfarë na tregon bota e gjallë?
Gjallesat rriten, lëvizin dhe shumohen. Ato i japin një bukuri unike planetit tonë. Sot njerëzimi ka më shumë njohuri për gjallesat se kurrë më parë. Çfarë na tregojnë ato për origjinën e jetës? Shqyrto pjesën në vazhdim.
Jeta duket se është projektuar. Qelizat janë quajtur njësitë bazë të jetës. Si fabrika të vockla, ato kryejnë mijëra procese jashtëzakonisht të ndërlikuara për të jetuar dhe për t’u riprodhuar. Një ndërlikim të tillë kompleks e gjejmë edhe te gjallesat më të thjeshta. Të shqyrtojmë për shembull, majanë e bukës, e cila është organizëm njëqelizor. Po të krahasohet me një qelizë njerëzore, qeliza e majasë mund të duket e thjeshtë, por faktikisht është jashtëzakonisht komplekse. Qelizat e majasë kanë një bërthamë të mirorganizuar me ADN dhe «makineri» mikroskopike që ndajnë, transportojnë dhe modifikojnë molekulat—faza të rëndësishme për jetën e këtyre organizmave. Kur një qelizë majaje nuk ka më ushqim, nis një proces kimik të sofistikuar që ta ngadalësojë aktivitetin, sikur të shkonte të flinte. Ja pse mund të ruhet për një kohë të gjatë në kuzhinë, dhe pastaj të aktivizohet kur përdoret për të bërë bukë.
Shkencëtarët kanë dekada që po i studiojnë qelizat e majasë së bukës për të kuptuar më mirë qelizat njerëzore. Por kanë akoma rrugë të gjatë përpara. «Thjesht s’kemi mjaftueshëm biologë për gjithë eksperimentet që nevojiten për të kuptuar si funksionon sikur edhe qeliza e majasë»—thotë me keqardhje Ros King, profesor në Universitetin e Teknologjisë Chalmers në Suedi.
Kur vëren sa e ndërlikuar është një formë e thjeshtë jete, si qeliza e majasë, a nuk të bën të mendosh se është projektuar nga dikush? Por, a ka projekt pa një projektues?
Jeta vjen vetëm nga jeta. ADN-ja përbëhet nga molekula që quhen nukleotide. Çdo qelizë njerëzore ka 3,2 miliardë nukleotide. Këto kombinime krijojnë një kod specifik që u tregojnë qelizave si të prodhojnë enzima dhe proteina.
Probabiliteti që zinxhiri më i thjeshtë i nukleotideve të formojë rastësisht kodin e duhur, është llogaritur të jetë 1 në 10150 (1 me 150 zero). Kjo është kaq e paarritshme, sa në thelb është e pamundur.
E vërteta është se asnjë eksperiment shkencor nuk ka provuar se jeta mund të vijë vetvetiu nga materia e pajetë.
Jeta njerëzore është unike. Falë disa karakteristikave që kemi, ne njerëzit mund ta shijojmë plotësisht jetën, në mënyra që asnjë specie tjetër s’mundet. Ne kemi aftësi të avancuara krijuese, sociale dhe ndjenja. Dallojmë dhe gjejmë kënaqësi te shijet, aromat, tingujt, ngjyrat dhe peizazhet. Bëjmë plane për të ardhmen dhe kërkojmë kuptimin e jetës.
A mendon se këto karakteristika evoluan ngaqë ishin të domosdoshme për mbijetesën dhe shumimin tonë? Apo tregojnë se jeta është dhuratë nga një Krijues i dashur?