Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Sëmundjet—Si ta ulim rrezikun?

Sëmundjet—Si ta ulim rrezikun?

Trupi ynë lufton çdo ditë me armiq që nuk ndihen e nuk shihen, por ama mund të jenë vdekjeprurës. Pushtues të huaj, si bakteret, viruset dhe parazitët sulmojnë shëndetin tonë. * Ka të ngjarë që nuk jemi të vetëdijshëm për këto beteja falë sistemit imunitar që spraps ose asgjëson shumicën e këtyre armiqve para se të shfaqen simptomat. Por, nëse mikrobet e rrezikshme fitojnë epërsi, siç ndodh ndonjëherë, atëherë është e nevojshme të forcojmë radhët e mbrojtjes me ilaçe e mjekime.

Për mijëra vjet njerëzit nuk dinin gati asgjë për rreziqet e organizmave mikroskopikë ose të organizmave të tjerë të vegjël të dëmshëm. Por, kur shkencëtarët e shekullit të 19-të vërtetuan lidhjen që ekziston mes mikrobeve e sëmundjeve, u bëmë më të aftë për t’u mbrojtur. Që atëherë studiuesit në fushën e mjekësisë kanë eliminuar ose kanë ulur ndjeshëm rrezikun nga disa sëmundje ngjitëse, përfshirë linë dhe poliomielitin. Megjithatë, kohët e fundit janë kthyer disa të tjera, si ethet e verdha dhe ethet tropikale. Pse? Le të shohim disa faktorë.

  • Çdo vit miliona njerëz udhëtojnë anembanë globit, shpesh duke mbartur mikrobet e dëmshme nga njëri vend në tjetrin. Artikulli i një gazete thoshte se «pothuajse të gjitha sëmundjet virale» mund të përhapen nga njerëzit që udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin.Clinical Infectious Diseases.

  • Disa baktere tani u bëjnë rezistencë antibiotikëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se «bota po shkon drejt epokës postantibiotike, ku mikrobet e zakonshme . . . mund të jenë përsëri vdekjeprurëse».

  • Qeveritë nuk arrijnë ta mbajnë nën kontroll përhapjen e sëmundjeve për shkak të konflikteve civile dhe të varfërisë.

  • Shumë njerëz nuk kanë njohuri praktike për të parandaluar sëmundjet.

Pavarësisht nga këta faktorë shqetësues, mund të bësh shumë për të mbrojtur veten dhe familjen. Në artikullin vijues do të lexosh se, edhe nëse jeton në një vend në zhvillim, mund të gjesh metoda të thjeshta e të efektshme për t’u mbrojtur.

^ par. 3 Shumica e mikrobeve nuk shkaktojnë sëmundje. Kjo seri artikujsh përqendrohet te mikroorganizmat dhe agjentë të tjerë infektues që përbëjnë rrezik për shëndetin.