TEMA KRYESORE | A ËSHTË BOTA JASHTË KONTROLLIT?
A është bota jashtë kontrollit, apo jo?
VITI 2017 nisi me një deklaratë të zymtë nga shkencëtarët. Në janar, disa prej tyre deklaruan se bota s’ka qenë kurrë kaq afër katastrofës më të keqe që ka ndodhur ndonjëherë. Duke përdorur Orën e Fundit të Botës si një simbol për të ilustruar se njerëzimi është shumë afër një katastrofe globale, shkencëtarët e çuan 30 sekonda përpara akrepin e minutave. Tani Ora e Fundit të Botës shënon vetëm dy minuta e gjysmë para mesnate—njerëzimi nuk ka qenë kurrë kaq afër një katastrofe globale në 60 vitet e fundit.
Në vitin 2018 shkencëtarët kanë planifikuar të vlerësojnë sërish sa afër është fundi i botës. A do të sinjalizojë përsëri Ora e Fundit të Botës një katastrofë të afërt e të paprecedentë? Si mendon? A është bota jashtë kontrollit? Mbase e ke disi të vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Në fund të fundit, as ekspertët nuk kanë një mendim të vetëm për këtë temë. Jo të gjithë besojnë se fundi i botës është i pashmangshëm.
Në fakt, miliona veta besojnë se na pret një e ardhme e ndritur. Ata thonë se i kanë provat që tregojnë se njerëzimi dhe planeti ynë do të ekzistojnë pambarimisht dhe se cilësia e jetës do të përmirësohet. A janë të besueshme këto prova? A është bota jashtë kontrollit, apo jo?