NGA ARKIVAT TANË
Dëshmitarët e Jehovait në Zelandën e Re—Të rrezikshëm për rendin publik?
Më 21 tetor 1940, Zelanda e Re i deklaroi Dëshmitarët e Jehovait organizatë subversive dhe të rrezikshme për rendin publik. Me gjithë vështirësitë që solli ajo deklaratë, Dëshmitarët e Jehovait nuk i lëshoi zemra. Për shembull, vazhduan të mblidheshin për të adhuruar, ndonëse rrezikonin të sulmoheshin e të arrestoheshin nga autoritetet.
Endi Klarku, bashkëshorti jo Dëshmitar i një Dëshmitareje të quajtur Meri, kishte merak se mos ia arrestonin gruan gjatë mbledhjeve, meqë ajo ishte e vendosur t’i ndiqte pavarësisht nga rreziku. Edhe pse zakonisht nuk kishte shkuar në mbledhje, Endi filloi ta shoqëronte Merin në mbledhje dhe i tha: «Po të arrestuan ty, le të më arrestojnë edhe mua.» Që nga ai moment, Endi ndoqi çdo mbledhje me gruan. Me kalimin e kohës, edhe ai u pagëzua si Dëshmitar. Njësoj si Meri, edhe shumë Dëshmitarë të tjerë në Zelandën e Re gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin të vendosur përballë përndjekjes.
Lulëzojnë në burgim
Një ditë, policia ndaloi 78-vjeçarin Xhon Mërei ndërsa po fliste shtëpi më shtëpi për Biblën. Gjykata e dënoi për pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate subversive. Dhjetëra Dëshmitarë të tjerë i çuan në gjyq; disa i gjobitën e të tjerë i burgosën deri në tre muaj për më shumë se një herë.
Dëshmitarët refuzuan shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. (Isaia 2:4) Si rezultat, gjatë luftës shumë kaluan vështirësi të mëdha kur i thirrën për shërbimin ushtarak. Për shembull, rreth 80 Dëshmitarë i mbajtën në kampe të burgosurish gjatë periudhës së luftës. Edhe atje, ndonëse vuanin keqtrajtimin dhe të ftohtin ekstrem, këta vëllezër vazhdonin ta adhuronin Jehovain me gëzim.
Dëshmitarët në kampet e të burgosurve menjëherë filluan të organizonin rregullisht mbledhjet për shërbim dhe adhurim. Ishin si një kongregacion, pasi mbanin rregullisht mbledhjet dhe u predikonin të burgosurve të tjerë. Dëshmitarët kishin leje të mbanin asamble në disa kampe, të shoqëruar nga një rojë. Disa të burgosur i njohën të vërtetat e Biblës në kampe dhe u pagëzuan atje.
Brusi, djali i vogël i Merit dhe Endit, të përmendur më sipër, e konsideroi kohën në kampet e të burgosurve si një mundësi për të mësuar më shumë për Perëndinë. Ai kujton: «Për mua, kampet ishin si një shkollë, sepse atje mund të bëja biseda të thella me vëllezër me përvojë dhe të mësoja shumë prej tyre.»
Në vitin 1944 qeveria mendoi të lironte disa nga Dëshmitarët në kampe. Mirëpo, autoritetet ushtarake kundërshtuan, sepse ishin të bindur se, po të liheshin të lirë, Dëshmitarët do të vazhdonin të flisnin me të tjerët për besimin. Në raportin e qeverisë thuhej: «Ndonëse burgimi mund t’i mbajë deri diku në kontroll këta fanatikë, ai nuk ka për t’i ndryshuar kurrën e kurrës.»
Të parrezikshëm për rendin publik
Ngaqë lajmi për Dëshmitarët kur vepra ishte e ndaluar u përhap gjithandej, disa njerëz u bënë kuriozë. Pak nga pak, shumë e kuptuan se Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin aspak të rrezikshëm për rendin publik. Dalluan se Dëshmitarët ishin të krishterë paqësorë e që s’i bënin keq askujt. Si pasojë, numri i Dëshmitarëve në Zelandën e Re u rrit nga 320 veta më 1939 në 536 më 1945.
Në disa raste, zyrtarë të arsyeshëm e kuptuan se ndalimi i Dëshmitarëve të Jehovait ishte i padrejtë. Një gjykatës, pasi dëgjoi dëshmitë kundër një vëllai që predikonte, e mbylli çështjen. Ai tha: «Për mendimin tim dhe konceptin tim për ligjin, është jashtë çdo logjike ta quash akt kriminal shpërndarjen e Biblave.»
Në fund të luftës, kur vepra nuk ishte më e ndaluar, Dëshmitarët ishin më të vendosur se kurrë të ndihmonin të tjerët të njihnin Mbretërinë e Perëndisë. Në vitin 1945, në një letër nga zyra e degës drejtuar të gjitha kongregacioneve në Zelandën e Re, thuhej: «Le të jemi miqësorë e të njerëzishëm dhe të tregojmë takt me të gjithë. Shmangni mosmarrëveshjet dhe debatet. Mos harroni se, njerëzit që takojmë, janë besimtarë të sinqertë dhe përpiqen të jetojnë sipas bindjeve të tyre. . . . Pjesa më e madhe janë ‘dele’ të Zotërisë, dhe ne duhet t’i drejtojmë te Jehovai dhe Mbretëria e tij.»
Sot, Dëshmitarët e Jehovait në Zelandën e Re vazhdojnë të flasin për mesazhin e Biblës me vendësit dhe turistët. Një ditë, brenda pak orësh, 4 Dëshmitarë në Turangi folën me 67 turistë nga 17 vende.
Pa dyshim, njerëzit në Zelandën e Re i konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait si të krishterë paqësorë e të devotshëm, që i vlerësojnë të vërtetat e Biblës. Qindra njerëz pagëzohen si Dëshmitarë të Jehovait çdo vit. Në vitin 2019, më shumë se 14.000 Dëshmitarë po i shërbenin me gëzim Jehovait në këtë vend jugor.
Një mbledhje për studimin e Biblës pak pas ndalimit të vitit 1940
Qelitë për një person në kampin e të burgosurve në North-Ajlënd, Zelandë e Re
Kampi i të burgosurve «Hautu» në North-Ajlënd, Zelandë e Re
Viti 1949, një grup Dëshmitarësh që kishin qenë të burgosur për shkak të asnjanësisë