Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Stendat me literaturë janë «dëshmi për të gjitha kombet»

Stendat me literaturë janë «dëshmi për të gjitha kombet»

1 PRILL 2023

 Për më shumë se dhjetë vjet, stendat me literaturë kanë tërhequr vëmendjen e shumë personave në shërbim. Në mbarë botën, thuajse të gjithë i njohin stendat tona. Përveçse tërheqëse, ato janë edhe praktike. Mbase je dakord me atë që thotë Asenata, një motër që jeton në Poloni: «Stendat duken të thjeshta, por ta kënaqin syrin. Mund t’i përdorësh e t’i lëvizësh kollaj.»

 E ke menduar ndonjëherë si janë dizenjuar dhe prodhuar këto stenda?

Një dizajn i efektshëm

 Në vitin 2001, me miratimin e Trupit Udhëheqës, vëllezërit e motrat në Francë filluan të provonin metoda të reja të dëshmisë publike, përfshirë edhe shërbimin me stenda. Ata përdorën lloje të ndryshme stendash. Për shembull, shndërruan valixhe dhe karroca pazari në stenda me literaturë. Me kalimin e kohës, dega e Francës zgjodhi një format standard që u përdor nga lajmëtarët për shumë vjet.

Një ndër stendat e para, Francë, 2005

 Vëllezërit në Francë u kënaqën shumë me rezultatet që patën nga kjo metodë e re e dëshmisë publike. Prandaj, në vitin 2011, Trupi Udhëheqës miratoi një program pilot në qytetin e Nju-Jorkut, SHBA, për dëshminë publike me anë të stendave dhe të tavolinave. Pionierët që morën pjesë në këtë program vunë re se stendat ishin shumë praktike dhe mund t’i lëvizje me lehtësi. Gjithashtu, këta pionierë dhanë edhe sugjerime praktike se si të përmirësohej dizajni. Stendat e para prej druri, që u punuan me dorë, ishin goxha të rënda dhe s’ishte e lehtë t’i ngjisje e t’i zbrisje nëpër shkallë. Ja pse u ndryshuan dhe u bënë më të lehta, por jo aq të lehta sa t’i merrte era. Dizajni i ri përfshinte rrota më të mëdha dhe më rezistente ndaj goditjeve. Kështu, stendat u bënë më të manovrueshme në terren të vështirë. Gjithashtu, u shtua një kuti e vogël për të mbajtur literaturë shtesë.

 Programi pilot pati shumë sukses. Prandaj, në vitin 2012, Trupi Udhëheqës miratoi që stendat me literaturë të përdoreshin në gjithë botën. U morën masa që një kompani të prodhonte sasi të mëdha stendash me materiale të lehta e rezistente.

 Përgjatë viteve, janë bërë disa përmirësime të vogla. Për shembull, në 2015-n u shtua një mbrojtëse plastike, transparente dhe kundër shiut. Dina, e cila jeton në Gjeorgji, shprehu mirënjohjen e saj për veçorinë e re me këto fjalë: «Stenda ka ‘mushamanë’ e vet për të mbrojtur botimet.» Në 2017-n, u vunë në dispozicion postera magnetikë për disa gjuhë. Tomazi, një vëlla që jeton në Poloni, thotë: «Posterat adezivë mezi hiqeshin. Posterat magnetikë janë një zgjidhje e shkëlqyer.» Në vitin 2019, për t’ua shtuar jetëgjatësinë stendave, u bënë ndryshime të mëtejshme si në material, edhe në prodhimin e tyre.

Prodhimi i stendave

 Të gjitha stendat prodhohen nga e njëjta kompani, e më pas u shpërndahen kongregacioneve në mbarë botën. Momentalisht, një stendë kushton rreth 43 dollarë amerikanë, pa përfshirë transportin dhe kostot e tjera. Deri tani, për stendat janë shpenzuar më shumë se 16 milionë dollarë, dhe më shumë se 420.000 stenda u janë dërguar kongregacioneve anembanë botës.

 Në mënyrë që kontributet të përdoren sa më mirë, stendat porositen në sasi të mëdha. Për më tepër, tani kongregacionet mund të porositin pjesë rezervë për t’i riparuar, në vend se t’i zëvendësojnë.

Dhënia e dëshmisë me stenda

 Lajmëtarët anembanë globit kënaqen duke dëshmuar me stenda. Martina nga Gana shprehet: «Në format e tjera të shërbimit, jemi ne që shkojmë te njerëzit. Ajo që më pëlqen te dëshmia me stenda është se njerëzit vijnë te ne. Edhe ata që thjesht kalojnë pranë, marrin dëshmi.»

 Në një vend tjetër afrikan, një burrë iu afrua një stende dhe mori disa botime në gjuhën e vet. Ai u kthye një javë më vonë dhe tha: «I mbarova të gjitha. Gjërat që lexova ishin shumë të rëndësishme. Do t’ia tregoj edhe familjes që kam në fshat.» Familja e tij jetonte rreth 500 kilometra larg. Dy muaj më vonë, ai erdhi përsëri dhe tha: «Njerëzit e fshatit tim i lexuan të gjitha botimet, dhe u pëlqyen shumë. Duan të bëhen Dëshmitarë të Jehovait, por kanë disa pyetje. Për shembull, ata mësuan se duhet të zhyten në ujë që të pagëzohen. Por s’kemi asnjë lumë afër fshatit. A duhet të vijmë këtu që të pagëzohemi?» Lajmëtarët morën masa që ai të kontaktohej nga një pionier që fliste gjuhën e tij. Që atëherë, kanë bërë rregullisht biseda të bukura për Biblën.

 Jemi shumë të lumtur që stendat po përdoren «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Si mbulohen shpenzimet që duhen për të prodhuar stendat? Me anë të dhurimeve që bëhen për veprën mbarëbotërore, shumë prej të cilave kryhen nëpërmjet donate.dan124.com. Faleminderit për bujarinë që tregoni!