Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ahmad Gharabli/​AFP via Getty Images

QËNDRONI VIGJILENTË!

A mund ta shmangë katastrofën klimatike bashkëpunimi mes kombeve?—Çfarë thotë Bibla?

A mund ta shmangë katastrofën klimatike bashkëpunimi mes kombeve?—Çfarë thotë Bibla?

 Të dielën, më 20 nëntor 2022, përfundoi Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP27. Në të u arrit një marrëveshje historike për të mbështetur financiarisht vendet e varfra që të përballojnë katastrofat që shkakton ndryshimi i klimës. E megjithatë, shumë veta e pranojnë se kjo nuk do ta zgjidhë njëherë e mirë problemin.

  •   Më 19 nëntor 2022, Antonio Guterresi, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, u shpreh: «Jam i kënaqur që u vendos të krijohej një fond për të ndihmuar vendet e varfra të përballojnë ndryshimet klimatike. Por e dimë mirë se kjo nuk mjafton. . . . Planeti ynë është ende në gjendje kritike për jetën.»

  •   «Bota është akoma buzë katastrofës klimatike.»—Meri Robinsoni, ish-presidente e Irlandës dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, 20 nëntor 2022.

 Sidomos të rinjtë janë të merakosur se si do t’i vejë filli planetit tonë. Megjithatë, a mund të bashkëpunojnë kombet e të mbajnë premtimin për t’i dhënë zgjidhje problemit të klimës? Çfarë thotë Bibla?

A do të bashkohen kombet dhe a do të kenë sukses?

 Bibla tregon se, pavarësisht nga puna e palodhur dhe nga përpjekjet e sinqerta të qeverive, çdo lloj progresi që mund të arrijnë për të zgjidhur krizën klimatike, do të jetë i kufizuar. Vini re 2 arsye pse e themi këtë:

  •   «Ajo që është e shtrembër, s’mund të drejtohet.»—Eklisiastiu 1:15.

     Kuptimi: Qeveritë nuk janë të afta të realizojnë gjithçka që duan, sepse njerëzit nuk u krijuan të vetëqeverisen. (Jeremia 10:23) Edhe sikur kombet të bashkohen, sërish do të jenë të paafta të zgjidhin problemet e botës, pavarësisht nga sa fort përpiqen.

  •   «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, lakmues parash, . . . nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje.»—2 Timoteut 3:2, 3.

     Kuptimi: Bibla paratha me saktësi se shumica e njerëzve në ditët tona do të ishin egoistë dhe aspak të gatshëm të bashkëpunonin për të mirën e përbashkët.

Arsye për shpresë

 Gjithsesi, e ardhmja e planetit tonë nuk është në dorë të qeverive njerëzore. Perëndia ka emëruar një Qeveritar të aftë për tokën, Jezu Krishtin. Bibla thotë për të:

  •   «Qeverinë do ta mbajë mbi supe. Emri i tij do të jetë Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes.»—Isaia 9:6, shënimi.

 Jezui është Mbret i Mbretërisë së Perëndisë, e cila është një qeveri qiellore. (Mateu 6:10) Ai ka fuqinë, mençurinë dhe dëshirën të kujdeset për planetin dhe për njerëzit. (Psalmi 72:12, 16) Nën udhëheqjen e tij, kjo qeveri qiellore do të shkatërrojë ata që «shkatërrojnë tokën» dhe do të përtërijë planetin.—Zbulesa 11:18; Isaia 35:1, 7.

 Që të mësosh më shumë për zgjidhjen përfundimtare të krizës klimatike, lexo artikullin «Ndryshimet e klimës dhe e ardhmja jonë—Çfarë thotë Bibla».