A po vjen fundi i botës? Çfarë është Apokalipsi?
Ç’të vjen në mendje kur dëgjon fjalën «apokalips»? Mbase një katastrofë globale, si për shembull, një katastrofë që i jep fund jetës në tokë? Disa mendojnë se së afërmi bota do të pësojë një katastrofë të tillë, sidomos kur lexojnë lajme si këto:
«Ka shumë gjasa të shpërthejë një luftë bërthamore. Mund të nisë qëllimisht, aksidentalisht ose për shkak të ndonjë keqkuptimi.»—Bulletin of the Atomic Scientists.
«Dhjetëvjeçarin e fundit, anekënd botës pati stuhi shkatërrimtare, zjarre në pyje, thatësira, zbardhje koralesh, nxehtësi përvëluese dhe përmbytje më shumë se kurrë më parë.»—National Geographic.
«Mizëritë e karkalecave në Afrikë kanë bërë namin si në asnjë nga dekadat e fundit.»—The Associated Press.
A do të marrë fund toka nga një apokalips global? Çfarë thotë Bibla?
A do të marrë fund planeti Tokë?
Jo. Fjala e Perëndisë, Bibla, na jep sigurinë se toka do të qëndrojë përjetë. (Eklisiastiu 1:4) Në vend që të shkatërrojë tokën që krijoi, Zoti ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’.—Zbulesa 11:18.
A po vjen fundi i botës?
Sipas Biblës, «bota» që do të marrë fund, është ajo pjesë e njerëzimit që shpërfill drejtimin e Zotit dhe bën çfarë i do qejfi. Njësoj si veproi në ditët e Noesë, Perëndia do t’u japë fund ‘njerëzve që e shpërfillin’.—2 Pjetrit 2:5; 3:7.
Siç thuhet te 1 Gjonit 2:17, «bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj». Ky varg tregon se Zoti nuk do të shkatërrojë planetin Tokë, por njerëzit që vazhdojnë të bëjnë të këqija.
Kur do të vijë fundi?
Bibla nuk e përcakton fiks kur do të vijë fundi. (Mateu 24:36) Megjithatë tregon se është fare pranë. Ajo parathoshte se:
«Nga njëri vend në tjetrin» do të kishte ngjarje, si luftëra, mungesa ushqimi, murtaja, ose pandemi, dhe tërmete të fuqishme.—Mateu 24:3, 7, 14; Luka 21:10, 11; Zbulesa 6:1-8.
Në përgjithësi, njerëzit do të ishin jashtë mase egoistë. Për shembull, do të ishin «lakmues parash», «mosmirënjohës» dhe «pa vetëkontroll».—2 Timoteut 3:1-5.
Mjaft veta janë dakord se që nga viti 1914, kushtet në botë përputhen me atë që parathoshte Bibla dhe se fundi është te dera. Për më shumë informacion, shih artikujt «Çfarë tregon kronologjia biblike për vitin 1914?» dhe «Çfarë është shenja e ‘ditëve të fundit’ ose e ‘kohës së mbarimit’?»
Çfarë kuptimi ka «apokalipsi» në Bibël?
Fjala origjinale greke e përkthyer «apokalips» në Bibël, në thelb ka kuptimin «zbulim». Shpesh, kjo fjalë përshkruan zbulimin e një informacioni të fshehur. Gjithashtu, Bibla flet për ‘zbulimin [ose apokalipsin] e Zotërisë Jezu’, që do të ndodhë kur Jezui të zbulohet si ai që ka fuqinë për të shfarosur nga toka gjithë ligësinë dhe të shpërblejë ata që adhurojnë Perëndinë.—2 Selanikasve 1:6, 7; 1 Pjetrit 1:7, 13.
Libri i fundit i Biblës titullohet Apokaʹlypsis, ose Zbulesa, sepse zbulon ngjarje të së ardhmes. (Zbulesa 1:1) Në këtë libër flitet për lajmin e mirë dhe për një mesazh shprese. (Zbulesa 1:3) Aty tregohet se Zoti do t’i zhdukë tërë padrejtësitë dhe do ta kthejë tokën në parajsë. Në atë kohë, njerëzit nuk do të përjetojnë më dhembje, vuajtje, madje as vdekje.—Zbulesa 21:3, 4.
A të pëlqen të mësosh më shumë për këto premtime fantastike nga Bibla? Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë një kurs falas për studimin e Biblës që mund të të ndihmojë. Pse të mos i kontaktosh që sot?