QËNDRONI VIGJILENTË!
Feja dhe lufta në Ukrainë—Çfarë thotë Bibla?
Kushtoju vëmendje disa lajmeve të kohëve të fundit për udhëheqës të shquar fetarë dhe për luftën në Ukrainë:
«Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, nuk ka thënë asnjë fjalë kundër sulmit të Rusisë. . . . Fushata propaganduese e Kishës së tij për Ukrainën është përdorur nga Putini si justifikim për luftën.»—EUobserver, 7 mars 2022.
«Patriarku Kirill . . . ka dhënë mesazhin më të fortë deri tani për të justifikuar sulmin e shtetit të tij kundër Ukrainës, duke e përshkruar konfliktin si pjesë e luftës kundër mëkatit.»—AP News, 8 mars 2022.
«Kreu i Kishës Ortodokse Ukrainase, Mitropoliti Epifani I i Kievit, të hënën i dha bekimin popullit të tij që ‘të luftonin kundër agresorëve rusë’ . . . [Ai] pohoi gjithashtu se nuk është mëkat të vrasësh ushtarë rusë.»—Jerusalem Post, 16 mars 2022.
«Ne [Këshilli Ukrainas i Kishave dhe i Organizatave Fetare (UCCRO)] mbështetim Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe të gjithë ata që mbrojnë vendin tonë, u japim bekimin për mbrojtjen e Ukrainës nga agresorët dhe lutemi për ta.»—Deklaratë e UCCRO-së a, 24 shkurt 2022.
Si mendon? A duhet t’i nxisin besimtarët të shkojnë në luftë fetë që pohojnë se ndjekin Jezu Krishtin? Çfarë thotë Bibla?
Historia e përfshirjes së fesë në luftë
Historia ka treguar se shpesh feja ka toleruar, ka justifikuar a madje ka nxitur luftën, ndërkohë që pretendonte se është përpjekur të promovojë paqen. Për dekada me radhë, Dëshmitarët e Jehovait e kanë demaskuar këtë hipokrizi fetare. Shqyrtoni çfarë kemi thënë për këtë çështje në botimet tona.
Artikulli «Kryqëzatat—Një ‘iluzion tragjik’», në anglisht, tregon se Kisha Katolike e Romës ishte përgjegjëse për masakrat që u kryen në emër të Zotit dhe të Krishtit.
Artikulli «Kisha Katolike në Afrikë», në anglisht, përshkruan se si feja nuk e ndaloi luftën mes fiseve, e madje as gjenocidin.
Artikujt «A ka faj feja?», «Roli i fesë në luftërat e njerëzimit», në anglisht, dhe «Feja mban anë», në anglisht, shpjegojnë se si në shumë luftëra kleri katolik, ortodoks dhe protestant ka përkrahur të dyja palët e përfshira në konflikt.
A duhet ta përkrahin luftën fetë e krishtere?
Çfarë mësoi Jezui: «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj.»—Mateu 5:44-47.
Mendo pak: A mund të pohojë një fe se u bindet urdhërimeve të Jezuit për dashurinë, e njëkohësisht të nxitë besimtarët e saj të vrasin të tjerët në luftë? Për të gjetur përgjigjen, lexo artikujt «Të krishterët e vërtetë dhe lufta», në anglisht, dhe «A është e mundur ta duash armikun tënd?»
Çfarë tha Jezui: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Nëse Mbretëria ime do të ishte pjesë e kësaj bote, dishepujt e mi do të kishin luftuar që të mos . . . dorëzohesha.» (Gjoni 18:36) «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.»—Mateu 26:47-52.
Mendo pak: Nëse të krishterët nuk duhej të luftonin as për të mbrojtur Jezuin, a ka kuptim të marrin armët për ndonjë arsye tjetër? Lexo artikullin «A duhet të përfshihen në luftë të krishterët?» për të kuptuar si e ndoqën me besnikëri të krishterët e shekullit të parë shembullin e Jezuit dhe si i zbatuan mësimet e tij.
Çfarë do të ndodhë me fetë që nxitin luftën?
Bibla mëson se Zoti nuk i pranon fetë që pohojnë se respektojnë Jezuin, por nga ana tjetër nuk zbatojnë mësimet e tij.—Mateu 7:21-23; Titit 1:16.
Libri i Zbulesës thotë se Perëndia i konsideron këto fe përgjegjëse për vdekjen e «tërë atyre që u vranë pa mëshirë mbi tokë». (Zbulesa 18:21, 24) Për të kuptuar arsyen, lexo artikullin «Çfarë është Babilonia e Madhe?»
Jezui tha se të gjitha fetë që Perëndia i ka hedhur poshtë, do të shkatërrohen për veprat e tyre të këqija, tamam siç «pritet dhe hidhet në zjarr» një pemë e kalbur që prodhon fryt të kalbur. (Mateu 7:15-20) Lexo artikullin «Fesë së rreme po i vjen fundi!» që të mësosh si do të ndodhë kjo.
Burimi i fotografive, nga e majta: fotografi nga Sefa Karacan/Anadolu Agency/Getty Images; Maxym Marusenko/NurPhoto via Getty Images
a UCCRO-ja, pra Këshilli Ukrainas i Kishave dhe i Organizatave Fetare, përbëhet nga 15 kisha që përfaqësojnë fenë ortodokse, fenë katolike greke dhe romake, fenë protestante dhe fenë evangjeliste, si edhe nga feja judaike e myslimane.