Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Siguria e grave—Këndvështrimi i Biblës

Siguria e grave—Këndvështrimi i Biblës

 Në mbarë botën, miliona gra e vajza janë abuzuar. A je një prej tyre? Zbulo pse Perëndia e ka merak sigurinë tënde dhe çfarë do të bëjë për keqtrajtimin e grave.

 «Kur isha e vogël, çdo ditë vëllai abuzonte fizikisht e verbalisht me mua. Pasi u martova, abuzimin e vazhdoi vjehrra. Ajo dhe vjehrri më trajtonin si skllave. E gjithë kjo më bëri të mendoj vetëvrasjen.»—Madú, a Indi.

 Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmon se «dhuna ndaj grave është e përhapur në gjithë botën». Sipas saj, thuajse 1 në 3 gra është dhunuar fizikisht ose seksualisht në një moment të jetës.

 Nëse ka ndodhur kështu me ty, mund të ndihesh sikur kudo që të shkosh, dikush do të abuzojë me ty verbalisht, fizikisht ose seksualisht. Si pasojë e kësaj dhune dhe keqtrajtimi gjinor, mund të ndihesh sikur shumica e njerëzve mendojnë se «gratë s’kanë vlerë». Po për Perëndinë, a kanë vlerë gratë?

Bibla tregon se Perëndia e ka merak sigurinë e grave

Cila është pikëpamja e Perëndisë për gratë?

 Shkrimi: «[Perëndia] i krijoi ata mashkull dhe femër.» —Zanafilla 1:27.

 Kuptimi: Perëndia krijoi si burrat, edhe gratë. Ai i konsideron të dy të denjë për respekt. Veç kësaj, Perëndia pret që burri «ta dojë gruan si veten», jo të përpiqet ta dominojë duke përdorur fjalë të ashpra a dhunë. (Efesianëve 5:33; Kolosianëve 3:19) Kuptohet qartë se Perëndia e ka merak sigurinë e grave.

 «Kur isha fëmijë, disa të afërm abuzuan seksualisht me mua. Kur u bëra 17 vjeçe, shefi më kërcënoi se do të më pushonte nga puna nëse nuk bëja seks me të. Pasi u rrita, jam përçmuar nga bashkëshorti, prindërit dhe fqinjët. Por, më vonë, njoha Jehovain, b Krijuesin. Ai i trajton gratë me respekt. Kjo më siguron se më do dhe se jam e çmuar në sytë e tij.»—Maria, Argjentinë.

Çfarë mund të të ndihmojë që të shërosh plagët e zemrës?

 Shkrimi: «Ka një mik që të bëhet vëlla e shkuar vëllait.»—Proverbat 18:24.

 Kuptimi: Një mik i vërtetë të mbështet. Nëse mendon se kjo do të të ndihmonte, hapu me dikë që mund t’i besosh.

 «Për 20 vjet nuk ia thashë askujt se më kishin ngacmuar seksualisht. Kjo më shkaktoi palumturi, ankth dhe depresion. Kur më në fund fola me dikë që ishte i gatshëm të më dëgjonte, u ndjeva jashtëzakonisht e lehtësuar.»—Elife, Turqi.

 Shkrimi: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai merakoset për ju.»—1 Pjetrit 5:7.

 Kuptimi: Kur lutesh, Perëndia të dëgjon vërtet. (Psalmi 55:22; 65:2) Ngaqë të ka merak, do të të ndihmojë të kuptosh sa e çmuar je për të.

 «Kur fillova të mësoja për Jehovain, nisa të shërohesha nga plagët e thella që kisha brenda meje. Tani ia zbraz zemrën Perëndisë në lutje. E kam si një mik që më kupton vërtet si ndihem.»—Ana, Belize.

A do t’i japë fund ndonjëherë Perëndia keqtrajtimit ndaj grave?

 Shkrimi: «O Jehova, . . . ti do t’i sigurosh drejtësi jetimit dhe të dërrmuarit, që çdo vdekatar mbi faqen e dheut të mos u kallë më frikën.»—Psalmi 10:17, 18.

 Kuptimi: Së shpejti Perëndia do të eliminojë të gjitha padrejtësitë, përfshirë mizoritë dhe dhunën ndaj grave.

 «Për mua ka qenë si balsam mbi plagë të mësoja se Jehovai së shpejti do t’i japë fund keqtrajtimit ndaj grave dhe vajzave. Kjo më ka dhënë paqe mendore.»—Roberta, Meksikë.

 Për të mësuar më shumë rreth shpresës që jep Bibla, pse mund t’u besosh premtimeve të saj dhe si Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë ndihmë nga Bibla që sot, kërkoji një vizitë falas.

 Shkarko versionin PDF të këtij artikulli.

a Emrat janë ndryshuar.

b Jehova është emri i Perëndisë. (Psalmi 83:18) Shih artikullin «Kush është Jehovai?»