Çfarë ka profetizuar Bibla për tërmetet e mëdha?
Çdo vit bien dhjetëra mijë tërmete. Edhe pse shumica janë të lehta, tërmetet e forta mund të sjellin shkatërrim, vuajtje e vdekje në masë të madhe. Në disa raste, tërmetet shkaktojnë tsuname që shkretojnë zonat bregdetare e që sjellin vdekjen e shumë njerëzve në ato zona. A i kishte parathënë Bibla këto tërmete të mëdha?
Në këtë artikull
A ka parathënë Bibla se do të ndodhin tërmete?
Bibla i përmend tërmetet në një profeci që dha Jezui. Fjalët e tij gjenden në tre libra të Biblës si më poshtë:
«Atëherë do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesa ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.»—Mateu 24:7.
«Atëherë do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, do të ketë tërmete nga njëri vend në tjetrin dhe do të ketë mungesa ushqimi.»—Marku 13:8.
«Do të ketë tërmete të mëdha, mungesa ushqimi dhe murtaja nga njëri vend në tjetrin.»—Luka 21:11.
Pra, Jezui paratha se ‘tërmetet e mëdha’ «nga njëri vend në tjetrin» do të ndodhnin në të njëjtën kohë me luftërat, mungesën e ushqimit dhe murtajat. Të marra së bashku, këto ngjarje shënojnë një periudhë të historisë njerëzore të quajtur ‘përfundimi i sistemit’ ose ‘ditët e fundit’. (Mateu 24:3; 2 Timoteut 3:1) Sipas kronologjisë së Biblës, ‘ditët e fundit’ filluan më 1914 dhe nuk kanë përfunduar ende.
A po e përmbushin tërmetet e ditëve tona profecinë e Biblës?
Po. Profecia e Jezuit, ku përfshihet ajo që tha për tërmetet, korrespondon me ngjarjet e ditëve tona. Që nga viti 1914, ka pasur më shumë se 1950 tërmete të mëdha, që në total kanë shkaktuar vdekjen e mbi dy milionë njerëzve. a Ja disa tërmete të shekullit të fundit.
2004—Oqeani Indian. Një tërmet 9,1 ballësh shkaktoi një tsunam që preku rreth 12 shtete dhe u mori jetën rreth 225.000 njerëzve.
2008—Kinë. Një tërmet 7,9 ballësh rrafshoi qytete e fshatra dhe përllogaritet të ketë shkaktuar vdekjen e 90.000 njerëzve dhe lëndimin e rreth 375.000 të tjerëve. Miliona mbetën të pastrehë.
2010—Haiti. Një tërmet 7 ballësh, i ndjekur nga disa pasgoditje të forta, shkaktoi vdekjen e më shumë se 300.000 njerëzve dhe la mbi një milion të pastrehë.
2011—Japoni. Një tërmet 9 ballësh dhe tsunamet që pasuan, shkaktuan vdekjen e gati 18.500 njerëzve. Qindra mijë u shpërngulën. Centrali bërthamor i Fukushimës u dëmtua duke shkaktuar një incident të madh bërthamor. Dhjetë vjet më vonë, rreth 40.000 njerëz ende nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre pranë këtij centrali për shkak të nivelit të lartë të ndotjes radioaktive.
Si ndikon te ne profecia e Biblës për tërmetet?
Profecia e Biblës për tërmetet na paralajmëron për atë që do të ndodhë së shpejti. Jezui tha: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se Mbretëria e Perëndisë është afër.»—Luka 21:31.
Bibla shpjegon se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale në qiell dhe se Jezu Krishti është Mbreti i saj. Pikërisht për këtë Mbretëri i mësoi Jezui dishepujt e tij të luteshin.—Mateu 6:10.
Kur Mbretëria e Perëndisë të qeverisë tokën, Perëndia nuk do të lejojë që katastrofat natyrore, përfshirë tërmetet, të dëmtojnë njerëzit. (Isaia 32:18) Veç kësaj, Ai do të zhbëjë dëmin fizik dhe emocional që po shkaktojnë sot tërmetet. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:3, 4) Për më shumë informacion lexo artikullin: «Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?»
a Statistikat janë marrë nga Global Significant Earthquake Database që mirëmbahet nga United States National Geophysical Data Center.