Albumi i dytë me foto nga Uoruik (shtator-dhjetor 2014)
Shih në këtë album me foto se sa ka përparuar puna në selinë e re të Dëshmitarëve të Jehovait nga shtatori deri në dhjetor të 2014-s.
11 shtator 2014—Parkingu për vizitorët
Parafabrikohen kapriata për godinën e banimit C duke përdorur ele çeliku.
18 shtator 2014—Kantieri në Uoruik
Pamje nga zona jugore e kantierit drejt veriut ku ndodhet Liqeni i Pyllit Sterling (Liqeni i Kaltër). Këtu kanë punuar njëkohësisht deri në 13 vinça. Në plan të parë, po hidhet beton për themelet e godinës së banimit B.
26 shtator 2014—Godina e zyrave dhe e shërbimeve
Gati për të montuar traversat dhe kolonat prej çeliku. Strukturat prej çeliku të përdorura në godinën e zyrave dhe të shërbimeve bëjnë të mundur realizimin e hapësirave të mëdha dhe në mënyrë të përshpejtuar.
9 tetor 2014—Kantieri në Uoruik
Punëtorët montojnë një çati të plotë për godinën e banimit C me kapriatat e parafabrikuara që i veshin me llamarinë dhe shtresë hidroizoluese. Nga prapa dhe majtas, po montojnë një pjesë çatie.
15 tetor 2014—Godina e zyrave dhe e shërbimeve
Kontraktues të jashtëm që montojnë traversat prej çeliku afër cepit jugperëndimor të godinës. Në këtë pjesë të godinës do të jetë kuzhina, dhoma e ngrënies, lavanderia dhe reparte të tjera ndihmëse.
15 tetor 2014—Kantieri në Uoruik
Duke i dhënë një fshesë të vogël një punëtori që po monton tubat e shkarkimit të ujërave
20 tetor 2014—Kantieri në Uoruik
Ky mur u ndërtua si model për të përcaktuar ngjyrën e llaçit dhe teknikën e vendosjes së tullave dhe të llaçit mes tyre. Ai u përdor edhe si demonstrim për muratorët e sapoardhur. Murin po e shembin sepse e ka përmbushur qëllimin.
31 tetor 2014—Godina e banimit C
Vendoset me vinç një pjesë çatie e parafabrikuar. Dy faqet ballore të çatisë së godinave të banimit u japin më tepër pamje kur i sheh nga larg.
7 nëntor 2014—Godina e mirëmbajtjes dhe parkingu për godinat e banimit
Depozita prej 95.000 litrash me lëndë djegëse vihet në vend. Lënda djegëse e këtyre depozitave do të furnizojë kaldajat.
12 nëntor 2014—Godina e banimit C
Pamje e faqes jugore të godinës, ku në cep djathtas duket Liqeni i Kaltër. Përdoren materiale me nuanca dhe përbërje të ndryshme për t’u dhënë godinave dorën e fundit nga jashtë, që të bëhen më tërheqëse.
21 nëntor 2014—Godina e mirëmbajtjes dhe parkingu për godinat e banimit
Një skuadër hidraulikësh, burrë e grua, po montojnë tubat e shkarkimit që gjithçka të jetë gati për derdhjen e betonit të dyshemesë.
28 nëntor 2014—Godina e zyrave dhe e shërbimeve
Po heqin borën nga tarraca.
1 dhjetor 2014—Godina e mirëmbajtjes dhe parkingu për godinat e banimit
Një skuadër tjetër hidraulikësh, burrë e grua, po shqyrtojnë planet e punimeve hidraulike.
10 dhjetor 2014—Godina e mirëmbajtjes dhe parkingu për godinat e banimit
Në një ditë me borë bëhen gërmime, ngrihen armatura dhe hidhet beton. Në cepin e sipërm majtas, disa pjesë të godinës së zyrave dhe të shërbimeve janë mbuluar me mushama të fortë. Kështu, gjatë gjithë dimrit mund të hidhet beton dhe të kryhen punime me materiale zjarrduruese, punë që duhen bërë në një temperaturë të caktuar.
12 dhjetor 2014—Godina e banimit D
Punëtorët po i veshin me një cipë kundër lagështirës kolonat dhe buzët e soletave, para se të vendosin panelet e jashtme të murit.
15 dhjetor 2014—Kantieri në Uoruik
Pamje nga lart drejt perëndimit. Sipër janë godinat e banimit. Godina e madhe e bardhë afër qendrës së fotografisë është godina e zyrave dhe e shërbimeve. Ndërtimet zënë më pak se 20 për qind të të gjithë pronës së përgjithshme prej 100 hektarësh, duke e lënë të paprekur pyllin aty pranë.
15 dhjetor 2014—Kantieri në Uoruik
Pamje nga lart drejt lindjes, ku nga pjesa e poshtme e fotografisë duken godinat e banimit C dhe D. Në godinën C, kontraktuesit po përfundojnë çatitë duke montuar panele metalike.
25 dhjetor 2014—Godina e banimit C
Një usta po shtron parket laminat në një dhomë-model. Për çdo dhomë banimi do të përdoret një nga katër opsionet e zgjedhura për punimet e brendshme. Këtu përfshihen ngjyrat e bojës, moketi, parketi, pllakat dhe banakët.
31 dhjetor 2014—Godina e zyrave dhe e shërbimeve
Po përfundohet me dorë shtrimi i dyshemesë me beton që të sigurohet pjerrësia e duhur për piletat e shkarkimit.
31 dhjetor 2014—Godina e banimit C
Një teknik 77 vjeç po vendos kabllo me fibra optike. Kur të ketë përfunduar projekti, do të jenë instaluar rreth 32 kilometra kabllo të këtij lloji.