Flasin për shpresën nga Bibla në Paris
Nga 30 nëntori-12 dhjetor 2015, në Paris të Francës u mblodhën delegatë nga 195 vende me rastin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP21). Në të u diskutua si të pakësohet ndikimi i veprimtarive njerëzore në klimën globale. Morën pjesë gati 38.000 veta, përfshirë qeveritarë, shkencëtarë, ambientalistë dhe biznesmenë të mëdhenj. Dhjetëra mijë të tjerë vizituan ambientet aty afër ku gjithkush mund të informohej më shumë për ndryshimet klimatike.
Edhe pse nuk morën pjesë në konferencë, Dëshmitarët e Jehovait interesohen për mbrojtjen e mjedisit. Qindra prej tyre morën pjesë në një fushatë speciale në Paris për të përhapur shpresën që jep Bibla për të jetuar në një planet pa ndotje.
Ndërsa përdorte transportin publik, një Dëshmitar foli me një burrë nga Peruja, që kishte veshur rroba tradicionale peruane. Ai shpjegoi se, ndonëse gëzon shëndet të mirë dhe i pëlqen jeta në një mal të bukur, prapëseprapë shqetësohet për të ardhmen e planetit. E preku shpresa e bukur që i tregoi Dëshmitari, dhe me një buzëqeshje rrëzëllyese e pranoi kartvizitën me adresën e sitit tonë www.dan124.com.
Dy Dëshmitarë folën në tren me një shkencëtar mjedisi nga Amerika. U habit që Dëshmitarët e Jehovait kanë marrë dy herë çmimin «Katër globe të gjelbërta» nga organizata Green Building Initiative. Ato ishin vlerësim për dizenjimin dhe ndërtimin pro mjedisit të dy ndërtesave të reja në degën e Dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara, Uollkill, Nju-Jork. Edhe ai e pranoi me kënaqësi kartvizitën.
Të mrekulluar nga interesi i sinqertë i Dëshmitarëve për të mbrojtur mjedisin, mjaft veta premtuan se do të hynin në sitin tonë. Kur një delegate nga Kanadaja dëgjoi se Dëshmitarët ishin përpjekur të mbronin zonën ku ngrenë çerdhen mëllenjat blu në Uoruik, Nju-Jork, ku ndodhen godinat e reja të selisë botërore të Dëshmitarëve, tha: «Para se të bëhesha ambientaliste, isha ornitologe. Nuk e dija se Dëshmitarët e Jehovait i respektonin kaq shumë gjallesat. Do t’i lexoj botimet tuaja dhe do të hyj në sitin tuaj për të mësuar më shumë rreth jush.»