Lajmi i mirë shkon te detarët
Sipas disa përllogaritjeve, në mbarë botën ka një milion e gjysmë detarë. Si arrijnë Dëshmitarët e Jehovait t’ua japin mesazhin e Biblës sa më shumë detarëve, meqenëse ata udhëtojnë vazhdimisht nga njëri port në tjetrin? Kur një anije ankorohet në port, Dëshmitarë të përgatitur tregohen të gatshëm të hipin në anije e t’u ofrojnë përgjegjësve dhe ekuipazhit kurse biblike falas dhe literaturë në gjuhën që dëshirojnë.
Ç’rezultate ka sjellë kjo nismë? Stefano, një Dëshmitar vullnetar në portin e Vankuverit, Kanada, shpjegon: «Disa mendojnë se detarët janë burra të vrazhdë e të pandjeshëm. Ndonëse disa mund të jenë të tillë, pjesa më e madhe janë të përulur dhe kanë dëshirë të zjarrtë të mësojnë.» Stefano shton: «Shumë prej tyre besojnë te Perëndia dhe duan të kenë bekimin e tij, prandaj shpeshherë na mirëpresin ngrohtësisht.» Nga shtatori i 2015-s deri në gusht të 2016-s, vetëm në Vankuver, Dëshmitarët e Jehovait u ftuan në bordet e anijeve mbi 1.600 herë. Detarët morën mijëra botime në shumë gjuhë dhe më tepër se 1.100 prej tyre nisën të studionin Biblën.
Si i vazhdojnë bisedat biblike me detarët?
Ngaqë Dëshmitarë predikojnë kudo në portet përreth botës, detarët që duan të flasin sërish për Biblën, kërkojnë t’i vizitojnë në portin e radhës. Për shembull, në maj të 2016-s, Dëshmitarët e Jehovait në Vankuver takuan Uarliton, kryekuzhinier në një anije mallrash. Ata i treguan videon Pse ta studiosh Biblën? dhe nisën një studim biblik me broshurën Një lajm i mirë nga Perëndia. Uarlito u kënaq nga kjo vizitë dhe donte ta vazhdonte studimin e Biblës, por destinacioni i radhës ishte porti i largët i Paranaguas në Brazil.
Mbi një muaj më vonë, kur anija më në fund u ankorua në Paranagua, Uarlito nuk u besonte syve kur dy Dëshmitarë brazilianë hipën në shkallët e anijes dhe e kërkuan me emër. Ata thanë se bashkëbesimtarët në Vankuver u kishin dërguar kërkesën e tij për ta vizituar. Uarlito u entuziazmua kur takoi Dëshmitarët brazilianë dhe i falënderoi nga zemra që morën masa për ta takuar. Me kënaqësi pranoi të vazhdonte studimin e Biblës me Dëshmitarët në portin e radhës.