Përkthim pa tekst
Dëshmitarët e Jehovait përkthejnë materiale të bazuara në Bibël nga anglishtja në mbi 900 gjuhë. Përkthimi i një teksti të shkruar në një gjuhë tjetër të shkruar është tashmë goxha sfidues. Por, përkthimi në gjuhën e shenjave kërkon punë ekstra. Shumë persona që nuk dëgjojnë, komunikojnë me anë të duarve dhe të shprehjeve të fytyrës, ja pse përkthyesit e gjuhës së shenjave e përkthejnë tekstin në video. Kështu, Dëshmitarët përkthejnë botime në më tepër se 90 gjuhë shenjash.
Kush përkthen?
Si të gjithë përkthyesit Dëshmitarë, ata që përkthejnë në gjuhën e shenjave e njohin në majë të gishtave këtë gjuhë. Shumë nuk dëgjojnë dhe janë rritur duke përdorur gjuhën e shenjave, ose dëgjojnë, por kanë pasur në shtëpi familjarë që nuk dëgjojnë. Gjithashtu, përkthyesit janë studentë të zellshëm të Biblës.
Përkthyesit e rinj marrin goxha stërvitje për të mësuar parimet e përkthimit. Për shembull, Endrju thotë: «Edhe pse teksa rritesha ndoqa shkollën për persona që nuk dëgjojnë dhe e kam përdorur gjuhën e shenjave, stërvitja si përkthyes më ka ndihmuar të kuptoj gramatikën e gjuhës. Përkthyesit e tjerë më mësuan si të përmirësoj shenjat, shprehjet e fytyrës dhe lëvizjet e trupit për t’i përcjellë saktë idetë.»
Bëjnë çmos të përkthejnë me cilësi
Përkthyesit punojnë së bashku si një skuadër. Çdo pjesëtar ka një rol specifik, përkthen, kontrollon ose redakton materialin. Pastaj, sa herë është e mundur, materiali i përkthyer rishikohet nga një panel me persona që nuk dëgjojnë nga zona dhe formime të ndryshme. Komentet e tyre përdoren për të rritur cilësinë e përkthimit. Ky hap ndihmon që shenjat dhe shprehjet e përdorura të jenë të natyrshme dhe që mesazhi në videon përfundimtare të jetë i saktë dhe i qartë.
Zakonisht, përkthyesit e gjuhës së shenjave i ndjekin mbledhjet e kongregacionit në këtë gjuhë. Gjithashtu, shpesh drejtojnë studime biblike me persona që nuk dëgjojnë, të cilët nuk janë Dëshmitarë. Kjo i ndihmon të jenë në një hap me gjuhën e përditshme.
Pse kaq shumë përpjekje?
Bibla tregon se njerëz nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» do ta pranonin mesazhin e saj ngushëllues e shpresëdhënës. (Zbulesa 7:9) Dhe, sigurisht, mes tyre janë edhe ata që komunikojnë me gjuhën e shenjave.
Përkthyesit janë të lumtur që përdorin kohën dhe aftësitë e tyre në një punë kaq dobiprurëse. Një përkthyes me emrin Toni, thotë: «I kuptoj mirë vështirësitë e personave që nuk dëgjojnë, se as unë nuk dëgjoj. Gjithmonë kam pasur dëshirë të zjarrtë të bëj diçka për sa më shumë persona që nuk dëgjojnë dhe t’u flas për shpresën e vërtetë të Biblës.»
Edhe Amanda punon në një skuadër përkthimi për gjuhën e shenjave. Ajo shton: «Tani që përkthej në gjuhën e shenjave botime që përmbajnë mesazhin e Biblës, ndihem shumë më e dobishme se në punën e mëparshme.»
Si t’i gjesh videot në gjuhën tënde të shenjave?
«Si të gjesh material në gjuhën e shenjave» është një udhëzues që të ndihmon të gjesh video në gjuhën e shenjave në sitin jw.org.