Kalo te përmbajtja

BIBLA TË NDRYSHON JETËN

«Rrugët u bënë shtëpia ime»

«Rrugët u bënë shtëpia ime»
  • Lindur: 1955

  • Vendi i lindjes: Spanjë

  • Të dhëna: Abuzonte me drogën, alkoolin dhe ishte i dhunshëm

E KALUARA IME:

 Disa njerëzve u duhet shumë kohë të mësojnë nga përvojat e tyre të hidhura. I tillë isha edhe unë. Kam lindur dhe jam rritur në Barcelonë, qyteti i dytë më i madh në Spanjë. Familja banonte në zonën e Somorrostros, e cila zinte një pjesë të madhe të bregdetit të qytetit. Somorrostro kishte nam të keq për krime dhe trafikun e drogës.

 Prindërit e mi kishin nëntë fëmijë dhe unë isha më i madhi. Ngaqë ishim shumë të varfër, babai më punësoi në një klub tenisi vendës, ku mblidhja topat e tenisit. Isha vetëm dhjetë vjeç dhe punoja dhjetë orë çdo ditë. Ja pse nuk shkoja dot në shkollë si shumica e bashkëmoshatarëve. Në moshën 14-vjeçare nisa punë si makinist në një fabrikë metalpunuese.

Më 1975 u bëra pjesë e Legjionit të Huaj Spanjoll në Afrikën Veriore dhe vesha uniformën e tij karakteristike

 Më 1975 më thirrën të kryeja shërbimin ushtarak që në atë kohë ishte i detyruar në Spanjë. Doja të bëja një aventurë në jetë, ndaj dola vullnetar të bashkohesha me Legjionin e Huaj Spanjoll në Melilë, enklavë spanjolle në Afrikën Veriore. Gjatë asaj kohe u zhyta në botën e fëlliqur të abuzimit me drogën dhe me alkoolin.

 Pasi u largova nga Legjioni, u ktheva në Barcelonë dhe formova një bandë. Vidhnim ça të na kapte dora, pastaj i shisnim dhe, me paratë, blinim drogë. Nisa të merrja droga, si LSD e amfetaminë dhe u zhyta kokë e këmbë në një jetë plot seks, alkool dhe bixhoz. Kjo lloj jete shkatërrimtare më bëri gjithnjë e më të dhunshëm. Me vete mbaja gjithnjë një thikë, sëpatë ose hanxhar dhe s’kisha frikë t’i përdorja po ta shihja të nevojshme.

 Në një rast, bashkë me bandën, vodhëm një makinë dhe nisi të na ndiqte policia. Ishte si skenë filmi. Pasi kishim bërë rreth 30 kilometra, policia filloi të na qëllonte. Në fund shoferi humbi kontrollin e makinës dhe u përplasëm, pastaj ia mbathëm me të katra. Kur e mori vesh im atë, më dëboi nga shtëpia, dhe s’do mend pse.

 Për pesë vitet pasuese, rrugët u bënë shtëpia ime. Flija në pragjet e dyerve, kamionë, stola parqesh dhe në varreza. Madje, për njëfarë kohe jetova në një shpellë. S’kisha kurrfarë qëllimi në jetë dhe pak rëndësi kishte nëse jetoja apo vdisja. Më kujtohet që, nën ndikim e drogës, bëja prerje te kyçet dhe krahët. Ato shenja s’më kanë ikur sot e kësaj dite.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

 Kur isha 28 vjeç, mamaja erdhi të më kërkonte që të kthehesha në shtëpi. Pranova dhe i premtova se do ta vija jetën në vijë, ama m’u desh ca kohë që ta mbaja fjalën.

 Një pasdite, në derë trokitën dy Dëshmitarë të Jehovait. Teksa i dëgjoja, nga brenda shtëpisë babai më bërtiste t’ua përplasja derën në fytyrë. Meqë kurrë s’më kishte pëlqyer të më urdhëronin, vendosa të mos ia vija veshin. Dëshmitarët më ofruan tre libra të vegjël të cilët i pranova me kënaqësi. I pyeta ku i mbanin mbledhjet dhe, pas ca ditësh, shkova në Sallën e Mbretërisë.

 Gjëja e parë që më ra në sy ishte se të gjithë kishin veshje të rregullta e të pastra. Kurse unë kisha flokë të gjatë, mjekër të çrregullt dhe rroba të vjetra e të rreckosura. E kuptova që s’kisha ku të futesha ashtu, ndaj ndenja jashtë sallës. Por, për habinë time, më kapi syri Huanin, një ish-pjesëtar të bandës që e kisha pasur shok, tashmë i veshur me kostum. Më vonë mësova se ishte bërë Dëshmitar i Jehovait vetëm një vit më parë. Prania e tij më dha zemër të merrja pjesë në atë mbledhje. Dhe pikërisht nga ai moment nisi të ndryshonte gjithë jeta ime.

 Pranova të studioja Biblën dhe shpejt kuptova se, nëse doja të kisha miratimin e Perëndisë, duhej të ndryshoja karakterin tim agresiv dhe jetën imorale. Kjo nuk ishte aspak e lehtë. Mësova se, për t’i pëlqyer Perëndisë Jehova, ‘duhej të shndërrohesha, duke përtërirë mendjen’. (Romakëve 12:2) Mëshira e Perëndisë më preku thellë. Pavarësisht nga të gjitha gabimet, ndjeva se Ai po më jepte mundësi t’ia nisja nga e para. Gjërat që mësova për Perëndinë Jehova m’u rrënjosën thellë në zemër. Kuptova qartë se kishte një Krijues që interesohej për mua.​—1 Pjetrit 5:6, 7.

 Kjo më nxiti të bëja ndryshime. Për shembull, gjatë studimit të Biblës, kur po flitnim për çështjen e duhanit, i thashë vetes: «Nëse Perëndia Jehova dëshiron që unë të jem i pastër dhe i pandotur në çdo kuptim, atëherë duhet ta lë se s’bën duhanin.» (2 Korintasve 7:1) Dhe, ashtu ndodhi, ato cigare përfunduan në koshin e plehrave!

 Një ndryshim tjetër ishte të mos përdorja e të mos shisja më drogë. Për këtë m’u desh më tepër kohë e përpjekje. E dija se, që të arrija këtë synim, duhej të shkëputja çdo lidhje me shoqërinë e mëparshme, pasi s’po më ndihmonte të lidhesha më ngushtë me Perëndinë. Gjithsesi, me kalimin e kohës fillova të mbështetesha më shumë te Perëndia dhe te miqtë e rinj në kongregacion. Nuk e kisha përjetuar kurrë më parë atë lloj dashurie dhe interesi që treguan për mua si person. Pas disa muajsh, më në fund arrita të çlirohesha nga droga dhe ‘të vishja personalitetin e ri’ falë të cilit mund të fitoja miratimin e Perëndisë. (Efesianëve 4:​24) Në gusht të 1985-s u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.

 DOBITË

 Bibla ma përmirësoi jetën. Më çliroi nga mënyra e dëmshme e jetesës që po më rrënonte shëndetin e dinjitetin. Faktikisht, mbi 30 veta nga shoqëria e mëparshme vdiqën në moshë të re nga SIDA ose sëmundje të tjera që lidheshin me drogën. Jam tepër mirënjohës që zbatimi i parimeve biblike m’i ka kursyer këto pasoja tragjike.

 Thikat dhe sëpatat që mbaja si i ri i dhunshëm tani i përkasin së kaluarës. S’më kishte shkuar kurrë në mend se një ditë në vend të tyre do të mbaja Biblën e do ta përdorja për të ndihmuar njerëzit. Sot bashkë me gruan, edhe ajo Dëshmitare e Jehovait, shërbejmë si predikues në kohë të plotë.

 Prindërit e mi nuk u bënë kurrë Dëshmitarë të Jehovait, megjithatë i vlerësonin dobitë që më solli studimi i Biblës. Madje, babai i mbronte Dëshmitarët para kolegëve. Ai e kuptonte fare qartë se feja ime e re më kishte ndryshuar jashtëzakonisht për mirë. Kurse mamaja thoshte shpesh se duhej ta kisha filluar më shpejt studimin e Biblës. Jam plotësisht dakord me të!

 Përvojat e jetës më kanë mësuar sa e pamend është ta kërkosh kënaqësinë te droga apo te vese të tjera. Tani kënaqem vërtet teksa u flas të tjerëve për mësimet e Fjalës së Perëndisë—mësime që më shpëtuan jetën.