«Kam pritur të më marrësh në telefon»
Edi dhe gruaja e tij, Xheni, dhanë dëshmi me telefon për herë të parë në 2010-n. a Xheni thotë: «S’e kisha fare me qejf. I thashë tim shoqi: ‘S’kam për ta bërë më kurrë.’» Pak a shumë kështu ndihej edhe Edi. Ai thotë: «S’më pëlqen kur më marrin në telefon për të më shitur diçka, prandaj s’e imagjinoja dot të jepja dëshmi me telefon.»
Pastaj erdhi COVID-19, dhe Dëshmitarët e Jehovait e ndërprenë shërbimin shtëpi më shtëpi. Por, në mënyrë që t’i bindeshin urdhrit të Jezuit për të predikuar lajmin e mirë, ata e vazhduan shërbimin kryesisht me anë të letrave dhe të telefonit. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ndërkohë, mbledhjet e krishtere, përfshirë edhe mbledhjet për shërbim, mbaheshin me anë të videokonferencave. Në një prej tyre, Edi mori guximin për të dhënë përsëri dëshmi me telefon. Si u ndie kur ishte gati të bënte telefonatën e parë? Ai thotë: «Kisha aq shumë emocione, saqë u luta për ndihmë. Më pas i rashë telefonit, dhe kështu u njoha me Tironin.» b
Tironi dhe gruaja e tij, Edita, jetojnë në një zonë rurale të Kentakit, SHBA. Në moshën 83-vjeçare, Tironit filloi t’i dobësohej shikimi. Pavarësisht nga kjo, ai pranoi të studionte Biblën me Edin. Materialin për studim e lexonte me anë të një xhami zmadhues dhe filloi të studionte Biblën rregullisht me Edin nëpërmjet telefonit.
Rreth një muaj më vonë, si Tironi, si Edita, nisën të ndiqnin mbledhjet e kongregacionit që mbaheshin në zonën e tyre. Megjithatë, ngaqë nuk kishin internet ata lidheshin me anë të telefonit. Si iu rrit interesi për të vërtetën Editës?
Gjatë studimit me Tironin, Edi dhe Xheni dëgjonin Editën teksa ndihmonte Tironin të gjente përgjigjet dhe shkrimet në Biblën e tyre. Por ajo vetë nuk shfaqte interes për të studiuar. Xheni thotë: «Te zëri i saj arrija të dalloja se ishte e shumë trishtuar, por nuk e kuptoja arsyen pse.»
Një ditë, Xheni vendosi se duhej të fliste me Editën. Prandaj, kur erdhi rasti i duhur, ajo i kërkoi Edit telefonin dhe i tha Tironit: «Në sfond dëgjoj zërin e gruas suaj, dhe thjesht kisha dëshirë që edhe ajo të lexonte një shkrim ose të jepte një koment.»
Pas një pauze të shkurtër, Edita, me një zë të butë, filloi të thoshte: «Mezi kam pritur të flas me ty.» Më pas vazhdoi: «Edhe unë jam Dëshmitare e Jehovait. Por kam 40 vjet që jam joaktive.»
Xheni u shtang dhe tha me zë të lartë: «Ti je motra ime.» Pastaj që të dyja nisën të qanin nga gëzimi.
Shumë shpejt, Edi i dha Editës një kopje të broshurës Kthehu te Jehovai. Gjatë javëve pasuese, Edi dhe Xheni vunë re një ndryshim pozitiv te Edita. Edi thotë: «Në fillim, te zëri i saj kishte shumë trishtim. Kurse tani ka veç gëzim.» Edita përparoi shumë dhe filloi të shërbente përsëri si një lajmëtare e lumtur e lajmit të mirë. Burri i saj u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait në korrik të 2022-shit.
Kur Edi kujton qëndrimin që kishte ndaj dëshmisë me telefon, ai sjell ndër mend edhe bisedën që bëri me Tironin. Pasi Edi i lexoi Gjonin 6:44 dhe i shpjegoi se Jehovai i tërheq njerëzit drejt së vërtetës, Tironi ra dakord dhe shtoi: «Unë kam pritur të më marrësh në telefon.» Edhe Xheni është e lumtur që bashkë me të shoqin morën guximin për të dhënë dëshmi me telefon. Ajo pranon: «Jehovai i bekoi përpjekjet tona.»