Pse Dëshmitarët e Jehovait e kremtojnë Darkën e Zotërisë ndryshe nga fetë e tjera?
Ne i përmbahemi ngushtësisht Biblës në mënyrën si e kremtojmë Darkën e Zotërisë, e cila quhet edhe Darka e fundit ose Përkujtimi i vdekjes së Jezuit. (1 Korintasve 11:20) Kurse shumë bindje dhe praktika të feve të tjera për këtë kremtim nuk bazohen në Bibël.
Qëllimi
Qëllimi i Darkës së Zotërisë është të kujtojmë Jezuin, të tregojmë mirënjohje për flijimin e tij në dobinë tonë. (Mateu 20:28; 1 Korintasve 11:24) Ky kremtim nuk është një sakrament, pra një praktikë fetare që jep hir ose faljen e mëkateve. a Bibla na mëson se mëkatet mund të na falen vetëm nëpërmjet besimit te Jezui dhe jo nga një rit fetar.—Romakëve 3:25; 1 Gjonit 2:1, 2.
Sa shpesh?
Jezui i urdhëroi dishepujt të përkujtonin Darkën e Zotërisë, por nuk e specifikoi sa shpesh. (Luka 22:19) Disa mendojnë se duhet kremtuar çdo muaj, kurse të tjerë e mbajnë çdo javë, çdo ditë, disa herë në ditë ose sa herë t’i duket e përshtatshme dikujt. b Megjithatë, ja disa faktorë që duhen marrë parasysh.
Jezui e themeloi Darkën e Zotërisë në datën e Pashkës judaike, dhe vdiq më vonë po atë ditë. (Mateu 26:1, 2) Kjo nuk ishte rastësi. Shkrimet e krahasojnë flijimin e Jezuit me flijimin e qengjit të Pashkës. (1 Korintasve 5:7, 8) Pashka mbahej një herë në vit. (Dalja 12:1-6; Levitiku 23:5) Po ashtu, të krishterët e shekullit të parë e mbanin një herë në vit Përkujtimin e vdekjes së Jezuit, c dhe Dëshmitarët e Jehovait ndjekin këtë model që ka Bibla.
Data dhe ora
Modeli që la Jezui na ndihmon të përcaktojmë jo vetëm shpeshtësinë, por edhe datën e orën e Përkujtimit. Ai e nisi kremtimin pas perëndimit të diellit, më 14 nisan të vitit 33 të e.s., sipas kalendarit hënor biblik. (Mateu 26:18-20, 26) E mbajmë Përkujtimin në këtë datë çdo vit, dhe kështu ndjekim modelin e të krishterëve të shekullit të parë. d
Edhe pse 14 nisani i vitit 33 të e.s. i binte të premten, përvjetori i kësaj date mund të qëllojë në një ditë tjetër të javës, çdo vit. Ne përcaktojmë kur bie 14 nisani çdo vit duke përdorur të njëjtën metodë që përdorej në kohën e Jezuit, në vend që të aplikojmë metodën që përdoret për kalendarin judaik të ditëve tona. e
Buka dhe vera
Për këtë kremtim të ri, Jezui përdori bukë pa maja dhe verë të kuqe që mbeti nga vakti i Pashkës. (Mateu 26:26-28) Duke ndjekur këtë model, përdorim bukë pa maja ose pa përbërës të tjerë dhe verë të kuqe safi, jo lëng rrushi ose verë të ëmbëlsuar, forcuar ose aromatizuar.
Disa fe përdorin bukë me maja ose tharm, por majaja në Bibël shpesh përdoret si simbol i mëkatit dhe i prishjes. (Luka 12:1; 1 Korintasve 5:6-8; Galatasve 5:7-9) Pra, vetëm buka pa maja dhe pa përbërës të tjerë mund të përdoret si simbol i përshtatshëm i trupit të pamëkat të Krishtit. (1 Pjetrit 2:22) Një tjetër praktikë që Bibla s’e mbështet është zëvendësimi i verës me lëng rrushi të pafermentuar. Disa kisha e bëjnë këtë sepse e ndalojnë konsumimin e alkoolit, gjë që nuk bazohet në Bibël.—1 Timoteut 5:23.
Simbolet, jo mish dhe gjak i mirëfilltë
Buka pa maja dhe vera e kuqe shërbenin në Përkujtim si simbole, ose emblema, të mishit dhe të gjakut të Krishtit. Simbolet nuk shndërrohen mrekullisht në mish dhe gjak të mirëfilltë, e as nuk përzihen me mishin dhe gjakun, siç mendojnë disa. Shqyrtoni këto prova nga Bibla.
Nëse Jezui do t’i kishte urdhëruar dishepujt të pinin gjakun e tij, do të ishte sikur po u thoshte të shkelnin ligjin e Perëndisë që ndalon konsumimin e gjakut. (Zanafilla 9:4; Veprat 15:28, 29) Por s’mund të jetë kështu, sepse Jezui kurrë nuk do t’i kishte udhëzuar të tjerët të shkelnin ligjin e Perëndisë për shenjtërinë e gjakut.—Gjoni 8:28, 29.
Nëse apostujt do të kishin pirë vërtet gjakun e Jezuit, ai s’do të thoshte se gjaku i tij ‘do të derdhej’ duke nënkuptuar se flijimi i tij s’kishte ndodhur ende.—Mateu 26:28.
Flijimi i Jezuit u bë «një herë të vetme». (Hebrenjve 9:25, 26) Por nëse buka dhe vera do të shndërroheshin në mishin dhe në gjakun e tij gjatë Darkës së Zotërisë, atëherë ata që marrin simbolet i bie që e përsëritin këtë flijim.
Jezui tha: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim», jo «në flijimin tim».—1 Korintasve 11:24.
Ata që besojnë në transubstancim, pra se buka dhe vera bëhen trupi dhe gjaku i mirëfilltë i Jezuit, e bazojnë këtë doktrinë te formulimi i disa vargjeve të Biblës. Për shembull, në shumë përkthime të Biblës dokumentohet se Jezui tha për verën: «Ky është gjaku im.» (Mateu 26:28, Diodati i Ri) Megjithatë, fjalët e Jezuit mund të përkthehen edhe: «Ky nënkupton gjakun tim», «Ky përfaqëson gjakun tim» ose «Ky paraqet gjakun tim». f Siç bënte shpesh gjatë mësimdhënies, Jezui po përdorte një metaforë.—Mateu 13:34, 35.
Kush i merr simbolet?
Kur Dëshmitarët e Jehovait mbajnë Darkën e Zotërisë, vetëm një grup i vogël prej nesh merr nga buka dhe vera. Pse?
Gjaku i derdhur i Jezuit themeloi ‘një besëlidhje të re’ që zëvendësoi besëlidhjen mes Perëndisë Jehova dhe kombit të lashtë të Izraelit. (Hebrenjve 8:10-13) Ata që janë pjesë e kësaj besëlidhjeje të re marrin simbolet e Përkujtimit. Këtu nuk hyjnë të gjithë të krishterët, por vetëm «ata që janë thirrur» në mënyrë të veçantë nga Perëndia. (Hebrenjve 9:15; Luka 22:20) Këta do të qeverisin në qiell me Krishtin dhe Bibla thotë se vetëm 144.000 veta e marrin këtë privilegj.—Luka 22:28-30; Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3.
Ndryshe nga ‘kopeja e vogël’, pra ata që janë thirrur të qeverisin me Krishtin, shumë prej nesh shpresojmë të jemi pjesë e një ‘shumice të madhe’ që do të ketë jetën e përhershme në tokë. (Luka 12:32; Zbulesa 7:9, 10) Ne me shpresë tokësore nuk marrim simbolet e Përkujtimit, ama jemi të pranishëm për të shprehur mirënjohjen për flijimin që Jezui bëri për dobinë tonë.—1 Gjonit 2:2.
a McClintock and Strong’s Cyclopedia, vëllimi IX, faqja 212, thotë: «Termi sakrament nuk gjendet te Dhiata e Re; as fjala greke μυστήριον [mysteʹrion] nuk zbatohet në asnjë rast për pagëzimin ose darkën e Zotërisë, ose për ndonjë kremtim tjetër publik.»
b Disa përkthime të Biblës përdorin shprehjen «aq herë sa» kur i referohen Darkës së Zotërisë. Kjo shprehje është interpretuar sikur tregon sa shpesh duhet kremtuar Darka. Sidoqoftë, në këtë kontekst, kuptimi i saktë i termit në gjuhën origjinale është «sa herë të» ose «kurdo».—1 Korintasve 11:25, 26; Diodati i Ri; Simon Filipaj.
c Shih The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, vëllimi IV, faqet 43-44, dhe McClintock and Strong’s Cyclopedia, vëllimi VIII, faqja 836.
d Shih The New Cambridge History of the Bible, vëllimi 1, faqja 841.
e Kalendari judaik i ditëve tona përcakton fillimin e muajit të nisanit sipas hënës së re astronomike, por në shekullin e parë nuk përdorej kjo teknikë. Muaji fillonte kur hëna e re dukej për herë të parë në Jerusalem. Kjo dukuri mund të ndodhë një ose më shumë ditë pas hënës së re astronomike. Ky ndryshim është një arsye pse data kur e mbajnë Përkujtimin Dëshmitarët e Jehovait nuk korrespondon gjithmonë me datën që përdorin judenjtë e sotëm për Pashkën.
f Shih A New Translation of the Bible, nga James Moffatt; The New Testament—A Translation in the Language of the People, nga Charles B. Williams; dhe The Original New Testament, nga Hugh J. Schonfield.