A i detyrojnë Dëshmitarët e Jehovait njerëzit të ndryshojnë fenë?
Jo, ne nuk i detyrojmë. Në revistën tonë kryesore, Kulla e Rojës, kemi thënë: «T’i detyrosh njerëzit që të ndërrojnë fenë është e gabuar.» a Nuk i detyrojmë njerëzit për arsyet vijuese.
Jezui nuk i detyronte kurrë njerëzit të pranonin mësimet e tij. Ai e dinte se relativisht pak veta do ta pranonin mesazhin që predikonte. (Mateu 7:13, 14) Kur disa dishepuj u tronditën nga diçka që tha, Jezui nuk i detyroi të rrinin, por i la të iknin.—Gjoni 6:60-62, 66-68.
Jezui i mësoi dishepujt të mos i detyronin të tjerët të ndryshonin bindjet e tyre. Në vend që t’i shtynin të tjerët të pranonin me zor lajmin e mirë për Mbretërinë, kundër vullnetit të tyre, dishepujt duhej të kërkonin persona që ishin të gatshëm për të pranuar.—Mateu 10:7, 11-14.
Ndryshimi i fesë me detyrim s’ka kuptim, sepse Zoti pranon vetëm adhurimin që vjen nga zemra.—Ligji i përtërirë 6:4, 5; Mateu 22:37, 38.
A është vepra jonë prozelitizëm?
Është e vërtetë që ne e përhapim mesazhin e Biblës «deri në skajin më të largët të tokës» dhe këtë e bëjmë «publikisht dhe shtëpi më shtëpi», siç urdhërohet në Bibël. (Veprat 1:8; 10:42; 20:20) Dhe, ashtu si të krishterët e hershëm, edhe ne na akuzojnë herë pas here për prozelitizëm të paligjshëm. (Veprat 18:12, 13) Por këto akuza janë të rreme. Ne nuk përpiqemi t’ia imponojmë askujt bindjet tona. Përkundrazi, besojmë se njerëzit duhen lejuar të marrin njohuri, që të mund të bëjnë një zgjedhje të bazuar në informacione.
Ne nuk i detyrojmë njerëzit të ndryshojnë fenë e tyre, as merremi me politikë nën petkun e fesë dhe as premtojmë ndonjë përfitim në aspektin material ose social për të patur më shumë besimtarë. Kjo është si nata me ditën në krahasim me disa që thonë se janë të krishterë, por që e kanë çnderuar Krishtin me veprime të tilla. b
A ka të drejtë dikush ta ndryshojë fenë e tij?
Po, Bibla tregon se njerëzit kanë të drejtë të ndryshojnë fe. Aty përmenden shumë veta që zgjodhën të mos praktikonin fenë e të afërmve të tyre dhe, me vullnet të lirë, vendosën të adhuronin Perëndinë e vërtetë. Ndër ta ishin Abrahami, Rutha, disa banorë në Athinë dhe apostulli Pavël. (Josiu 24:2; Rutha 1:14-16; Veprat 17:22, 30-34; Galatasve 1:14, 23) Përveç kësaj, Bibla pranon edhe të drejtën që ka çdo person të marrë vendimin jo të mençur për të braktisur adhurimin që miraton Zoti.—1 Gjonit 2:19.
Të drejtën për të ndryshuar fenë e mbështet edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, të cilën Kombet e Bashkuara e kanë quajtur «themeli i ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut». Ky dokument thotë se çdokush ka «lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet» dhe lirinë «për të kërkuar, për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide», përfshirë edhe ide fetare. c Sigurisht, këto të drejta mbartin edhe detyrimin për të respektuar të drejtat e të tjerëve, qoftë për të ruajtur bindjet e tyre, qoftë për të mos pranuar ide për të cilat nuk janë dakord.
Kur dikush ndërron fe, a i shkel traditat dhe zakonet e familjes?
S’ka pse. Bibla na nxit t’i respektojmë të gjithë, pavarësisht nga feja që kanë. (1 Pjetrit 2:17) Përveç kësaj, Dëshmitarët e Jehovait i binden urdhrit të Biblës për të nderuar prindërit, edhe nëse kanë besim tjetër.—Efesianëve 6:2, 3.
Prapëseprapë, jo të gjithë njerëzit janë dakord me pikëpamjen e Biblës. Një grua që u rrit në Zambie, tregon: «Në komunitetin tim ndërrimi i fesë . . . konsiderohej një akt jobesnikërie, tradhti ndaj familjes dhe komunitetit.» Ajo u përball me këtë problem që adoleshente, kur filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe pak më pas vendosi të ndryshonte fe. Më tej, thotë: «Vazhdimisht prindërit më thoshin se ishin shumë të pakënaqur me mua dhe se po i zhgënjeja. Ishte shumë e vështirë, pasi miratimi i prindërve ka shumë vlerë për mua. . . . Edhe pse kam zgjedhur t’i qëndroj besnike Jehovait dhe jo traditave fetare nuk do të thotë se nuk po i qëndroj besnike familjes.» d
a Shih Kullën e Rojës, 1 janar 2002, faqja 12, paragrafi 15.
b Për shembull, rreth vitit 785 të e.s., Karli i Madh nxori një dekret që i dënonte me vdekje banorët e Saksonisë që nuk pranonin të pagëzoheshin si të krishterë. Gjithashtu, traktati «Paqja e Augsburgut» që u nënshkrua në vitin 1555 të e.s. nga fraksione ndërluftuese në Perandorinë e Shenjtë Romake, thoshte se çdo sundimtar i një territori duhet të jetë katolik romak ose luteran dhe se kushdo që është nën sundimin e tij duhet të ketë fenë e tij. Atyre që nuk e pranonin fenë e sundimtarit, u kërkohej të emigronin.
c Të drejta të ngjashme përfshihen te Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve, Deklarata Amerikane për të Drejtat dhe Detyrimet e Njeriut, Karta Arabe për të Drejtat e Njeriut 2004, Deklarata e ASEAN (Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore) për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Gjithsesi, edhe kombet që pohojnë se i sigurojnë këto të drejta, nuk i përkushtohen njësoj mbrojtjes së tyre.
d Jehova është emri i Perëndisë së vërtetë siç tregohet në Bibël.