11 JANAR 2024
ARMENI
Një dekadë që Dëshmitarët e Jehovait në Armeni kryejnë shërbim alternativ civil
«Ofrimi i shërbimit alternativ ishte një ndër vendimet më të mençura që ka marrë shteti ynë»,—thotë një përfaqësues i Komitetit Republikan për Shërbimin Alternativ në Armeni
Më 14 janar 2024, bëhen 10 vjet që kur, në Armeni, është ofruar shërbimi alternativ civil. Programi për shërbimin alternativ civil bën të mundur që kushdo që refuzon shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, të japë kontributin e tij në komunitet duke punuar në forma të ndryshme të shërbimit publik, në vend që të shërbejë në ushtri. Disa nga punët që mund t’u caktohen janë: ndërtimi, kopshtaria, puna sociale ose shërbime të tjera publike. Që kur hyri në fuqi, mbi 450 Dëshmitarë të Jehovait, të gjithë djem të rinj, kanë zgjedhur të marrin pjesë në këtë lloj shërbimi.
Vëlla Samuel Petrosjani tani po kryen shërbimin alternativ civil duke punuar si kopshtar. Ai thotë: «Përpiqem të kem një reputacion të mirë. Për shembull, bëj çmos t’i kryej caktimet e mia siç duhet dhe të jem i ndershëm në çdo gjë. Falë kësaj, përgjegjësit e mi gjithmonë më kanë trajtuar mirë e me respekt.»
Vëlla Artur Martirosjani punoi për 3 vjet në një spital si pjesë e shërbimit alternativ civil. Ai tregon: «Jam mirënjohës që pata mundësi të ndihmoja njerëzit që ishin në nevojë. Kjo përvojë më ndihmoi edhe mua që të bëhesha më i pjekur. Mësova si të isha më elastik, si të përballoja me sukses stresin dhe si të isha më i aftë në komunikim.»
Para vitit 2014, vëllezërit tanë të rinj në Armeni merrnin dënime të gjata me burg, meqenëse ndërgjegjja nuk i lejonte të shërbenin në ushtri. Duke komentuar për suksesin që ka pasur programi për shërbimin alternativ civil në Armeni, një zyrtar i lartë tha: «Në fillim, isha kundër shërbimit alternativ civil, sepse kisha merak sigurinë kombëtare dhe se mos kjo masë do të keqpërdorej. . . . Megjithatë, me kohë kam kuptuar se e kisha gabim. Tani që kanë kaluar disa vjet, kuptohet qartë se . . . Dëshmitarët e Jehovait nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ndërkohë që kryejnë shërbim alternativ. Përkundrazi, falë [programit për] shërbimin alternativ, kemi punëtorë të përkushtuar në sektorë të ndryshëm.»
Një anëtar i Komitetit Republikan për Shërbimin Alternativ komentoi: «Kanë kaluar 10 vjet që kur filloi të zbatohej shërbimi alternativ në Armeni. . . . Me krenari e pranojmë se ofrimi i shërbimit alternativ ishte një ndër vendimet më të mençura që ka marrë shteti ynë. Inspektimet e rregullta që u bëhen institucioneve ku kryhen shërbime alternative, kanë zbuluar se ata që marrin pjesë në këtë program, punojnë pa u lodhur, me një frymë pozitive dhe me një buzëqeshje në fytyrë. Vit pas viti, marrim shumë letra mirënjohjeje për punën e shkëlqyer që po bëjnë në komunitet Dëshmitarët e Jehovait në shërbimin alternativ civil. Drejtuesit e institucioneve i lavdërojnë vazhdimisht si punonjësit më të shkëlqyer që kanë.»
Dëshmitarët e Jehovait në Armeni e vlerësojnë mundësinë për t’i kontribuar komunitetit me anë të shërbimit alternativ civil ndërkohë që i sjellin lavdi Jehovait me anë të ‘veprave të shkëlqyera’.—1 Pjetrit 2:12.