11 QERSHOR 2015
AZERBAJXHAN
Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë t’i jepet fund burgimit të padrejtë në Azerbajxhan
Dëshmitarët e Jehovait po u kërkojnë autoriteteve ndërkombëtare të kundërshtojnë burgimin e padrejtë të Irina Zaharçenkos dhe Valida Jabrajilovas. Dy gratë janë në burg që nga data 17 shkurt 2015, kur Gjykata e Krahinës Sabail i dënoi me tre muaj paraburgim për të ashtuquajturën shpërndarje të paautorizuar të literaturës fetare. Kohët e fundit, gjykata e zgjati burgimin edhe dy muaj.
Gra paqësore trajtohen si kriminele të rrezikshme
Më 5 dhjetor 2014, znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova po u flitnin banorëve të një kompleksi apartamentesh në Baku për bindjet e tyre të bazuara në Bibël, kur policia i ndaloi. Policia i liroi gratë pas disa orësh, por hetuesit i thirrën herë pas here për t’i marrë në pyetje. Më 17 shkurt 2015, agjentë të Ministrisë së Sigurisë Kombëtare (MSK) i sollën papritur gratë në një gjyq me dyer të mbyllura ku i paditën penalisht. Gjykatësi i cilësoi ato si «kërcënim për publikun», që të justifikonte paraburgimin. Menjëherë pas kësaj, MSK-ja i burgosi gratë në selinë e saj, që tregohet në figurën sipër.
Që nga ajo kohë, agjentë të MSK-së kanë bërë kontrolle të imtësishme në shtëpitë e tyre, duke konfiskuar literaturë fetare, blloqe shënimesh personale, një laptop dhe një celular. Gjykata ka rrëzuar çdo kërkesë në dobi të grave dhe refuzon ta zëvendësojë masën e paraburgimit me arrest shtëpie.
Shqetësim i madh për shëndetin dhe mirëqenien e tyre
Avokatët, familja dhe miqtë janë të shqetësuar për gjendjen shëndetësore dhe mirëqenien e dy grave, që ata mendojnë se po keqësohen. Znj. Zaharçenko është 55 vjeçe. Mjekët e kanë klasifikuar si 80 për qind invalide, për shkak të një artriti të rëndë dhe të një dëmtimi të mëparshëm në këmbën e djathtë.
Në veçanti ekziston një shqetësim i madh për gjendjen emocionale të grave. MSK-ja lejon t’u bëjnë vizita vetëm avokatët. Të afërmit mund t’u dërgojnë sende të nevojshme si rroba, ilaçe dhe sapun vetëm një herë në muaj. Në përpjekje për t’i inkurajuar, familjarët kanë provuar t’u japin një Bibël, por MSK-ja nuk u ka dhënë leje.
A do të nxitet Azerbajxhani të tregojë tolerancë fetare?
Si pjesë të hetimit të znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova, MSK-ja ka thirrur dhe ka marrë në pyetje të paktën 20 Dëshmitarë të tjerë dhe ka kontrolluar të paktën dhjetë shtëpi të tyre. Përveç kësaj, zyrtarë që përfaqësojnë MSK-në, agjentë të Komitetit Shtetëror për Shoqatat Fetare dhe policia, kontrolluan në Sallën e Mbretërisë ku gratë adhurojnë Zotin.
Ngaqë autoritetet e Azerbajxhanit nuk u kanë dhënë mundësi tjetër, Dëshmitarët e Jehovait kanë paraqitur kërkesë pranë Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe kanë kontaktuar disa organizata ndërkombëtare që t’u tërheqin vëmendjen ndaj burgimit dhe trajtimit të padrejtë nga ana e Azerbajxhanit të znj. Zaharçenko dhe znj. Jabrajilova. Azerbajxhani ka marrë angazhime ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, dhe krenohet duke thënë se është një vend me tolerancë fetare.
Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë me respekt që qeveria e Azerbajxhanit të respektojë detyrimet e saj për të drejtat e njeriut dhe t’i lejojë Dëshmitarët të adhurojnë në paqe. Ata i bëjnë thirrje qeverisë së Azerbajxhanit t’i lirojë menjëherë këto gra të pafajshme.