Kalo te përmbajtja

11 DHJETOR 2015
AZERBAJXHAN

Rashad Neftaljevi gjobitet dhe burgoset për pjesëmarrje në mbledhje fetare

Rashad Neftaljevi gjobitet dhe burgoset për pjesëmarrje në mbledhje fetare

Rashad Neftaljevi, Dëshmitar i Jehovait, burgoset për herë të dytë gjatë 14 muajve, ngaqë nuk kishte paguar gjobat për pjesëmarrje në mbledhje fetare. Më 19 nëntor 2015 një gjykatë në Ganjë, Azerbajxhan, e dënoi me 25 ditë burg, sepse po i paguante tepër avash gjobat për «organizim dhe drejtim të mbledhjeve fetare».

Tani gjobat e z. Neftaljev arrijnë në 9.450 manat (11.375 dollarë amerikanë). Edhe pse beson se gjobat janë të padrejta, po i paguan me këste të vogla për shkak të të ardhurave të tij të pakta.

Ndëshkohet ngaqë ndoqi një mbledhje fetare

Z. Neftaljev u arrestua së fundmi pasi policia bastisi një mbledhje fetare më 14 nëntor 2015 në Ganjë, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan. Policia e ndërpreu këtë mbledhje fetare dhe çoi 27 veta në Rajonin e Policisë të Krahinës së Kapazit, Ganjë. 12 prej tyre, ndër ta edhe z. Neftaljev, u akuzuan se kishin shkelur ligjin duke marrë pjesë në një mbledhje fetare. * Në seancat me dyer të mbyllura që u zhvilluan nga 18-25 nëntori, Gjykata e Krahinës së Kapazit, Ganjë, gjobiti nëntë prej tyre me 2.000 manat (1.911 dollarë) secilin, për pjesëmarrje në një «mbledhje fetare pa lejen e duhur».

Më 19 nëntor zyra e përmbarimit e thirri z. Neftaljev për ta pyetur pse i kishte paguar nga pak pesë gjobat e pesë viteve të kaluara, të marra me të njëjtën akuzë. Ai shpjegoi se po përpiqej ta shlyente borxhin dhe se në cilat rrethana ndodhej—kishte të ardhura të pakta dhe duhej të mbështeste nënën e sëmurë—mirëpo, përmbarimi e paraqiti çështjen në gjyq. Kur dëgjoi çështjen, Gjykata e Krahinës së Kapazit, Ganjë, e burgosi menjëherë. Pas kësaj, gjykata e gjobiti për pjesëmarrje në mbledhjen fetare të 14 nëntorit, duke ia shtuar borxhin dhe duke e ndëshkuar sërish pa të drejtë për besimin e tij.

Pengohen mbledhjet për adhurim

Më 14 nëntor policia bastisi mbledhjen e Dëshmitarëve, duke e çuar në tetë numrin e bastisjeve në Ganjë që nga viti 2010. * Në përgjithësi, bastisjet nga policia ndoqën të njëjtën skemë: Dëshmitarët janë mbledhur paqësisht në grupe të vogla në shtëpi private. Vjen policia pa mandat kontrolli ose urdhër gjykate, pa u identifikuar qartë, por edhe pa shpjeguar arsyen pse ka ardhur. Ndërpret mbledhjen, u konfiskon Biblat dhe literaturën fetare, filmon vendin, fyen dhe kërcënon me fjalë të pranishmit.

Më pas i çon të gjithë në rajonin e policisë, edhe fëmijët e të moshuarit. Po atë ditë programohet një seancë gjyqësore; me raste, gjykata u jep mundësi të kontaktojnë avokatët dhe u lë ca ditë që të përgatiten për mbrojtjen. Në disa raste media vendëse i ka bërë publike këto arrestime dhe madje ka transmetuar pamje filmike të Dëshmitarëve ndërsa pritnin në rajonin e policisë.

Regjistrimi kërkohet, ama mohohet vazhdimisht

Ngaqë Dëshmitarët në Ganjë nuk kanë arritur të regjistrohen ligjërisht, autoritetet u thonë se mbledhjet e tyre fetare janë të jashtëligjshme. Gjykata e Krahinës së Kapazit, Ganjë, përdori këtë arsyetim kur gjobiti të pranishmit në mbledhjen e 14 nëntorit dhe tha se «komuniteti i Dëshmitarëve të Jehovait nuk ka marrë leje zyrtare nga autoritetet përkatëse për të ushtruar veprimtarinë në qytetin e Ganjës». *

Në kundërshtim me këtë vendim, Azerbajxhani nuk ka ndonjë ligj i cili të detyron të marrësh leje nga Shteti, që të mblidhesh me të tjerë për të adhuruar. Neni 21 i Ligjit për lirinë e bindjeve fetare, thotë: «Adhurimi, . . . ritet dhe ceremonitë fetare duhen kryer lirisht në vendet e adhurimit . . . si dhe në apartamentet ose në shtëpitë e shtetasve.»

Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar ligjërisht në kryeqytet, Baku, dhe që nga viti 2010 kanë bërë shumë kërkesa për t’u regjistruar në Ganjë. Gjithsesi, çdo herë Komiteti Shtetëror për Shoqatat Fetare i ka refuzuar kërkesat me pretekstin se kanë gabime teknike ose nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Kërkesa më e fundit e Dëshmitarëve në Ganjë u dorëzua më 10 nëntor 2015 dhe është ende pezull.

Përpjekjet për liri fetare

Dëshmitarët e Jehovait në Azerbajxhan po bëjnë çmos të komunikojnë me autoritetet, që të regjistrohen ligjërisht e të mbrojnë të drejtat e njeriut. Megjithatë, ngaqë padrejtësitë po vazhdojnë, Dëshmitarët atje kanë paraqitur 21 kërkesa pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për rastet kur autoritetet nuk kanë respektuar të drejtën e tyre të lirisë së fesë dhe kanë shkelur të drejtën për të praktikuar lirisht besimin.

Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë që qeveria e Azerbajxhanit t’u njohë të drejtat që garantojnë ligjet e vendit për gjithë shtetasit​—si liria e adhurimit—​dhe të mos i ndëshkojë më adhuruesit e sinqertë, si z. Neftaljev.

^ par. 5 Konkretisht, ata janë akuzuar se kanë shkelur nenin 299/0.2 të Kodit për Shkeljet Administrative, sipas të cilit ndalohen «organizimi dhe mbajtja e mbledhjeve fetare, procesionet dhe ceremonitë e tjera fetare» pa lejen e autoriteteve vendëse.

^ par. 8 Ka pasur bastisje edhe në Lankaran, Lokbatan, Mingaçëvir, Shamkir dhe Zagatalë.

^ par. 11 Autoritetet mbështeten në nenin 12 të Ligjit për lirinë e bindjeve fetare, që thotë: «Çdo shoqatë fetare mund të kryejë veprimtaritë e saj vetëm pasi të jetë regjistruar nga autoritetet ekzekutive përkatëse dhe të jetë përfshirë në regjistrin shtetëror për shoqatat fetare.» Megjithatë, ky nen zbatohet për entet ligjore fetare. Ai nuk i ndalon njerëzit të mblidhen së bashku për të adhuruar. Shih edhe nenin 4 të Ligjit për lirinë për t’u mbledhur, sipas të cilit shteti nuk mund të ndërhyjë në «ceremonitë fetare».