Kalo te përmbajtja

26 PRILL 2017
FILIPINE

Dëshmitarët organizojnë punën e rindërtimit pas supertajfunit Nock-Ten

Dëshmitarët organizojnë punën e rindërtimit pas supertajfunit Nock-Ten

MANILË, Filipine—Dëshmitarët e Jehovait në Filipine kanë nisur një projekt të madh ndihme në rast katastrofash që të riparojnë e të rindërtojnë shtëpitë që dëmtoi ose shkatërroi supertajfuni Nock-Ten (të cilin vendësit e quajnë «Nina»).

Xhejson Dotimasi (majtas) dhe Bethel Alvarezi (djathtas), punëtorë ndërtimi Dëshmitarë, duke rindërtuar një Sallë Mbretërie në qytetin e Polanguit, Filipine. Të dy udhëtuan mbi 650 kilometra për të ndihmuar

Më 25 dhjetor 2016 një tajfun i kategorisë 4, Nock-Ten, goditi rajonin e Bikolit, duke sjellë shkatërrime të mëdha. Sipas raporteve, nga stuhia vdiqën 10 veta dhe u dëmtuan mbi 390.000 ndërtesa. Asnjë Dëshmitar i Jehovait nuk vdiq e nuk u dëmtua, megjithatë u dëmtuan ose u shkatërruan komplet mbi 300 shtëpi të tyre, si dhe 24 vende adhurimi (që quhen Salla Mbretërie). Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Filipine ngriti një komitet ndihme në rast katastrofash me qendër në qytetin e Nagës, që të ndihmojë familjet e Dëshmitarëve të prekur.

«Deri më tani vullnetarët tanë kanë riparuar 271 shtëpi të bashkëbesimtarëve dhe 22 Salla Mbretërie. Skuadrat tona të ndihmës do të vazhdojnë të riparojnë 38 shtëpitë dhe 2 Sallat e Mbretërisë që kanë mbetur, me synimin që t’i mbarojnë në fund të prillit 2017»,—tha Dean Jacek, një zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Filipine.

Shtëpi të përfunduara. Me materiale të parafabrikuara, një shtëpi mund të ndërtohet për gjashtë ditë

Puna mbarëbotërore e Dëshmitarëve të Jehovait, duke përfshirë edhe ndihmën në rast katastrofash, drejtohet nga Trupi i tyre Udhëheqës dhe mbështetet nga kontributet vullnetare. Nga më se 8 milionë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën, mbi 209.000 mijë jetojnë në Filipine.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Filipine: Dean Jacek, +63-2-224-4444