24 TETOR 2017
GJEORGJI
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut njeh pranimin e fajit nga Gjeorgjia
Më 12 tetor 2017 Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) nxori një vendim ku njihte pranimin e fajit nga Republika e Gjeorgjisë për shkeljen e të drejtave të dhjetë Dëshmitarëve të Jehovait. Për çështjen Gabunia dhe të tjerët kundër Gjeorgjisë, qeveria ra dakord t’i paguante secilit nga 800 euro (947 dollarë amerikanë) si dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të lirisë së fesë e të lirisë nga diskriminimi, që mbrohen nga nenet 9 dhe 14 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Konventa).
Në shtator të 2005-s dhjetë Dëshmitarë paraqitën një padi pranë GJEDNJ-së për katër raste kur turma ekstremistësh ortodoksë i kishin sulmuar për arsye fetare. Katër incidentet ishin pjesë e një fushate përndjekjeje fetare që nxiti shteti ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji, e cila zgjati nga tetori 1999 deri në nëntor 2003. Organet e ruajtjes së rendit ishin bashkëfajtore në këto sulme, sepse ushtruan dhunë vetë ose nuk u siguruan mbrojtje viktimave.
Para rastit Gabunia, GJEDNJ-ja kishte marrë tri vendime tepër të ashpra kundër Gjeorgjisë. Në këto vendime kritikonte qeverinë ngaqë nuk i kishte mbrojtur të drejtat e Dëshmitarëve kur u dhunuan gjatë asaj periudhe. Ajo nxori përfundimin se mosveprimi i organeve të ruajtjes së rendit «do t’i linte vend për dyshime shoqërisë civile se kriminelët bashkëpunojnë me përfaqësuesit e shtetit». Më tej tha se «autoritetet gjeorgjiane krijuan një klimë pandëshkueshmërie, e cila kohët e fundit u ka kontribuar sulmeve të tjera kundër Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë vendin». Gjithashtu, GJEDNJ-ja konstatoi se «organet gjyqësore i kishin toleruar aktet e dhunshme ndaj paditësve» dhe se gjykatat gjeorgjiane ishin treguar «paragjykuese dhe sipërfaqësore» në shqyrtimin e padive të viktimave.
Duke nxjerrë një deklaratë të njëanshme ku «pranonte me keqardhje» se u kishte shkelur të drejtat e mbrojtura nga Konventa, Gjeorgjia arriti t’i shpëtonte një vendimi të katërt, i cili pa dyshim do të përmbante të njëjtat kritika si në tri vendimet e mëparshme. Sot, Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji nuk janë më shënjestër e sulmeve të turmave dhe të përndjekjes fetare të nxitur nga shteti. Tani ata gëzojnë lirinë e fesë.