Kalo te përmbajtja

23 DHJETOR 2021
GJERMANI

Dalin librat e Mateut dhe të Gjonit në gjuhën gjermane të shenjave

Dalin librat e Mateut dhe të Gjonit në gjuhën gjermane të shenjave

Më 18 dhjetor 2021, vëlla Dirk Grundmani, anëtar i Komitetit të Degës i Evropës Qendrore, prezantoi librat e parë të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re që dolën në gjuhën gjermane të shenjave. Këtë program, ku u prezantuan librat e Mateut dhe të Gjonit, e ndoqën streaming rreth 800 veta.

Qeveria gjermane e njohu si gjuhë gjuhën gjermane të shenjave vetëm në vitin 2002. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani kanë mbajtur asamble dhe kongrese të interpretuara në këtë gjuhë që nga vitet 60. Sot ka 571 lajmëtarë që shërbejnë në 11 kongregacione dhe 21 grupe të gjuhës gjermane të shenjave.

Një vëlla interpreton programin në gjuhën e shenjave gjatë një kongresi në Mynih, Gjermani, në vitin 1973

Kjo është hera e parë që libra të plotë të Biblës u përkthyen në gjuhën gjermane të shenjave. Më përpara, lajmëtarët kishin vetëm disa vargje të Biblës të përkthyera të cilat i përdornin gjatë studimit personal dhe shërbimit.

Një lajmëtar tha: «Meqë nuk kishim Biblën e plotë, por vetëm disa shkrime të caktuara, ishte e vështirë të gjeje një parim të Biblës ose një provë për të mbështetur bindjet tona. Për të njëjtën arsye ishte e vështirë edhe të motivoje një student të Biblës të shqyrtonte diçka nga Bibla çdo ditë.»

Skuadra e përkthimit për gjuhën gjermane të shenjave regjistron një video në studion e tyre

Një përkthyes tha: «Është vërtet e mrekullueshme të punosh me Biblën dhe të përkthesh fjalën e Jehovait me qëllim që dikush që nuk dëgjon, të lidhë miqësi me Të. Jemi shumë të lumtur që patëm mundësi të punonim në këtë projekt.»

Lutemi që Përkthimi Bota e Re në gjuhën gjermane të shenjave të ndihmojë edhe më shumë njerëz zemërbutë të njohin udhën e Jehovait.—Psalmi 25:9.