Kalo te përmbajtja

Zyra e kancelarit të shtetit të Renanisë dhe të Vestfalisë Veriore

10 TETOR 2017
GJERMANI

Gjermania u jep Dëshmitarëve të Jehovait statusin më të lartë ligjor

Gjermania u jep Dëshmitarëve të Jehovait statusin më të lartë ligjor

Pas më shumë se 26 viteve procedurash ligjore, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani morën të njëjtin status ligjor si fetë e tjera kryesore në vend. Më 27 janar 2017 Renania dhe Vestfalia Veriore ishte shteti i fundit nga 16 shtetet gjermane që u dha Dëshmitarëve status ligjor publik. Ky vendim është domethënës për Dëshmitarët pasi, ndonëse kanë mbi 100 vjet në Gjermani, selia e tyre kombëtare dhe mijëra kongregacione në vend konsideroheshin shoqata fetare të pavarura. Tani që Dëshmitarët fituan një status ligjor publik në të gjitha shtetet gjermane, shihen si një ent i vetëm fetar dhe gëzojnë dobitë që vijnë si rrjedhojë.

Beteja e gjatë për të fituar statusin ligjor publik

Kur Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan fillimisht në Gjermani në vitin 1921, kishin një status ligjor privat. Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, Dëshmitarët aplikuan për të marrë një status ligjor publik, për shkak të lehtësirave që kanë organizatat fetare nga kjo.

Që një shoqatë fetare të regjistrohet si një korporatë me status ligjor në mbarë vendin, ligji kërkon që ky status të merret fillimisht në shtetin gjerman ku vepron. Më pas mund të aplikojë për këtë status në 15 shtetet e tjera gjermane. Në vitin 1990, shoqata fetare Jehovas Zeugen in Deutschland (Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani) si fillim aplikoi në shtetin e Berlinit, ku edhe ka adresën zyrtare. Megjithëse shumica e organizatave fetare që e kërkojnë këtë status ligjor, e marrin për një kohë shkurtër, mbase brenda një ose dy vjetëve, qeveria e Berlinit nuk pranoi t’u jepte Dëshmitarëve të Jehovait status ligjor publik për shumë vjet. Një arsye që dha qeveria ishte se Dëshmitarët nuk votojnë në zgjedhjet vendore. Gjithsesi, ky arsyetim nuk është me vend, pasi ligji në Gjermani nuk u kërkon qytetarëve të votojnë; votimi është krejtësisht vullnetar.

Në fund kjo çështje iu adresua gjykatave. Më 24 mars 2005 Gjykata më e Lartë Administrative në Berlin vendosi që Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani të njihen si «korporatë me status ligjor». Një vit më vonë, shteti i Berlinit ndryshoi mendje dhe u dha Dëshmitarëve të Jehovait status ligjor publik, e kështu mori fund beteja ligjore 16-vjeçare me shtetin e Berlinit.

Më tej, Dëshmitarët aplikuan për këtë status në 15 shtetet e tjera gjermane. 11 shtete ua dhanë Dëshmitarëve këtë status në vitin 2009, 3 shtete të tjera në vitet pasuese, ndërsa shteti i fundit, Renania dhe Vestfalia Veriore, ua dha më 27 janar 2017. Ngulmimi i Dëshmitarëve të Jehovait për të marrë të njëjtin status ligjor si fetë e tjera kryesore në Gjermani, mori fund pas 26 viteve procedurash ligjore.

Dobitë e statusit ligjor publik

Selia kombëtare dhe më tepër se 2.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani tani funksionojnë si një korporatë e vetme. Në të kaluarën, çdo shoqatë që përfaqësonte të paktën një kongregacion, konsiderohej si një shoqatë fetare e pavarur, prandaj ligjet e shtetit kërkonin raporte vjetore dhe deklarata për të ardhurat. Pranë organeve qeveritare duhej raportuar çdo ndryshim në strukturën e një shoqate kur emëroheshin pleq të tjerë, kur blihej një pronë ose kur kongregacionet ndryshonin emër ose bashkoheshin. Në të kaluarën, pleqtë e kongregacionit harxhonin shumë kohë dhe energji për raportime të tilla, ndërsa tani mund të përqendrohen më plotësisht te kongregacioni, për t’i ndihmuar Dëshmitarët që të forcojnë besimin. Gjithashtu, ngaqë mungonte statusi ligjor publik, kongregacionet duhej të paguanin tarifa për plotësimin e raporteve. Një plak kongregacioni prej kohësh, tha: «Tani kemi më shumë liri që t’i përdorim kontributet për të mbështetur veprën e predikimit të kongregacionit.»

Ngaqë nuk kishin këtë status të lartë ligjor, Dëshmitarët e Jehovait nuk konsideroheshin fe kryesore, edhe pse në Gjermani kishte rreth 274.000 Dëshmitarë dhe persona të tjerë që ndiqnin mbledhjet. Armin Pikeli, një avokat mbrojtës për selinë kombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, tha: «Për më shumë se 26 vjet jemi përpjekur ligjërisht të njihemi si një korporatë me status ligjor. Gjatë kësaj kohe, mediat kanë nxjerrë qindra lajme të rreme dhe të shtrembëruara për fenë tonë, nganjëherë thuajse çdo javë. Kurse tani ka më pak lajme të rreme e të shtrembëruara.» Verner Rutke, një Dëshmitar prej kohësh, tha: «Meqë një shoqatë fetare që dëshiron të njihet si korporatë me status ligjor, duhet t’u bindet ligjeve në çdo aspekt, atëherë shumë supozime të rreme kundër Dëshmitarëve mund të provohen se janë të gabuara.» Petra, një Dëshmitare tjetër, përmendi sfidat që hasnin fëmijët në shkollë. Ajo tha: «Fëmijët në shkollë nxjerrin shumë dobi nga kjo lloj njohjeje. Deri tani mësuesit prireshin t’i diskriminonin nxënësit Dëshmitarë, në bazë të disa supozimeve të rreme se i përkitnin një ‘sekti’, jo një feje.»

Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani janë mirënjohës që qeveria i ka dhënë status ligjor publik veprimtarisë sonë fetare të sinqertë. Ata shpresojnë që kjo njohje t’ua lehtësojë disa vështirësi të mëparshme, si edhe të nxjerrin dobi si individë dhe si komunitet fetar.